Nxitimi i një ministri mashtron pensionistët

Pa dyshim, kategoria në situatë më të vështirë në shoqërinë kosovare që pas përfundimit të luftës janë pensionistët. Është thënë e stërthënë disa herë se kategoria e pensionistëve nuk është duke marrë pension, por ndihmë sociale. Për disa vjet, merrnin një shumë të barabartë si ata që nuk kishin punuar kurrë, e rrjedhimisht nuk kishin paguar as kontribute ndaj shtetit, ashtu edhe ata që kishin punuar me vite të tëra në organizata të ndryshme të sistemit socialist dhe që kishin paguar kontribute që fatkeqësisht kishin mbetur dhe vazhdojnë të qëndrojnë në Fondin e Sigurimit Pensional e Invalidor të Republikës së Serbisë. 

Kjo e fundit po vazhdon të zgjasë në gjithë mënyra e mundshme kthimin e këtyre mjeteve. Nga ana tjetër as shteti kosovar nuk ka bërë sa duhet për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate e është treguar neglizhent ndaj kategorisë së pensionistëve. Drejtuesit e shtetit janë treguar të pazotë për ta shtruar çështjen me zë në bisedimet e vazhdueshme me Serbinë, sidomos pas arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në fillim të vitit 2013.

Edhe më keq, në mes të tetorit të këtij viti, u dha një lajm se pensionet do të rriten në vlerë njëqind për qind. Po ashtu, u premtua edhe një rritje e asistencës sociale. Një ditë më vonë, vetë qeveria doli me informacionin se nuk do të ketë rritje të pensioneve. U tha se ka vetëm ide për rritje. Sigurisht që ky ishte një zhgënjim për pensionistët.

Deklaratat kundërshtuese erdhën nga dy ministra të qeverisë aktuale dhe ishin një veprim tejet i papërgjegjshëm.

I pari, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, deklaroi se pensionistët kontributdhënës, nga muaji dhjetor i këtij viti do të përfitojnë një rritje prej 100 eurosh në pensionet e tyre. Ai tha se rritja e pensioneve dhe e pagesës mujore ndaj famljeve me asistencë sociale do të bëhej “falë kursimeve të Qeverisë dhe disiplinimit të skemës sociale”. Sipas tij pensionet për kontributdhënësit (ata që kanë pasur marrëdhënie pune) do të rriten deri në  250 euro dhe se këto mjete do të merren prej dhjetorit. Sipas tij, ky premtim ishte 90 për qind i sigurtë. Gjithashtu, ai theksoi se  për kategoritë sociale do të ketë rritje 25 për qind. Ato familje që si asistencë sociale marrin 70 euro do të përfitonin pra një shtesë prej 20 eurosh. Ndërsa, familjet me 10 ose më shumë anëtarë do të marrin 150 euro. Në deklaratën e tij përmendej sa mjetet e duhura egzistojnë.

Një ditë më vonë, ministri i Ekonomisë dhe Finacave, Avdullah Hoti, e hodhi poshtë deklaratën e Abrashit. Ai doli në një konferencë për media dhe theksoi se rritja e pensioneve është vetëm një ide që pret aprovim. Rritja e vetme që Hoti e ka konfirmuar është ajo për 19 euro të asistencës sociale për 26 mijë familje, me rreth 115 mijë anëtarë, gjë të cilën e ka deklaruar edhe ministri Abrashi. Pensionistëve, ndërkaq, u mbetet që të shpresojnë për ndonjë përmirësim.

Pavarësisht të gjithave, autoritetet e shtetit duhet të jenë të matur kur japin deklarata të tilla, sidomos kur bëhet fjalë për kategori me neovja të veçanta. 

Emine Klaiqi
Prishtinë, tetor 2015