Nevojë urgjente për hartimin e “Listës së sëmundjeve profesionale”

Kosova është ndër vendet e pakta që nuk ka hartuar listën e sëmundjeve profesionale. Sëmundje profesionale është çdo sëmundje e shkaktuar si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve, që rrjedhin nga veprimtaria e punës.

Në Kosovë ushtrohen veprimtari të shumta të cilat bartin rreziqe të mëdha për punëtorët që kryejnë ato punë. Një e tillë është edhe puna në Trepçë. Minatorët që punojnë në minierën e Stantërgut lëshohen çdo ditë në 800 metra thellësi. Lëshimi në këtë thellësi, përveç rrezikut nga shembjet e eksplodime të tjera, sjell edhe shumë rreziqe tjera, siç është ekspozimi ndaj mineraleve të caktuara që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndet.

Po ashtu, punëtorët që punojnë në flotacionin në Mitrovicë përballen me grimcat e plumbit që kanë ndikim negativ në shëndetin e njeriut.

Vizita në horizontin e shtatë të minierës së Stantërgut tregon më së miri për gjendjen e vështirë të punës së minatorëve. Gjithandej nëpër muret e tuneleve të bërë nën tokë janë pakot e qumështit. “Çdo ditë furnizohemi me qumësht. Kjo pako ka gjysmë litri, të cilën rekomandohemi ta konsumojmë çdo ditë. Pasi vijmë në këtë zgafelle, nuk kthehemi naltë (mbi tokë) deri kur përfundon orari i punës”, thotë një minator rreth të 60-tave. “Edhe pak edhe po dal në pension”, thotë minatori duke buzëqeshur.

Në kushte të ngjashme janë edhe punëtorët e KEK-ut. Kjo ndërmarrje ka rreth 4 mijë e 500 punëtorë. Shumica prej tyre u ekspozohen rreziqeve të ndryshme në vendin e punës si edhe përballen me pluhurin e zhurmën e madhe që shkaktojnë ekskavatorët.

S.O, punëtor i KEK-ut, tregon se në të kaluarën atyre i është rekomanduar që të pijnë vazhdimisht qumësht për të neutralizuar thithjen e pluhurit gjatë 8 orëve punë. “Na kanë dhënë rregullisht nga një litër qumësht, por tashmë nuk na japin më dhe rrjedhimisht jemi të ekspozuar ndaj rrezikut. Shumë shokë tanë kanë probleme me frymëmarrjen apo me sëmundje të tjera respiratore”, that ky punëtor, i cili punon në KEK prej 30 vjetësh.

Me caktimin e sëmundjeve profesionale duhet të ketë një listë të shkaktarëve të tyre; sëmundjet duhet të deklarohen në mënyrë të detyrueshme nga shërbimi shëndetësor, shtetëror dhe privat, nëpërmjet fletëdeklarimit të sëmundjeve profesionale, sipas modelit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Caktimi i listës së sëmundjeve profesionale duhet të përfshijë edhe caktimin e shkallës së humbjes së aftësisë për punë shkaktuar nga sëmundjet profesionale, që duhet bërë në mënyrë individuale dhe të bazohet në studimin morfo-funksional të individit në kushtet e punës.

Në ditën ndërkombëtare për të vdekurit në vendin e punës është mbajtur një konferencë për të diskutuar për numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës. Konkluzion i kësaj ngjarjeje ishte hartimi i ‘Listës së sëmundjeve profesionale’, si dhe formimi sa më shpejt i një Këshilli Nacional mbi shëndetin në punë.

Ministri i MPMS-së, Arban Abrashi, tha se ministria që ai drejton është e vendosur dhe e angazhuar që të fuqizojë sistemin e sigurisë dhe shëndetit në punë, ku sipas tij edhe numri i vogël i inspektorëve po paraqet një mangësi të madhe drejt përmirësimit të gjendjes së përgjithshme.

Kryeinspektori i Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, gjatë debatit tha se gjendja e sigurisë në vendin e punës nuk është në nivelin e dëshiruar, prandaj krijimi i kushteve të punës më të favorshme, më të sigurta dhe më të shëndetshme për punëtorët, në funksion të parandalimit të aksidenteve në punë është e domosdoshme.

Ibrahimi më tej ka shtuar se siguria dhe shëndeti në punë është më i rëndësishëm se sa Ligji i Punës. Ai vijoi duke saktësuar se vitin që lamë pas 9 punëtorë kanë humbur jetën dhe 45 janë lënduar. 

Gjatë konferencës nga të pranishmit ju dha rëndësi e veçantë edhe një elementi kryesor, siç e quajtën ata, “stresi në vendin e punës”, të cilën e konstatuan si faktori kryesor që shkakton problemet emocionale dhe psikologjike tek punëtorët.

Ndërkohë zëvendës inspektori, Agim Millaku, that se numri i aksidenteve në vendin e punës në Kosovë po pëson rënie çdo vit, ndërsa përmendi se sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, çdo 15 sekonda në botë humb jetën një punëtor në vendin e tij të punës.

Ndër sektorët më të rrezikshëm në Kosovë është ai i ndërtimtarisë. Sipas studimeve të bëra nga Ministria e Financave dhe Instituti Riinvest, sektori i ndërtimtarisë ka nivelin më të lartë të informalitetit, pra numrin më të madh të punëtorëve të paregjistruar. Mos-regjistrimi i punëtorëve e bën edhe më të vështirë për ata që kanë marrë përsipër rrezikun për të punuar në ndërtimtari.

“Kemi qënë duke punuar në katin e tretë kur rashë në tokë. As vetë s’e di se si kam rrëshqitur. Theva këmbën, por fatmirësisht shpëtova nga më e keqja”, thotë Ferki G nga Prishtina. Meqë pagën e merr në dorë, atij i është rekomanduar nga punëdhënësi që mos të tregojë gjatë trajtimit në spital për vendin dhe mënyrën se si ka ndodh aksidenti. Ashtu ka vepruar, me shpresë që të ruajë vendin e tij të punës. “Tash e dy muaj jam në shtëpi dhe nuk kam mundur të punoj. Nuk kam sigurim dhe gjithë harxhimet i kam bartur vetë. Gjatë këtyre dy muajve shefi me ka dërguar përmes një shoku dy herë nga 100 euro dhe i jam falënderues për këtë”, thotë Ferkia. “Po më thonë që shefi po sillet mirë me mua veç pse e kam kursyer e nuk kam lajmëruar që me ka mbajtur në të zezë dhe nuk më ka regjistruar si punëtor. Ndoshta edhe kanë të drejtë, kur po dëgjoj se çka po i ndodh shokëve nëpër kompani të tjera.”

Edhe pse e ka hequr gipsin ai ka vështirësi të ecë dhe nuk e di nëse do të jetë në gjendje të punojë sërish në ndërtimtari.

Shumë punë që nëpër vendet Evropiane konsiderohen me rrezik të lartë, në Kosovë kanë një dozë të shtuar të rrezikut për shkak të mosrespektimit të shumë ligjeve. Kjo vlen jo vetëm për sektorin e ndërtimit, por edhe për sektorët ku punëdhënës është shteti, siç është KEK-u, Trepça etj.

Visar Prebeza
Prishtinë, maj 2016