Me diplomë të një profesioni, punojnë në profesione tjera

Të rinjët kosovarë të diplomuar po punësohen në vende pune për të cilat nuk kanë marrë kualifikimin në universitet. Të rinjtë me diploma i gjen shpesh teksa kryejnë punë të rëndomta, aty ku ju jepet rasti vetëm që të marrin një pagë për të mbijetuar. Diploma e marra dhe kërkesat e tregut duket se nuk po përshtaten.

Përkundër kësaj, universitetet vazhdojnë të prodhojnë me tepricë të diplomuar në drejtimet shoqërore (juridik dhe ekonomi), e shumë më pak në shkencat teknike, të teknologjisë informative, si dhe ato të natyrës.

M.M. ka mbaruar studimet e gazetarisë në vitin 2013. Pas diplomimit përkpjekjet e tij për të ushtruar profesionin nuk rezultuan të suksesshme. Ai thotë se ka aplikuar në 4-5 konkurse të shpallura por asnjëherë s’është ftuar në intervista. Duke parë pamundësinë për t’ju nënshtruar një profesioni për çka ka diplomuar, M. ka hapur një restorant në Prishtinë.

“Për të hapur restorantin më është dashur që të marrë hua e ta ngarkojë familjen financiarisht, pasi vet, si i diplomuar pa punë nuk kisha mundësi të mbaja as vetën”. M. tregon se ëndrra për të punuar në fushën e medias, i kushtoi. “Kam kryer të mesmen për infermieri dhe kam punuar dy vjet si infermier, por e doja gazetarinë, doja të bëhesha gazetar dhe e lashë punën në qendër mjekësore për të studiuar gazetari, mirëpo pas studimeve mbeta i papunë”, thotë ai duke cekur se numri i të diplomuarve në gazetari është shumë më i madh sesa vendet që ofrohen për punësim.

Ferdi Kadriu nga OJQ Studentore “Paqja Studentore” pohon se ka shumë raste konkrete si një jurist apo gjuhëtar punon si kamerier, në kuzhina apo edhe profesione tjera, të cilat nuk i përkasin kualifikimit që ka marrë në universitet. “Arsyeja pse këta të diplomuar punojnë në profesione të tjera është se nuk ka vende të punës për profesionet e tyre dhe nevoja për të mbuluar shpenzimet e jetesës i detyron të punësohen kudo qoftë”, thotë Kadriu. “Por, ka edhe raste kur ata lënë mënjanë profesionin për t’u angazhuar në bizneset familjare, në detyra që nuk përputhen me përgatitjen akademike”, thotë ai.

Ndërkaq, institucionet nuk kanë të dhëna për numrin e të rinjve që kanë diplomuar dhe janë të papunë, apo punojnë në profesione për të cilat nuk kanë kualifikim. Disa nga të dhënat e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës na lejojnë të bëjmë përmbledhjen si më poshtë:

Drejtimi

Viti akademik

Aplikantë

Të diplomuar

Ekonomik

2012-2013

 

1167 studentë

Ekonomik

2013-2014

4743 studentë

1312 studentë

Ekonomik

2014-2015

5927 studentë

 

Juridik

2012-2013

 

639 studentë

Juridik

2013-2014

2123 studentë

808 studentë

Juridik

2014-2015

3098 studentë

 

Ismail Kurteshi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, thotë se stagnimi i zhvillimit ekonomik, madje edhe zvogëlimi i vendeve të punës në njërën anë dhe rritja e numrit të studentëve në anën tjetër, si dhe mungesa e planifikimit të hapjes së drejtimeve të ndryshme të studimeve bazuar në nevojat e tregut të punës, janë faktorë që ndikojnë në nivelin e lartë të papunësisë në Kosovë dhe në punësimin në profesione joadekuate të të rinjve tanë.

“Kosova ka mbi 120.000 student, ose rreth 60.000 student në një milionë banorë. Numri i studentëve në Evropë është përgjysmë më i vogël për kokë banori për kundër faktit se ekonomitë e vendeve të zhvilluara evropiane kanë nevojë për më shumë kuadro me kualifikime superiore. Prandaj, po ndodh shpesh që kuadrot e kualifikuara të ikin në perëndim. Në të njëjtën kohë Kosovës i mungon diversifikimi i profileve”. Kurteshi thotë se, në shumë fakultete, hapja e drejtimeve i përshtatet plotësimit të normave të profesorëve, por jo tregut të punës. Kurse kolegjet private kanë vetëm një synim: përfitimin material dhe nuk interesohen për shtrembërimin e tregut të punës.

Për të mos lejuar situata të këtilla, shteti duhet të investojë në hapjen e vendeve të reja të punës; të krijojë ambiente të përshtatshme për investime të huaja; numri i studentëve të regjistruar në fakultetet e Kosovës duhet të harmonizohet me nevojat e tregut të punës”, thotë Kurteshi.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë e Kosovës bënë të ditur se sivjet ka nisur një plan për orientimin e të rinjve për studim më shumë nga shkencat ekzakte. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka deklaruar se në koordinim me Rektoratin e UP-së për vitin akademik 2015/16 në Universitetin e Prishtinës, janë miratuar vende studimi për të rijntë duke synuar një orientim më të madh në shkencat ekzakte.

Anita Kadriu
Prishtinë, dhjetor 2015