Vazhdon praktika e konkurseve sa për sy e faqe

Nuk ka ditë të mos ketë ankesa në adresë të institucioneve të ndryshme për shkelje të të drejtave në punësim. Ankesat bëhen qoftë për shkelje të konkurseve nga ata që i shpallin ato, qoftë për largim nga puna pa dhënë arsyetime bindëse. 

Rasti më i ri është në ndërmarrjen komunale “Hortikultura” në Prishtinë, kur ishte shpallur konkurs dhe ishte pranuar një kandidat në pozitën e koordinatorit të Peizazhit natyror “Gërmia”. Por, konkurrenti i përjashtuar nga mundësia e punësimit,  M.M., ka thënë se ndonëse ka dëshmuar se ka 25 vjet përvojë pune dhe profesionalisht shumë i përgatitur për një veprimtari të tillë, është pranuar një aktivist i partisë në pushtet në Komunën e Prishtinës, edhe pa shkollimin adekuat për këtë konkurs.

Konkurruesi në fjalë është shprehur me bindje se arsyeja e vetme që ai është përjashtuar ka qenë se nuk i përkiste subjektit të partisë në pushtetin komunal. Ai ka vërejtur edhe interesa të tjera që e shtyjnë kryeshefin e ekzekutivit të ndërmarrjes të vihet në shërbim të politikës, duke shkelur, siç është shprehur ai ‘me të dy këmbët parimet bazë të konkursit’.

M.M e ka dërguar lëndën në gjykatë dhe ka deklaruar se nuk do të lë derë pa trokitur që e drejta e tij ligjore “të triumfojë karshi shkelësve të ligjit të punës dhe të gjitha parimeve të tjera.”

M.M. thotë se ai nuk ka qenë i vetmi që është diskriminuar në konkurs. “Edhe 20 konkurrentë të tjerë e kanë pësuar në të njëjtën mënyrë, sepse kam dëgjuar se të gjithë janë pranuar sipas tekeve partiake dhe jo sipas kritereve ligjore”, shprehet ai.
Ai është ndjerë i fyer me këtë trajtim.

Në raste të tillë, “viktima” e diskriminimit i drejtohet gjykatës, mirëpo gjetja e avokatit dhe ndjekja e çështjes kushton shtrenjtë.

Ndërkaq, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSCK) thotë se ai nuk trajton e as shqyrton raste të shkeljes së Ligjit të Punës nga ndërmarrjet që janë edhe si shoqëri aksionare. Ndaj në rastin në fjalë, M.M. nuk ka të drejtë të ankohet pranë këtij këshilli.

M.M. ka patur kritika edhe për pengesat që u krijohen palëve të diskriminuara për t’u ankuar. E para, siç është shprehur ai, ka qënë fakti që afati i ankesës është vetëm tri ditë. Dita e parë brenda këtyre ditëve për ankesa ka qenë e premtja, ndërsa e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi. Por kur ka shkuar të hënën për të paraqitur ankesën, atij i është thënë se nuk ka më afat.

“Kjo sjellje e administratës së ndërmarrjes vetëm sa e konfirmon kurdisjen e çdo gjëje nga kreu i saj në bashkëpunim me komunën”, mendon M.M.

“Ankesa ime u pranua vetëm pasi këmbëngula, duke paralajmëruar se do të shkoja edhe në polici. Ishte shkelje ligjore dhe kisha të drejtë të lajmëroja edhe organet e rendit”, është shprehur ai. Mirëpo, pavarësisht ankesës, personi i pranuar për pozitën vazhdon të punojë atje.

M.M. ka dërguar një letër tek organet komunale, në ndërmarrje dhe në Inspektoratin e punës ku shprehet se ai i plotëson të gjitha kushtet për këtë pozitë. “Jam i dyti me pikë dhe i plotësoj të gjitha kushtet e parapara me konkurs. Kam përgatitjen profesionale, përvojën e punës, shkollimin adekuat, etj., por në këtë proces më ka munguar vetëm besnikëria politike, partiake apo ndaj ndonjë grupi tjetër të interesit”, vijon ai.

Shkelje të të njëjtit konkurs në këtë ndërmarrje kishte konstatuar edhe Inspektorati i Punës. Herën e parë kur ai ishte shpallur, ishte anulkuar për shkak të numrit joligjor të anëtarëve të komisionit intervistues e pranues. Me ligj ishte paraparë të jenë 5, ndërsa menaxhmenti kishte caktuar vetëm 3 anëtarë. Këtë gjë e ka pohuar në media edhe vetë kryeshefi ndërmarrjes komunale në fjalë, por i ka mohuar akuzat e tjera.

Emine Klaiqi
Prishtinë, korrik 2015