Nëse s’je anëtar i partisë, do të humbasësh punën!

Tre punëtorë të Sektorit të Pronës në Komunën e Prishtinës – B.K., N.A. dhe A.K., prej 30 qershorit nuk janë më pjesë e administratës komunale në të cilën kanë punuar që nga viti 2012. Për punëtorët pushimi i tyre nga puna është thjesht për arsye politike. Sipas zyrtarëve komunalë, ata e kanë humbur punën për shkak të performancës së dobët. Mirëpo, duket se çështja e perfomancës varet shumë nga këndvështrimi i eprorëve.  

B.K. thotë se e kanë larguar nga puna pas 3 vitesh vetëm sepse nuk është bërë anëtar i Lëvizjes ‘Vetëvendosje!’ (LVV). Ndërkohë, “janë pranuar 7 aktivistë të LVV-së, të cilët vetë e kanë pranuar se janë aktivistë të kësaj partie”, vijon ai. Të njëjtin mendim e ka edhe kolegu i tij, A.K..

A.K. posedon një dokument zyrtar sipas të cilit punën që kanë bërë këta dy të larguar brenda 6 muajve, disa të tjerë nuk e kanë bërë as për një vit. Ai dokument dëshmon se A.K. dhe B.K. në 6 muaj kanë qenë në terren 1219 herë, teksa kishte punëtorë që për një vit kanë dalë në terren shumë herë më pak. Ky vlerësim është bërë nga mbikëqyrësi i ekipeve të terrenit. B.K. me një koleg e tij ka përgatitur 150 ankesa, ose 6 herë më shumë se i fundit me 21 ankesa, kurse A.K. me një koleg të tij, 127 ankesa me 180 njësi.
Këto numra kanë forcuar tek ta bindjen se janë larguar nga puna për shkak të motiveve partiake e politike dhe jo për mungesë të performancës në punë.

Këta të rinj janë mes 13 personave të cilët më herët janë trajnuar për të punuar në komunë në sektorin e tatimit në pronë nëpërmjet një projekti të financuar nga USAID dhe Komuna e Prishtinës. Pra, ata të tre janë të çertifikuar për punën e tyre. Shumë nga të trajnuarit janë larguar nga puna që në vitin e kaluar duke ju thënë se më vonë do të shpallet një konkurs ku do të mund të konkurrojnë.

J.B., e cila kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga Komuna e Prishtinës por ishte refuzuar, kishte bërë ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës (KPMSHCK) dhe e kishte fituar kontestin pasi KPMSHCK-ja e kishte anuluar konkursin. Mirëpo vendimi për anulimin e konkursit nga organet komunale është ndërmarrë rreth 8 muaj me vonesë. Edhe J.B. e akuzon Komunën e Prishtinës për punësime partiake.

“Kemi qenë një grup prej 13 vetash që kemi punuar në komunë për tatim mbi pronë, fatkeqësisht me kontratë mbi vepër. Na larguan me taktikë, por fatmirësisht ne e fituam kontestin tek KPMSHCK-ja dhe konkursi u anullua. Megjithatë në vendin tonë përsëri janë persona të LVV-së që punojnë me  kontratë mbi vepër”, është shprehur ajo.

Edhe J.B. është e bindur se për t’u pranuar në punë në komunë duhet të jesh i anëtarësuar në LVV. Ajo vijon se kolegët e saj të larguar rishtaz do të dalin fitimtarë nga kontesti, ndaj dhe një menaxhim i tillë i Komunës është veç në dëm të buxhetit të saj.

Ndërkaq, drejtor i Sektorit për Pronë dhe Financa, Visar Berisha, ka mohuar se largimet nga puna kanë të bëjnë me çështje partiake. “Ata kanë pasur kontratë për punë provuese dhe nuk u është ndërprerë marrëdhënia e punës. Kjo është ajo që ndodh zakonisht: konfirmohet pozitivisht ose negativisht puna provuese e dikujt. Janë marrë 7 ose 8 veta, por as kjo nuk ka të bëjë me tre personat në fjalë. Para pak muajsh janë suspenduar 6 persona nga drejtoria; duke mos pasur mundësi që të shpallet konkurs, derisa të suspenduarit t’i përfundojnë procedurat, kemi marrë persona që të kryejnë punët.”

Fatkeqësisht, raste si këto dëshmojnë se klientelizmi, nepotizmi dhe punësimi jo-meritor janë ende fenomene të përditshmë në shoqërinë kosovare. Reforma në mënyrën e kualifikimit, çertifikimit dhe punësimit, qoftë në sektorin publik, por edhe në atë privat, duhet të jetë pritoritet i Qeverisë së Kosovës.

Gur Kalaja
Prishtinë, korrik 2015