Situata e rëndë socio-ekonomike skllavëron punëtorët kosovarë

Gjendja e rëndë socio-ekonomike në Kosovë, ku më shumë se 40 për qind e popullatës së re dhe të aftë për punë është e papunë, ka ndikuar që shumë punëtorë, sidomos të sektorit privat, të shndërrohen në skllevër të shekullit 21. Ata janë të obliguar të durojnë sjelljet e pronarëve të kompanive, sepse në të kundërtën mund të mbesin edhe pa atë pagë minimale që ju ofrohet.

Raste të tilla gjithnjë e më shumë po marrin dimension të ri. Paraqiten raste kur punëtorët lëndohen në punë dhe nuk ju jepet e drejta për pushim mjekësor. Apo raste kur kanë këputur gjymtyrë të trupit e në momentin që kanë dalë nga vendi i punës, nuk janë paguar më. Gjithashtu, ka nga atë që kur lëndohen lehtë në vendin e punës dhe provojnë të vetëshërohen, pa pasur guxim të lajmërojnë pronarët e ndërmarrjeve. Shkeljet e të drejtave të pushimeve vjetore, javore e mjekësore thuajse janë bërë aq të zakonshme sa nuk merret kush me to. Madje as vetë punëtorët. Pak ju bën nëse kanë një apo dy javë pushim vjetor, nëse kanë një ditë pushim në javë apo dy.

Mirëpo, ka edhe gjëra më të rënda që lidhen drejtpërdrejtë me shëndetin e punëtorëve. Një nga këto na e përcjell rasti i S.I. nga Gjilani, i cili tregon për gjërat që i kanë ndodhur në vendin e punës. “Tashmë ka 10 vjet që punoj si shofer kamioni - transportues mallrash në një kompani ku shitet materiali ndërtimor. Në kompani jemi 10 punëtorë. Ndër të dhjetët, vetëm 4 janë me dokumente të rregullta të punës, kurse 6 janë pa kurrfarë dokumentesh”, ka theksuar S.I.  Ky i fundit është në mesin e atyre pa dokumenta të rregulluara. Ai shton se do të ishte shumë më i kënaqur që të kishte pagën më të vogël vetëm e vetëm që të kishte dokumente pune, në mënyrë që të ketë të ardhura pas pensionit. Mosha e tij ishte 45 vjeç.

“Kështu si jam, unë punoj sot për sot. Paratë harxhohen shpejt, kurse më vonë do të mbetem edhe pa pension, edhe pa gjë tjetër”, tha ai, teksa tregonte për punën e rëndë që bën. Ai, me sinqeritetin e një punëtori që nuk i përton angazhimeve, tregoi se po atë mbrëmje do të nisej për në Shqipëri.

S.I. është njëri nga të lënduarit në punë; ai ka humbur gishtin tregues në dorën e djathtë. “Ndoshta nuk e besoni, por atë ditë që e kam këputur gishtin, pronari më ka hequr nga pagesa gjysmën e orarit të punës”, tha ai - pra nuk i janë shpërblyer as ato orë pune që ai kaloi në spital. Tregoi gjithashtu se inspektorët e punës e vizitojnë kompaninë gjatë vitit, por sipas tij “bëhen dredhi të mëdha”. Ai nuk ka mundur t'ja prezantojë rastin e vetë inspektorëve.

“E kam shumë të pa qartë se nga e marrin vesh shefat për vizitën e inspektorëve, pasi neve që jemi pa letra na urdhërojnë që të largohemi nga punishtja, ndërsa ata të 4 punëtorët që janë me dokumente të rregullta i obligojnë që të jenë në vendet e tyre të punës”, vijoi ai.

I mërzitur nga sjelljet e tilla dhe nga mungesa e perspektivës, S.I. tregoi se shpeshherë nuk është larguar nga punishtja kur kanë shkuar inspektorët, përkundër urdhrave që ka marrë nga shefat. Por asnjëherë, askush nuk e ka pyetur nëse është i pajisur me dokumenta pune apo jo. 

“Besoj se edhe ata [inspektorët e punës] bëjnë marrëveshje me pronarët që të mos pyetem unë”, është shprehur ai.  Ishte shumë i vendosur, që sikur ta pyesnin, të tregonte fill e për pe se si trajtohet në punë. S.I. shton se sa herë që ka provuar t’i ankohet pronarit i është bërë me dije se kërkesat për vendin e tij të punës janë të mëdha.

Po ashtu, ai thotë se gjatë sezonit dimëror, kur puna bie në masë të madhe, në punëtori mbeten vetëm 4 punëtorët me dokumente të rregulluara. “Neve të tjerëve na dërgojnë në shtëpi, pa na paguar asnjë cent”, ka saktësuar ai.

Sipas tij, shteti dhe qeveria, fillimisht do të duhej të merreshin me nivelin e inspektorëve, që sipas tij janë të korruptuar, e pastaj të kërkojnë respektimin e Ligjit të Punës.

Tek ky punëtor, rasti i të cilit, fatkeqësisht, nuk është i izoluar, Ligji i punës është shkelur në të gjitha pikët. E para, sepse ai ka punuar 10 vjet dhe vazhdon të jetë pa kontratë. Mosrespektimi i Ligjit në këtë aspekt prodhon edhe dhjetëra problem të tjera, të cilat punëtorin e bëjnë të jetë si skllav në shekullin 21. Skllavërimi i punëtorit kosovar sot bëhet si pasojë e burokracisë së inspektorëve të punës, të cilët, ashtu si përshkroi S.I., inspektojnë vetëm sipërfaqësisht zbatimin e të drejtave ligjore të punëtorëve.

Emine Klaiqi
Prishtinë, shtator 2015