Studentët po braktisin Kosovën për shkak të papunësisë

Studentët kosovarë po lënë në gjysmë studimet dhe po braktisin vendin. Papunësia që ka prekur familjet e tyre dhe dëshmia se të diplomuar nuk po gjejnë punë, ka shtyrë studentët e vitit të parë dhe të dytë të fakulteteve që të mos përfundojnë studimet të marrin një vizë e të ikin nga vendi.

Një agjenci turistike na thotë se deri në 25 studentë në ditë i drejtohen zyrave të tyre. Nëpërmjet agjencive të tilla këta studentë kërkojnë të caktojnë terminë për viza turistike, viza pune, apo viza studimore... Studentët vetë thonë se duan të largohen e mos kthehen më.

M.SH., student në vitin e dytë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, thotë se nuk kryhen studimet me 150 euro. “Familja ime nuk ka të ardhura të mbulojë studimet e mia; ajo mezi ia del të mbijetojë vetë. Unë fillova punën para dy viteve në një gjelltore këtu në Prishtinë ku paguhem jo më shumë se 150 euro. Këto nuk më mjaftojnë të kaloj muajin në Prishtinë ku qëndroj gjatë studimeve”, thotë ai, duke rrëfyer sesi përveç parave i mungon dhe koha për lexim për shkak orarit të gjatë të punës. Shprehet i bindur se po ju dha mundësia për të ikur jashtë shtetit do ta bëjë këtë menjëherë.

Roland Sylejmani, përfaqësues i Grupit të Pavarur të Studentëve, tregon se vala e ikjeve masive të të rinjve ka nisur dy vite me parë. Për fat të keq, statistikat e ikjes së studentëve mungojnë. Sipas tij, askush nuk është i interesuar të dijë sesa studentë po braktisin vendin. “Marrë parasysh kontaktet në vazhdimësi me studentë, kam vënë re se ka një numër të madh prej tyre që përfitojnë nga mundësitë e bursave, që ofrojnë programe të ndryshme, për të ikur jashtë e bërë studimet atje”. Tjetër formë e ikjeve jashtë vendit për të studiuar janë edhe mundësitë vetanake, ndonëse në raste më të rralla.

“Shkak i largimit janë kryesisht kushtet ekonomike, pasiguria që ofron vendi ynë, dëshpërimi se pasi të mbarosh universitetin nuk do të këtë shpresë që të kesh një punë të sigurt e të dinjitetshme nën petkun e profesionit për të cilin je diplomuar, maksimumi do të përfundosh duke punuar si kamerier ose ndonjë call center. Studentët seriozë dekurajohen dhe mundësinë e parë që kanë për të ikur jashtë shtetit ata e shfrytëzojnë jo vetëm për të vazhduar studimet, por edhe për të punuar”, thotë Sylejmani. 

Flamur Pireva nga Lëvizja studentore për barazi “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV) thotë se ikjet masive të qytetarëve jashtë vendit kanë prekur kryesisht të rinjtë. “Entuziazmi i madh i të rinjve tanë për të punuar dhe zhvilluar vendin është zbehur nga paaftësia e qeverive të njëpasnjëshme, të cilat, të zhytura në krim dhe korrupsion, e kanë pamundësuar një veprim të tillë. Ky degradim është ndihmuar veçanërisht edhe me privatizimin e ndërmarrjeve publike e fabrikave, të cilat sollën përjashtimin e shumë punëtorëve nga vend i tyre i punës”. Pireva thotë se ekonomia në Kosovë nuk është e bazuar në prodhimin vendor e as në investimet e huaja, të cilat sipas tij do të gjeneronin vende të reja pune. “Pjesa dërmuese e të hyrave në vendin tonë vjen si rezultat i remitancave nga diaspora, dhe kjo patjetër që përbën joshjen më të madhe të qytetarëve në përgjithësi, e në veçanti studentëve, të cilët, përkundër studimeve e diplomave, ballafaqohen me vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike”. Pireva thotë se kur kemi universitete pa fabrika, e para merr rolin e të dytës: universitetet prodhojnë diploma sikur të ishin fabrika. “Kjo është arsyeja pse kemi inflacion të diplomave, gjë që e shndërron diplomën në ngushëllim për papunësinë. Universitetet në Republikën e Kosovës janë të mbipopulluara, kjo si pasojë e planit të qeverive për të ‘fshehur’ numrin potencial të papunësisë, sepse, siç dihet, studenti është kategori e cila nuk mban statusin e të papunit”.
Universiteti kështu është shndërruar në një ambient të dobët socio-kulturor dhe fare pak akademik e shkencor. “Pa prodhim nuk ka zhvillim. Pa zhvillim nuk ka punësim. Papunësia sjell varfërinë. Në vendin tonë mbi 18% e popullsisë janë të varfër që jetojnë me më pak se 0.72 euro në ditë. Studentët duan perspektivën në punësim, prandaj ata po zgjedhin një tjetër vend, ku nuk u mungon perspektiva për të ardhmen”, thotë Pireva. 

Dashnim Ismajli ka studiuar në Universitetin e Fribourgut në Zvicër. Magjistraturën e ka kryer në Vjenë të Austrisë, ndërsa doktoraturën në Leipzig të Gjermanisë për shkenca politike dhe histori. Është në proces të përfundimit të doktoraturës së dytë në fushën e politikës, në Giessen të Gjermanisë. Ismajli është ligjërues në Leipzig, dhe autor i hulumtimit “Migrimi dhe mobiliteti i studentëve kosovarë në vendet evropiane”. Ai pohon se nuk ka pasur vullnet nga institucionet shtetërore për të përkrahur të diplomuarit jashtë vendit apo për t’i rekrutuar në strukturat vendimmarrëse në Kosovë.

Ai thotë se numri i studentëve kosovarë që po shprehin vullnetin dhe interesin për të studiuar në Universitetet e ndryshme të Evropës është gjithnjë e në rritje. Hulumtimi “Migrimi dhe mobiliteti i studentëve shqiptarë”, i realizuar në 2010-2011 nga vetë Ismajli, ku janë anketuar gjithsej 714 studentë shqiptarë, që studiojnë në vende të ndryshme në Evropë, tregon se 26% e të anketuarve nuk kanë treguar interesim të kthehen në vendet e tyre pas diplomimit. Mbi 46% e studentëve nuk janë ende të sigurtë nëse do të kthehen apo jo; rreth 10% dëshirojnë të kthehen; ndërsa rreth 18% e studentëve kanë shprehur dëshirën të jetonin ndërmjet vendit nga kanë ardhur dhe vendit ku studiojnë.  

Ismajli thotë mungesa e kushteve për studime, e infrastrukturës, literaturës, stafi i dobët akademik, ka ndikuar që të bjerë interesi e përkushtimi i studentëve për të studiuar në Kosovë. “Devaluimi i arsimit, si një ndër shtyllat kryesore të shtetit, është shkak kryesor i rënies si interesit dhe vullnetit nga studentët për të studiuar në institucionet universitare” thotë Ismajli. Ai shton se Kosova po përjeton tashmë një Brain–Drain (ikje truri), për arsye të mos ofrimit të perspektivës nga ana institucionale. Studentët që arrijnë të ikin preferojnë të mos kthehen në vendin e origjinës, por të integrohen në vend që i ka mirë pritur.

Anita Kadriu
Prishtinë, maj 2016