Një mendim ligjor i pavarur për Marrëveshjen Kolektive

 

Me datën 18 mars të vitit 2014 është nënshkruar Marrëveshja e shumëkërkuar Kolektive. Ajo u negociua për më shumë se 2 vjet. E për një kohë të gjatë kishte qëndruar në sirtar, edhe pse të gjitha palët ishin pajtuar me versionin e fundit të saj. Atë e nënshkruan kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini dhe Alush Sejdiu në cilësinë e kryesuesit të Këshillit Ekonomiko Social.

Kjo marrëveshje asnjëherë nuk është zbatuar e tëra. Thaçi nuk ndërmorri asnjë hap për ta jetësuar këtë marrëveshje deri në fund të mandatit. Me të ardhur në krye të qeverisë, Isa Mustafa, u përball me greva e protesta. U pajtua të paguajë stazhin e punës, siç parashihet në Marrëveshjen Kolektive, por nuk ka paguar asnjëherë shujtën dhe udhëtimin.

Në vlugun e kërkesave të punëtorëve për ta jetësuar këtë marrëveshje, një letër e bizneseve nga Oda Ekonomike ju dërgua Ministrisë së Punës për të kërkuar pezullimin e kësaj marrëveshjeje. OEK-u u justifikua duke thënë se anëtarët e saj nuk ishin konsultuar para se ajo të nënshkruhej.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, e pezulloi marrëveshjen kolektive për shkak se ajo nuk ishte në harmoni me Ligjin e Punës. “Unë kam kërkuar interpretim nga Zyra Ligjore rreth disa neneve të Marrëveshjes Kolektive të cilat nuk janë në harmoni me Ligjin e Punës”, deklaroi në një rast Abrashi. Po ashtu, sipas tij, pezullimi i kësaj marrëveshje ishte kërkuar edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila është palë nënshkruese.

Abrashi shtoi se do të kishte gjasë që zbatimi i marrëveshjes kolektive të shtyhej edhe për një kohë, për shkak se do të ndryshojë edhe Ligji i Punës. “Ne do të ndryshojmë edhe Ligjin e Punës, në mënyrë që ky ligj të jetë më atraktiv, si për punëdhënësit ashtu edhe për punëmarrësit. Pasi që ligji është në procedurë të ndryshim, është e logjikshme që të pritet që Marrëveshja Kolektive të amendamentohet në bazë të ligjit të ri”, pohoi Abrashi në fillim të vitit 2015. Ligji i Punës ende nuk është ndryshuar dhe rrjedhimish marrëveshja kolektive ende nuk po zbatohet.

Qëndrimet rreth Marrëveshjes Kolektive nuk kanë ndryshuar. Abrashi thotë se njëra nga palët nënshkruese është tërhequr nga marrëveshja. Por, kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, në një konferencë për media tha se ai ka qenë esëll kur ka vënë firmën mbi këtë marrëveshje. Ai shtoi se këtë marrëveshje e kanë negociuar një kohë të gjatë. Më tej ironizoi duke thënë se edhe krerët e OEK-ut është dashur të jenë esëll kur e kanë nënshkruar këtë marrëveshje. OEK-u këmbëngul që kjo marrëveshje të mos zbatohet.

Të njëjtën kërkesë e ka edhe Oda Ekonomike Amerikane, e cila thotë se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive nuk është e mbështetur në legjislacionin aktual të punës dhe si e tillë nuk ka fuqi ligjore e nuk mund të jetë e aplikueshme nga ndërmarrjet në Kosovë.

“Ligji i Punës Nr.03/L-212, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2010, ka për qëllim krijimin e një baze ligjore funksionale, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për marrëdhënien e punës. Ai përmban edhe dispozita përkatëse në të cilat ceket marrëveshja kolektive, duke mos imponuar detyrime ligjore për zbatimin e saj nga ana e ndërmarrjeve që operojnë në Kosovë. Neni 90, pika 5 e Ligjit të Punës e thotë qartazi, që Marrëveshja Kolektive vlen për ata punëdhënës dhe punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet e përcaktuara me Marrëveshjen Kolektive, duke e bërë të qartë që diskrecioni për zbatimin ose jo i një marrëveshjeje të tillë është çështje e vullnetit të lirë të punëdhënësve dhe punëmarrësve”, thuhet në qëndrimin e OEAK-së, dhënë në muajin prill 2016.

