Në Çeki, zjarrfikësit e barabartë me policinë e doganierët

Pozita e zjarrfikësve në Republikën e Çekisë është e barabartë me atë të Policisë apo Doganierëve. Ata hyjnë në grupin e të punësuarve të uniformuar të cilët kanë trajtim të ndryshëm nga punëtorët e tjerë. Paga mesatare e një zjarrfikësi është rreth 1 mijë e 200 euro, aq sa është edhe e policit apo doganierit. Këto informata janë dhënë nga Zdenek Oberreiter, nga Lidhja Sindikale e Zjarrfikësve, në takimin e realizuar me delegacionin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të udhëhequr nga Haxhi Arifi, në Shtëpinë e Sindikatave në Pragë.

“Ne si sindikatë jemi themeluar pas rënies se komunizmit dhe së fundmi kemi festuar 25 vjetorin e formimit. Përfaqësojnë 6 mijë zjarrfikës, të cilët paguajnë nga 1 për qind nga paga e tyre. Neve ju kthejmë atë kontribut me këshilla juridike nëse atyre ju duhen. Në total, në tërë Çekinë janë 10 mijë zjarrfikës”, pohoi kreu i Lidhjes Sindikale të Zjarrfikësve.

Kjo sindikatë është e përfaqësuar në konfederatën kryesore të Çekisë, në të cilën bëjnë pjesë 380 mijë punonjës.

Kryetari tha se ata vazhdimisht i japin përparësi dialogut për të zgjidhur hallet e punëtorëve. Kanë arritur kështu që pozitën e zjarrfikësit të barazojnë me pozitën e policit apo të doganierit. “Normalisht që rrezikun në punë paguhet, por edhe jepen kompensime për punët jashtë orarit”, ka thënë Oberreiter.

Z. Arifi nga ana e tij tregoi se në Kosovë janë vetëm rreth 600 zjarrfikës, të cilët punojnë në organet shtetërore. Ata nuk kanë sindikatë të veçantë, por hyjnë në kuadër të sindikatës së administratës shtetërore dhe shërbyesve civil.

Zjarrfikësit në Kosovë kanë organizuar disa herë protesta për të kërkuar kushte më të mira pune dhe pagesë të rrezikut në punë dhe orëve jashtë orarit. Ata kanë paga dukshëm më të ulëta se sa Doganier apo Policët në Kosovë.

Z. Oberreiter tregoi gjithashtu se në Çeki ka rreth 140 mijë punëkërkues. Niveli i papunësisë është rreth 8 për qind. “Ka shumë vende pune të cilat nuk dëshiron t’i marrë askush. Disa bashkëqytetarë të tjerë as nuk janë të interesuar të punojnë”, shtoi ai.

Qeveria e Republikës së Çekisë ka negociuar me shumicën e sindikatave për rritjen e pagave për vitin e ardhshëm, 2016. Shumica e sindikatave e kanë cilësuar si triumf rritjen e pagave në nivel prej 5 ose 3 për qind varësisht nga sektori, që pritet të ndodhë vitin e ardhshëm.

Kjo rritje e pagave vjen si pasojë e rritjes ekonomike të shtetit çek, që pritet të arrijë këtë vit nivelin prej 4.4 për qind. Rritja ekonomike do të jetë më e madhja në mesin e shteteve që janë anëtare të BE-së.

Çekia ka një GDP për kokë banori prej rreth 20 mijë dollarësh amerikanë. Është një vend neto eksportues. Importi gjatë vitit 2014 ka qenë në nivel prej 135 miliardë dollarësh, kurse eksportet kanë qenë në nivel prej 147 miliardë dollarësh.

Visar Prebreza
Prishtinë, tetor 2015