Punësimet në institucione mbi baza politike e të lidhjeve familjare

Nuk mjaftojnë dituria dhe edukimi për të gjetur një vend pune në institucionet publike në Kosovë. Përkatësia politike dhe lidhjet familjare janë kushti i parë për punësime nëpër institucione. Vetëm në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik janë dy raste të pastërta, që e dëshmojnë këtë.

“Koha Ditore” raporton se Leonita Shabani-Mullarama, ish-këshilltare e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, dhe njëkohësisht zëdhënëse për ministrinë, është rikthyer për të punuar si shërbyese civile në këtë dikaster. Shabani-Mullarama ka qenë pjesë e stafit politik në secilën ministri që ka udhëhequr Beqaj në qeverinë e kaluar. Fillimisht ka qenë në Ministrinë e Integrimit Evropian, pastaj në Ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe së fundit edhe në Ministrin e Financave. Ish-ministri i Financave Beqaj nuk është zgjedhur në poste ministrore në këtë mandat të qeverisë dhe aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Shabani-Mullarama kishte aplikuar me herët për pozita udhëheqëse në Zhvillimit Ekonomik, por Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka dalë në përfundimin se “ajo nuk i ka plotësuar kriteret e kërkuara sipas konkursit, gjegjësisht kriterin e përvojës së punës në vende udhëheqëse dhe përvojës  profesionale pas diplomimit”. Një vlerësim i ngjashëm sa i përket eksperiences së punës është dhënë edhe për kandidatin tjetër për këtë pozitë, Ilir Rama. Pas këtij vlerësim, Ministria e Zhvillimit Ekonomik e ka anuluar konkursin në fjalë.

Mirëpo, dy javë më vonë, MZHE-ja ka hapur një konkurs tjetër për një pozitë me koeficientin 8. Për këtë pozitë është kërkuar diplomë universitare pa e cekur drejtimin, si dhe janë kërkuar vetëm 3 vite përvojë të punës. MZHE-së i është dashur vetëm një javë për të vlerësuar aplikacionet dhe për të punësuar ish-këshilltaren e ministrit, Leonita Shabani-Mullarama, njoftimi për të cilën është publikuar në ueb-faqen e MZHE-së me 1 shtator. Ajo ende nuk ka filluar punën pasi pritet të kalojnë  periudha kur personat që kanë konkurruar në këtë pozitë mund të ushtrojnë të drejtën e ankesës.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë edhe shkelje të tjera gjatë rekrutimit të personelit. Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka gjetur shkelje ligjore edhe në rastin e përzgjedhjes së Fitore Mataj në pozitën e Udhëheqëses së sektorit për promovimin dhe zhvillim të projekteve. Këshilli ka konstatuar se MZHE-ja ka bërë shkelje të dyfishta në këtë konkurs. Fillimisht MZHE ka hapur konkurs të jashtëm para se të hapte konkurs të brendshëm.

Për pozicionet drejtuese  dhe pozicionet e larta drejtuese, pranimi kryhet nëpërmjet procedurave  të ngritjes në detyrë të nëpunësve civilë ekzistues. Në rast se nuk ka kandidatura nga nëpunësit  civilë ekzistues, pranimi hapet për të gjithë të interesuarit”, thuhet në nenin 18 paragrafi 3 të Ligjit për Shërbimin Civil, i cili citohet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Gjithashtu, Këshilli ka konstatuar se MZHE-ja ka vlerësuar gabimisht përvojën e punës, si një nga kriteret e konkursit. Është konstatuar se as personi që është rekomanduar për punësim e as personi që është ankuar në Këshill nuk i kanë pasur përvojën e punës të mjaftueshme, siç është kërkuar në konkurs.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik thotë se dy konkurset janë anuluar nga KPMSHCK për arsye se është dashur të shpallen fillimisht brenda institucionit e pastaj, në rast të mos paraqitjes së mjaftueshme të kandidateve, të vazhdohet me konkurs të jashtëm.

Kjo ministri e pranon se ka pasur telashe me rekrutimin e stafit të ri. “Nga fillimi i vitit 2015 e deri me tani MZHE ka iniciuar nëntë procedura të rekrutimit, prej të cilave katër kanë përfunduar me sukses dhe janë emëruar në pozitë kandidatët e përzgjedhur nga Komisionet Përzgjedhëse ad-hoc të Shërbimit Civil (KPSHC). Dy procedura të tjera rekrutimi kanë përfunduar dhe janë publikuar rezultatet për kandidatet e suksesshëm dhe jemi në pritje te përfundimit të procesit ankimor”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

Në ueb-faqen e kësaj ministrie janë edhe disa konkurse që kanë përfunduar me  sukses, apo që janë anuluar. F.Restelica është një nga të punësuarat në këtë ministri. Ajo është punuar në pozitën “zyrtare e  lartë për infrastrukturën elektronike”. Gazeta “Koha Ditore” ka mësuar se dy familjarë të saj janë duke punuar aktualisht po në këtë ministri.

Punësimet e tilla përmes lidhjeve familjare dhe atyre politike bëjnë që shumë profesionistë të mos kenë mundësi të japin kontributin e tyre në institucionet e  Kosovës. Janë shumë raste të personave që kanë studiuar në universitete të njohura botërore, por që kanë dështuar të gjejnë një vend pune nëpër institucionet e Kosovës në mungesë të lidhjeve me politikën apo lidhjeve familjare. Përmes kurdisjes së konkurseve, institucionet e Kosovës po shkojnë përtej ligjit duke shfrytëzuar mangësitë e tij në interes të tyre. Por, edhe nëse zbatimi i ligjit është 100 % i drejtë, ka shumë raste kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka gjetur shkelje të procedurave, të cilat duken të favorizojnë kandidatë të caktuar.

Merita Berisha
Prishtinë, shtator 2015