Bizneset: punësim testues për 600 punëkërkues

Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale ka iniciuar projektin e trajnimit në punë me qëllim të krijimit të mundësive të reja të punësimit për punëkërkuesit dhe të papunët e rinj. Projekti është jetësuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike Amerikane. Marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për projektin e trajnimit në punë është nënshkruar në fund të muajit prill në Prishtinë. Sipas saj, 600 punëkërkues do të punojnë nëpër biznese për tre muaj me një kompensim prej 150 eurosh në muaj. Dy muaj do të paguhen nga Ministria e Punës dhe paga e tretë do të mbulohet nga biznesi, si garanci që ai ka nevojë për punëtorë.

Arban Abrashi, Ministër i Punës dhe i Mirëqënies Sociale, pret që mbi 40 për qind e personave që do të përfshihen në këtë skemë trajnimi do të mbesin në punë në ato biznese ku ata do të punojnë. Sic ka raportuar gazeta Koha Ditore, të drejtë përfitimi nga ky projekt kanë të gjitha bizneset dhe të gjithë punëkërkuesit.

Marrëveshja parasheh që punëkërkuesit fillimisht të regjistrohen në Zyrën e Punësimit të ministrisë si punëkërkues e pastaj të aplikojnë që të jenë pjesë të këtij projekti. Përveç rritjes së punësimit, ky projekt ka për synim funksionalizimin e mëtejshëm të Zyrave të Punësimit.

“Kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë që të marrin një praktikë pune dhe, varësisht nga suksesi që tregojnë, si dhe nga investimet e kompanive, të mbesin në punë apo të fitojnë edhe kontrata”, ka shtuar ministri Abrashi.

Projekti është ideuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale me qëllim të rritjes së bashkëpunimin mes punëdhënësve dhe punëmarrëseve. Ministri Abrashi tha se në të kaluarën është parë një mungesë e komunikimit në mes të këtyre dy grupeve, pasi bizneset nuk kanë mundur të gjejnë punëtorët adekuat e punëkërkuesit nuk kanë mundur të gjejnë një vend pune.

Projekti ka një kosto prej 270 mijë eurosh, nga të cilat 180 mijë euro rëndëjnoë mbi ministrinë, ndërsa 90 mijë për bizneset. Abrashi ka shtuar se kjo kosto është e përballueshme për ministrinë dhe nëse projekti rezulton i suksesshëm, atëherë do të zgjerohet me 2 mijë punëkërkues.

Ministri i Punës është i vetëdijshëm se projekte të tilla mund të keqpërdoren nga bizneset, të cilat kanë punëtorë të padeklaruar dhe e shfrytëzojnë këtë projekt për të përfituar pagesën nga ministria dhe për legalizim të punëtorëve. Por Abrashi thotë se do të kujdesen që nga ky projekt të përfitojnë bizneset që kanë nevojë për punëtorë dhe punëkërkuesit.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për këtë projekt, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se projekti do të ndihmojë ata që nuk kanë përvojë të bëjnë punën për të cilën kanë nevojë bizneset tona. Ai e konsideroi se ky projekt është i domosdoshëm për të zbutur mospërputhjen mes sistemit të arsimit të mesëm dhe atij të lartë me nevojat e bizneseve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se nënshkrimi i marrëveshjes shënon një ditë të rëndësisë së veçantë. “Po dëshmohet se prioritet i prioriteteve duhet të jetë zhvillimi ekonomik dhe përmes zhvillimit ekonomik të kemi stabilitet social. Ky hap i Ministrisë së Punës është edhe një mbështetje që barra e punësimit të mbartet edhe nga institucionet, që sektori privat të jetë ai që do të investojë në edukim, do të ketë një mundësi të selektimit, të motivimit të të rinjve për punë dhe të transferit të përvojave dhe dijenisë së tyre”, tha Gërxhaliu. Ai po ashtu theksoi se vetë fakti që 2/3 e kostos mbulohen nga institucionet vendore është një dëshmi se papunësisë i është shpallur luftë e përbashkët.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, vlerësoi lartë rëndësinë e kësaj iniciative. “E para sepse bizneset gjithmonë ankohen për fuqinë punëtore dhe për shkathtësitë e disponueshme në tregun e punës të Republikës së Kosovës. Kjo është një mundësi e mirë që bizneset, përmes marrjes së praktikantëve dhe përmes këtij procesi trajnimi, t’u mundësojnë atyre një përvojë të mirë të punës praktike dhe t’ua mësojnë shkathtësitë për të cilat vetë bizneset kanë nevojë. Arsyeja e dytë është se për praktikantët, apo studentët e rinj, të cilëve shpesh u mungon përvoja dhe kanë vështirësi në sigurimin e vendeve të punës, kjo është mundësi e mirë që ata të krijojnë një përvojë profesionale në çfarëdo organizate”, tha Zeka.

Periudha e punësimit të 600 punëkërkueseve do të nisë më 1 qershor dhe do të mbyllet me datën 30 gusht.

Visar Prebeza
Prishtinë, maj 2016