Më tej, OEAK thotë se edhe Neni 4 i Ligjit të Punës, parasheh që dispozitat e Kontratës Kolektive, Aktit të Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratës së Punës duhet të jenë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, derisa në situatën momentale, obligimi për zbatimin e kontratës kolektive, nuk buron si detyrim ligjor.

Oda Amerikane poashtu rikonfirmon qëndrimin e saj se asnjë organizatë, ose palë nënshkruese e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, nuk mund të hyjë në marrëveshje detyrimore me efekte juridike për palët e treta pa marrë aprovimin paraprak të tyre. Në këtë kontekst, sipas tyre, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e nënshkruar në vitin 2014 nuk duhet të jetë bazë e përndjekjes ose e ndëshkimit të kompanive të sektorit privat, të cilat nuk kanë dhënë miratimin e tyre për një marrëveshje të tillë.

“Për të shmangur çfarëdo paqartësie ose interpretime kontradiktore, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të dalë me opinion zyrtar dhe të sqarojë bazën ligjore të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, duke qënë institucion përgjegjës për mbikëqyrjen dhe interpretimin e dispozitave të Ligjit të Punës”, thuhet në qëndrimin zyrtar të OEAK-së.

Në një situatë të tillë, shihet si domosdoshmëri që një institucion i pavarur të japë një interpretim ligjor të Marrëveshjes Kolektive. Pyetja e parë për të cilë përgjigjet ky institucion apo kompani e pavarur ligjore është nëse një palë nënshkruese e marrëveshjes kolektive, pas më shumë se dy vite negociata dhe dakordime për secilin nen, ka të drejtë ligjore që të tërhiqet nga nënshkrimi. Nëse ka të drejtë të tërhiqet nga nënshkrimi, atëherë cilat janë pasojat që bart ajo palë që tërhiqet?

Dilema e dytë për të cilën duhet të japë sqarim ky institucion i pavarur është nëse Oda Ekonomike e Kosovës ka të drejtë ligjore që t’i përfaqësojë punëdhënësit në KES apo me rastin e negocimit të Marrëveshjes Kolektive, apo nëse duhet të ketë ndonjë organizatë tjetër.

Dilema tjetër është nëse ka mospërputhje në mes të Ligjit të Punës dhe Marrëveshjes Kolektive. Dhe nëse këto përputhje janë të lejuara, bazuara në ligj apo praktikat e shteteve tjera. Fundja, cila do të ishte logjika e negocimit dy vjeçare të një marrëveshjeje nëse ajo nuk garanton asnjë të drejtë shtesë për punëtorët përtej Ligjit të Punës.

Dilema tjetër që duhet të qartësohet është nëse një marrëveshje kolektive është e obligueshme të zbatohet edhe nga bizneset individuale, apo nëse kjo marrëveshje që nënshkruhet në nivel qendror i obligon të gjitha bizneset/sektorët të nënshkruajnë marrëveshje të veçantë sektoriale, të cilat derivojnë nga marrëveshja kryesore kolektive.

Kur trupi i pavarur ligjor t’i japë një përgjigje këtyre dilemave do të mund të kemi një debat të mirëfilltë për marrëveshjen kolektive. Por, me këtë ritëm, trajtimi i këtyre çështjeve duket se nuk do të shohi dritën edhe për një shekull, pasi asnjëra nga palët nuk po tenton të zgjidhë lëmshin e krijuar me Marrëveshjen Kolektive.

Ndërkohë, punëtorët kanë nevojë dhe duhet të drejtë të dinë gjithçka rreth kësaj marrëveshje, ashtu siç kanë nevojë të dinë edhe bizneset.

Qartësimi i pozicionit dhe statusit të Marrëveshjes Kolektive duhet të adresojë:

  1. Qartësimin e të drejtave të punëtorëve
  2. Qartësimin e obligimeve të punëdhënësve, pasi aktualisht inspektorët mund të bëjnë zbatim selektiv të kësaj marrëveshjeje duke gjobitur ndonjë punëdhënës në emër të saj, por duke mos e vënë në zbatim tek ndonjë biznes tjetër

Gjithashtu, qartësimi do të parandalojë që Gjykatat të mbushën me lëndë e ankesa që burojnë nga (mos)zbatimi i Marrëveshjes Kolektive.

Visar Prebeza
Prishtinë, prill 2016