Shkeljet ligjore të pandëshkuara të sektorit privat

Masari, një student i ndërtimtarisë, punon prej disa muajsh si kamerier. Kjo është hera e tretë që ai po provon këtë profesion, të cilin e bëjnë edhe shumë student të tjerë. Punon në lokalin që shërben ushqim të shpejtë, me emër në rrethin e Prishtinës. Puna prej kamerieri e ka mësuar me shkeljet, që bëjnë pronarët e lokaleve për të keqpërdorur me punëtorët e tyre.

  1. Haku i punëtorëve

Vonesa e rrogës është njëra nga mënyrat se si pronari i lokalit përfiton në kurriz të punëtorëve. Thotë se ende nuk e ka marr pagën e muajit qershor, ndërkohë që tani është fundi i muajit korrik.

“Të gjithë punëtorët kanë një rrogë e gjysmë pa marrë. Të paktën një muaj vonesë i kemi në paga. Ajo çfarë përfiton pronari është se të gjithë punëtorët që dëshirojnë të largohen nga puna e lënë një apo dy rroga në kompani. Disa kolegë që e kanë lënë punën nuk kanë mundur të marrin pagat e prapambetura”, rrëfen Masari. Ata pagat i marrin kesh dhe nuk kanë kontratë. Asnjëherë pagën nuk e marrin të plotë, por me nga 10, 15 apo 30 euro.

“Nuk shkon javë e muaj që nuk na vijnë bankat në restorant për të kërkuar punëtorët që kanë vonesa në kredi. Për këtë fajtor është pronari i lokalit, i cili asnjëherë nuk është i rregullt në dhënien e pagave”, thotë ai. Vijon më tej duke rrëfyer për vështirësitë që ka për të kaluar muajin. Gjithmonë është i pasigurt për fluksin e të hyrave të tij, saqë e ka të pamundur të hyjë në borxh e t’i premtojë dikujt kohën kur mund t’i kthej ato para. “Jemi të detyruar të hyjmë në borxhe, sepse na vonojnë rrogën. Është e pamundur me i thanë dikujt se në këtë apo atë datë ta kthej borxhin”, ka thënë ai.

  1. Vjedhja e shtetit

Vjedhja e shtetit nga pronari i restorantit konfirmohet përmes rrëfimit të Masarit. E para, asnjë prej punëtorëve të kësaj kompanie nuk ka kontrata të nënshkruara dhe nuk e merr pagën përmes bankës. Edhe në rastet kur ndonjë punëtor paguhet përmes bankës, aty merr vetëm një pjesë të pagës. Mos-lajmërimi i punëtorëve është një shkelje e shpeshtë tek bizneset kosovare. Të dhënat e Institutit Riinvest tregojnë se niveli i informalitetit është rreth 34 për qind. Përqindja është edhe më e lartë në sektorin e ndërtimtarisë dhe atë të bujqësisë. Por, edhe sektori i hotelerisë ka një informalitet të lartë – të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për të njëjtin nivel informaliteti.

Informaliteti është njëra nga shkeljet. Tjetra është shtypja e kuponëve fiskal. Masari tregon se kuponët i shtypin vetëm për personat që i kërkojnë. Gjithashtu, më të rregullt në shtypjen e kuponëve janë kur bëhet fjalë për konsumatorë që janë zytar shtetëror. “Mesatarisht, gjysmën e kuponëve i shtypim e gjysmën jo”, thotë ai.

Shtypja e kuponëve fiskalë është detyrim ligjor. Shumë biznese ende nuk janë fiskalizuar. ATK-ja e ka pranuar se ka pasur shumë zvarritje të procesit të fiskalizimit. Ministria e Financave kishte iniciuar një politikë për rimburisimin e një pjese të TVSH-së për qytetarët që grumbullojnë kuponë fiskalë dhe i dorëzojnë ato. ATK-ja pohon se kjo politikë ka dhënë rezultat, pasi çdo herë ka pasur rritje të kuponëve që janë dorëzuar në këtë institucion. Megjithatë, nuk janë dhënë të dhëna nëse është rritur deklarimi i bizneseve të caktuara, për shkak të kërkesave të qytetarëve për kuponë fiskalë.

  1. Të përçarë, e të pambrojtur

Masari është vetëm njëri nga punëtorët të cilëve ju shkelen të drejtat. Zbatimi i Ligjit të Punës në Kosovës është bërë gati si çështje “vullnetare”, pasi shumë biznese nuk e përfillin fare. Pushimi javor, pushimi vjetor dhe ai mjekësor, pushimi i lehonisë dhe pagesa e kontributeve, janë vetëm disa nga të drejtat të cilat shkelen në vazhdimësi. Shkelja e tyre përkthehet në përfitim monetar për bizneset. Ndërkohë që Inspektorati i Punës ankohet për mungesë të kapaciteteve dhe pamundësi për të kontrolluar e monitoruar secilin biznes të paktën një herë në vit. Masarit as që i ka shkuar në mendje që të drejtat e veta t’i kërkojë në ndonjë institucion. Thotë të mos ketë dëgjuar ndonjë praktikë, që një punëtor ka arritur të marrë një rrogë që nuk i është paguar në kohë apo të kthehet në punë kur është larguar padrejtësisht. Mungesa e praktikave pozitive për punëtorët bën që të jenë të paktë ata që i drejtohen gjykatave. “Pak është vështirë për me kërku rrugën ligjore sepse nuk kemi fare kontrata. Nuk figuroj askund që jam punëtor”, thotë Masari.

Ai dëshmon edhe një problematikë tjetër të sektorit privat – mungesën e sindikatave që i përfaqësojnë ata. Ekziston një sindikatë që thirret se është për sektorin privat, mirëpo ajo nuk i mbulon të gjithë sektorët. Ajo është marrë kryesisht me punëtorët e sektori privat që janë të kontraktuar për të kryer shërbime publike. Mungesa e një sindikate për sektorin e hotelerisë dhe të ndërtimtarisë bën që punëtorëve të mos ju dëgjohet zëri.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, i ka bërë disa herë thirrje punëtorëve të sektorit privat të organizohen në sindikata, pasi një gjë e tillë është për të mirën e tyre. Madje ka thënë se organizimi në sindikata është në të mirë edhe të punëdhënësve pasi ata do të kenë një adresë për adresimin e pakënaqësive apo shqetësimeve që kanë punëtorët.

Në kushtet aktuale, pakënaqësitë mbesin individuale dhe nuk arrihet asnjëherë që të adresohen në mënyrë të organizuar tek institucionet përgjegjëse. Ngritja e pakënaqësive është edhe më e vështirë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, veçanërisht nivelit të lartë të papunësisë. Sot, në Kosovë, konsiderohen fatlumë ata që kanë një vend pune, ndërsa ende nuk është temë diskutimi mbrojtja e të drejtave të punëtorëve. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave flasin për një papunësi në nivel prej 32 për qind. Por, marrë parasysh nivelin e lartë të forcës së punës joaktive, niveli i papunësisë llogaritet të jetë edhe më i lartë.

Visar Prebreza
Prishtinë, korrik 2016