KEK-u në telashe me sigurimin e punëtorëve

Korporata Energjetike e Kosovës dhe Kompania e Sigurimeve Siguria i kanë ndërprerë marrëdhëniet. Kjo e fundit ka shkëputur në mënyrë të njëanshme kontratën për sigurimin e punëtorëve të KEK-ut. KEK-u dhe Siguria janë duke u përballur në gjykatë për të zgjidhur kontestin në mes tyre.

Por, janë punëtorët që kanë mbetur në “mes të rrugës” dhe të cilëve nuk ju është dhënë asnjë informacion në lidhje me faktin që momentalisht nuk janë të siguruar.

Besim S., punëtor i KEK-ut, tregon se rreth 100 euro shpenzime për mjekim në ordinanca private të referuara nga vetë kompania e sigurimeve nuk i janë kompensuar.

Një tjetër punëtor i KEK-ut tregon se rreth një vit më parë është diagonostifikuar me kancer në zonën abdominale. Pas një operacioni të komplikuar, atij i është këshilluar të shkojë në Turqi për mjekim të mëtejshëm.  Pavarësisht se në Turqi mblodhi gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga spitali, kompania e sigurimit nuk po e procedon kërkesën e tij për rimbursim, pasi kontratën me këta punëtorë e konsideron të prishur. Punëtori thotë se do t’’i drejtohet gjykatës nëse do të jetë e nevojshme.

KEK-u është njëra nga korporatat e para që ka filluar me sigurimet shëndetësore të punëtorëve. Për shkak të konkurrencës së madhe në tenderin e hapur, ofertat e kompanive paraqesin çmime shumë të lira. Çmimi që kjo kompani kishte ofruar në vitin 2013 ka qenë 13.92 Euro për punëtor. Kontrata ishte lidhur vetëm për një vit.

Ajo kontratë kishte përfunduar; megjithëatë punëtorët edhe në atë vit ishin ankuar për vonesa në kompensim. “Marrëveshja ka qenë e mirë [...] na ka mundësuar të shkojmë nëpër disa klinika private dhe barnatore duke paguar, shembull, vetëm 20 për qind të gjithë kostos”, thotë punëtor Besimi. “Por, kur ishim të obliguar që t’i dërgojmë dokumentet nga ordinanca të tjera atëherë merrte shumë kohë deri në kompensim”.

Në vitin 2014 KEK-u shpalli një tender të ri për sigurimin e punëtorëve të vetë. Në njoftimin për dhënien e kontratës ishin përcaktuar kriteret për përzgjedhjen e kompanisë së sigurimit të shëndetit. Aty ishte kërkuar që kompania të jetë e licencuar dhe rrjedhimisht të ketë depozitim të kapitalit themelues në para të gatshme në BQK, në shumë jo më pak se tre milion Euro. Ishte kërkuar po ashtu dëshmi që kompania ka kontratë me ndonjë ri-sigurues.

Edhe këtë tender e fitoi kompania Siguria. Kësaj radhe ajo kishte ofruar çmim edhe më të lirë se sa në kontratën paraardhëse: 12.49 Euro për punëtor. Kontrata u nënshkrua për dy vite. Ajo u shkëput në gjysmën e periudhës së vlefshmërisë në mënyrë të njëanshme nga kompania.

Pas shkëputjes së një anshme të kontratës, KEK-u ka hapur tender të ri. Në njoftimin për kontratë janë kërkuar shumë më shumë të dhëna nga kompania, në mënyrë që të shmanget gabimi që është bërë në rastin e kompanisë Siguria.

Në njoftimin për kontratë janë dhënë detaje edhe për numrin e punëtorëve dhe moshën e tyre. KEK-u ka plot punëtorë në moshë të shtyrë. Pjesa më e madhe e tyre janë mbi 60 vjeç. Kurse në tri vitet e fundit ka pasur shumë raste të lëndimit në punë, kryesisht për shkak rrezikshmërisë së lartë në punën industriale si ajo që zhvillon kjo korporatë.

Në vitin 2012, sipas të dhënave të KEK-ut, 133 punëtorë janë lënduar si pasojë e aksidenteve në punë. Në atë vit nuk ka raste me fatalitet dhe raste me invaliditet të plotë të përhershëm. Në vitin 2013 kanë qenë 72  raste të lëndimit të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në punë, por nuk ka pasur raste me fatalitet dhe raste me invaliditet të plotë të përhershëm. Në vitin 2014 kanë qenë 48 raste të lëndimit të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në punë. Ka pasur 2 raste që kane përfunduar me fatalitet si pasojë e aksidentit në punë. Nuk ka raste me invaliditet të plotë të përhershëm (shkëputur nga njoftimi për kontratë për këtë tender).

Merita Berisha
Prishtinë, korrik 2015