365 ditë në grevë

Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave janë në grevë prej një viti dhe kërkojnë nga qeveria e AKP-ja pagesën e pagave për vitet e 90-ta. Kanë si mbështetje vendimin e Gjykatës Komunale të Ferizajit, akt-vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e Qeverisë së Kosovës, të Kuvendit dhe të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Anëtari i Këshillit Grevist, Ahmet Sylejmani, thotë se qëndrimi në tenda për një vit i ka shkaktuar shumë dëme shëndetësore. Por grevistët vazhdojnë të rezistojnë me shpresën se po i realizojnë premtimet. Kanë bërë përpjekje që të takojnë kryeministrin e ri në muajin dhjetor 2014, mirëpo nuk ja kanë arritur.

“Kemi bërë kërkesë për takim në muajin dhjetor, por Kryeministri i ri nuk na ka takuar. Pastaj e kemi përsëritë kërkesën në muajin mars dhe prill, por sërish jemi injoruar”, ka thënë Sylejmani. “Tani kemi vendosur që çdo ditë të bëjmë nga një kërkesë zyrtare, të cilën po e protokollojmë në Kryeministri”.

Ai shton se greva është e drejtë, sepse po kërkohet nga institucionet që të zbatojnë vendimet që vetë i kanë marrë. Thotë se fillimisht ishte vendimi i Gjykatës së Ferizajt; më vonë edhe i Gjykatës Kushtetuese. Përveç këtyre, ai shpalos edhe vendimet e qeverisë, e cila fillimisht kishte vendosur për kryerjen e obligimeve ndaj punëtorëve dhe e kish dërguar vendimin për miratim në Kuvend. Por pasi Kuvendi kishte dhënë dritën e gjelbër, qeveria kishte marrë vendim të hiqte dorë nga paratë që i takojnë nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, në mënyrë që AKP-ja nga ajo shumë të shlyejë obligimet ndaj punëtorëve të Tubave.

Rasti i punëtorëve të Tubave ishte parë si precedent i rrezikshëm, pasi Serbia njëjtë kishte vepruar me të gjithë punëtorët shqiptarë. Diskutabile mbetet shuma që AKP-ja do t’’i paguajë punëtorëve në emër të pagave për vitet e 90-ta. Ndërkaq, punëtorët i kanë shtuar shumës edhe interesin për kohën që nuk u janë paguar pagat.

Siç raporton “Koha Ditore”, në asnjë vendim të gjykatave nuk është përmendur shuma që do të përfitojnë ish-punëtorët e fabrikës së Tubave. Aktvendimi i formës së prerë (C.nr.340/2001) i Gjykatës Komunale të Ferizajt nuk përmendte shumën e mjeteve që do të përfitonin ish-punëtorët nga ky aktgjykim, por ia njihte atyre obligimet që dilnin nga të drejtat e punës.

Pas kësaj, ish-punëtorët kanë kërkuar nga Gjykata Komunale në Ferizaj urdhër përmbarimi të vendimit, me pretendimin për t’u kompensuar shumën prej mbi 25 milionë euro, me kamatë prej 3 përqind të llogaritur nga 13 marsi 2002 deri në datën e pagesës përfundimtare. Dy vendime gjyqësore lejuan përmbarimin bashkë me kërkesën për kompensimin e kësaj shume.

Por, ngaqë vendimet e gjykatës nuk janë zbatuar, ish-punëtorët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila dy vite më parë ka shqyrtuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Ferizaj (C.nr.340/2001), e që, po kështu nuk përmend fare asnjë shumë që duhet të kompensuar.

Ngaqë për çështjen e ish-punëtorëve ishin nxjerrë disa vendime gjyqësore, në 2012-n AKP-ja kishte kërkuar sqarim në Kushtetuese lidhur me një pikë të aktgjykimit për rastin e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe të Çelikut, se cili vendim cilësohet si final dhe i detyrueshëm. Kushtetuesja i kishte thënë bëhet fjalë për Vendimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt, C. Nr. 340/2011, i 11 janarit 2002. Pra, jo për vendimet e gjykatës që lejonin përmbarimin, e në të cilat përmendej edhe shuma prej 25 milionë eurosh.  Kushtetuesja ka precizuar se nuk ka vendosur për kompensimin material apo se çfarë shume duhet t’u ndahet punëtorëve, të drejtat e të cilëve ishin cënuar gjatë procesit të privatizimit të punëdhënësit të tyre.

Nga ana tjetër AKP-ja, përkundër që ka marrë udhëzime nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për ekzekutimin e vendimit të Kuvendit, nuk mund të marrë asnjë vendim për pagesat në mungesë të tre anëtarëve ndërkombëtarë në bordin e saj.

Kjo është greva më gjatë që është mbajtur në Kosovë. Ish-punëtorët e fabrikës së Tubave janë të  vendosur të vazhdojnë grevën deri në realizimin e pagesës.
“Këtu do të rrimë derisa të shohim paratë në xhirollogaritë e secilit. Ne nuk e ndërpresim grevën vetëm për fjalë e vendime, sepse deri tani nuk është respektuar asnjëri”, thotë Sylejmani. “Kemi të drejtë ligjore për të protestuat dhe për të bërë grevë”.

Merita Berisha
Prishtinë, maj 2015