Të kuptuarit e ngacmimit seksual në vendin e punës

Ngacmimi seksual është një formë e pastër e diskriminimit të bazuar në gjini, që nuk lidhet shumë me dallimet biologjike mes grave e burrave, se sa me rolet shoqërore që u atribuohen atyre dhe perceptimeve për seksualitetin mashkullor e femëror në shoqëri. Ngacmimi seksual është manifestim i kulluar i raporteve të pabarabarta të forcës dhe, rrjedhimisht, nuk ka të bëjë me përjetimin e kënaqësisë seksuale nga ky veprim, por me imponimin dhe njohjen e pushtetit. Ngacmuesit në vendin e punës zakonisht mbajnë poste të larta dhe e përdorin autoritetin për vendimmarrje ose aspekte të tjera që kanë ndikim në karrierën e të punësuarve, ose dëshirojnë të ushtrojnë pushtet apo kontroll ndaj viktimës. Në anën tjetër, viktimat nuk kanë shumë autoritet për vendimmarrje, u mungon vetëbesimi, ndodhën në pozita të cenueshme ose të pasigurta, ose janë të pritur “të vuajnë në heshtje”.

Perceptimi lidhur me atë se çka përbën ngacmim seksual nuk është i njëjtë për të gjitha shoqëritë. Kjo varet nga mënyra e socializmit të burrave e të grave në kuadër të shoqërive të caktuara, nga prania e stereotipave, nga hierarkitë socio-ekonomike që mund të ekzistojnë në jetën private e publike, si dhe nga konceptet dhe hierarkitë e vendosura në vendin e punës.

Për shkak të këtyre arsyeve është e pamundur të përpilohet një listë gjithëpërfshirëse e sjelljeve ngacmuese të cilat do të duheshin ndaluar. Megjithatë, disa veprime mund të identifikohen lehtas si ngacmim seksual. Të tilla janë, për shembull, puthja, ledhatimi dhe kontakti fizik i padëshiruar, ngacmimi verbal e të tjera. Pra, ka forma të shumta të sjelljes verbale, joverbale dhe fizike të cilat nuk mund të klasifikohen qartësisht si ngacmim seksual. Kjo mund të ndryshojë varësisht nga praktikat sociale dhe kulturore, ose nga konteksti në të cilin paraqiten. Kështu, në disa kultura, puthja në faqe gjatë përshëndetjes shihet si sjellje normale, ndërkaq në kultura të tjera konsiderohet si vardisje seksuale. Ajo që është e pranueshme në disa vende të punës, si për shembull postera sugjestiv në kuptimin seksual, mund të mos tolerohen në disa vende të tjera.

Edhe pse, si gratë, ashtu dhe burrat, mund të bien pre e ngacmimit seksual, hulumtimet cilësore dhe sasiore në shoqëritë e ndryshme kanë dëshmuar se gratë kanë shumë më shumë gjasa të bëhen viktima ndërsa burrat shkaktarë të ngacmimit seksual gjithandej globit.

Në fakt, me rritjen e numrit të grave të punësuara gjatë tri dekadave të fundit në botë është shtuar edhe cënueshmëria e tyre nga vëmendja e padëshiruar në vendin e punës. Sot problemi i ngacmimit seksual në vendin e punës shihet si një çështje serioze: rrezik profesional dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Organizata Ndërkombëtare e Punës e konsideron atë si dhunim të të drejtave themelore të të punësuarve, si kërcënim ndaj sigurisë dhe shëndetit, diskriminim, si kusht të papranueshëm të punës dhe një formë e dhunës, rëndom kundër grave të punësuara.

Pos efekteve të dëmshme të ngacmimit seksual për viktimat, ai bart edhe pasoja negative për ndërmarrjen dhe organizatën. Ky shkakton tensione në vendin e punës, të cilat mund të pengojnë punën në ekip, të dëmtojnë rezultatet në punë dhe të inkurajojnë mungesat në punë, të cilat përfundimisht ndikojnë në zvogëlimin e produktivitetit. Kështu, administrata, ndërmarrjet dhe organizatat kërcënohen të humbasin të punësuarit më të mirë dhe krijimin e një imazhi negativ publik nëse viktimat vendosin të bëjnë të ditur hallin e tyre.

Gjthashtu ekziston edhe një rrezik financiar për shkak të padive gjyqësore të mundshme dhe pagesave të dëmshpërblimeve e gjobave kudo në botë.

Përshtatur nga raporti “Perceptimet e Shërbyesve Civil në Kosovë lidhur me Ngacmimin Seksual”
Qendra Kosovare për Studime Gjinore
Prishtinë, 2015