Një në dhjetë gra ka një punë në Kosovë

Seria e shkrimeve: Freedom

1.

Gruaja kosovare jo vetëm që është përjashtuar nga historia dhe nga shoqëria politike dhe ekonomike, jo vetëm që është e privuar nga trashëgimia në pronë, por edhe diskriminohet që në start nga institucioni i konklursit (në shumë raste kërkohen vajza e gra të reja 20 -25 vjeçare) megjithëse sipas Ligjit të Punës, Neni 8 (Konkursi Publik), pika 2 thuhet se “konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi”.

As disa institucione ndërkombëtare në Kosovë nuk janë imune nga abuzimi me gratë lidhur me statusin e tyre social dhe raportin me punëdhënësin. Në këtë konteskt, një bankë me kapital ndërkombëtar dyshohet se masivisht po i përjashton punëtoret e saj nga puna, për mungesë bukurie.

Mbi 50 veta të stafit të “Pro Credit” Bankës janë intervistuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, përfshirë menaxhmentin e kaluar, të cilët paraqitën një figurë shqetësuese të presioneve për t’i pezulluar njerëzit nga puna. Një prej tyre u ankua se i ishte kërkuar që të largojë nga puna njerëzit për shkak të pamjes së tyre. Prokuroria ka nisur hetimet ndaj menaxherëve të lartë në “Pro Credit”-it. Banka me fitimet më të mëdha në Kosovë mohon akuzat.

ProCredit Bank ka pushuar nga puna 389 persona tre vjetët e fundit. Nga zyra për medie e bankës, konfirmuan se numri total i të punësuarve në vitin 2011 ishte 1071, kurse, sipas BQK-së, numri është zvogëluar në 711 në fund të 2014-ës. 

Sipas një hulumtimi të D4D-së, në çdo dhjetë gra në Kosovë, njëra nga to punon dhe njëra është duke kërkuar punë, tetë të tjerat nuk punojnë dhe nuk janë duke kërkuar punë.

Andreas Polterman nga “Heinrich Boll Stifftung’, organizata që ka mbështetur këtë hulumtim, ka thënë se ky raport diskriminues i punësimit mund të jetë njëra nga arsyet e migrimit. “Shoqëria patriarkale, që nuk ofron mundësi të njëjtë punësimi edhe për gratë dhe që është e pabarabartëm është një arsye më shumë që po i nxit qytetarët të emigrojnë. Barazia gjinore - hap drejt bashkimit evropian. Numrat e papunësisë joaktive janë alarmuese. Duhet te zhvillohet një shoqëri e arsimuar, me barazim gjinor në punësim”, tha Polterman.

E në anën tjetër, të gjitha këtyre sikur u doli në ndihmë “shkenca kosovare”, e cila përul gjininë femërore duke nxjerrë në pah “superioritetin” e mashkullit.
Në librin Psikologjia të shkollës së mesme, për klasen e 11-të, jo vetëm që shprehimisht huqet shkenca, por ajo u shërben autorëve për të ofenduar rëndë gratë.
Siç raporton media në Prishtinë, në Librin “Psikologjia”, i shkruar nga tre autorë me nam, Pajazit Nushi, Neki Juniku dhe Dashamir Bërxulli, nxënësit e shkollës së mesme mësojnë se si truri i femrës dallon nga ai i mashkullit. “Rezultati është që të trurët janë lidhur në mënyrë të ndryshme; truri i mashkullit për të bërë dhe ai i femrës për të folur”, shkruhet në libër. 

Mirëpo diskriminimi i grave në politikat e punësimit aktualisht po ngrehet si çështje edhe në vendet e zhvilluara Perëndimore si në ShBA. Dëshmitare u bë edhe laureatja e çmimit Oscar të këtij viti për rolin më të mirë dytësor (filmi Boyhood), Patricia Arquette, që nuk harroi të falenderonte çdo grua që lufton për të drejtat e saj. Ajo u mbështet nga legjendarja Meryl Strip dhe nga shumica e grave pjesëmarrëse, kur kërkoi që gratë të paguhen njësoj si burrat për punët e njëjta.

Gur Kalaja
Prishtinë, Mars 2015