1 Maji - festa e punëtorëve të papunë në vendin tonë

 

Edhe maji i këtij viti, dita e parë e së cilit shënon Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, i gjen Kosovarët me probleme të mëdha sa i përket të drejtave, sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës. Vendi ynë vazhdon të shënojë nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë. Ndërkaq, trendet aktuale nuk japin indikacione se gjërat do të ndryshojnë në një të ardhme të afërt. Niveli i lartë i papunësisë është një ndër faktorët që e bëjnë më pak të rëndësishme ditën e 1 majit për Kosovarët.

Përveç përqindjes së lartë të të papunëve, që shkon rreth 35.3 %, edhe ata që kanë fatin të punojnë ballafaqohen me probleme të mëdha në vendet e tyre të punës, me theks të veçantë tek të punësuarit në sektorin privat. Vetëm gjatë vitit 2015 raportohet se 9 persona kanë humbur jetën, ndërsa 45 punëtorë janë lënduar si pasojë e aksidenteve në vendin e punës prej kushteve jo të mira.

Gjetjet nga hulumtimi i zhvilluar nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet për punën dhe punësimin në Kosovë japin indikacione për gjendjen shumë shqetësuese në terren. Rreth 30% e të intervistuarave të cilët janë të punësuar kanë pohuar të jenë marrë në punë në mënyrë jo-formale (pa kontratë pune). Në mungesë të dokumentit bazë që rregulloon marrëdhënien e punës dhe të drejtat e palëve nënshkruese, të punësuarit nuk mund të realizojnë asnjë të drejtë nga punëdhënësit. Kjo nënkupton gjithashtu se këtyre të punësuarve nuk u paguhen as kontributet pensionale, pra punëdhënësit kryejnë evazion fiskal.

Edhe në rastet kur të punësuarit kanë kontrata pune, realizimi i të drejtave të garantuara me to është i vëshirë në praktikë. Procedimi i ngadalshëm nga sistemi gjyqësor i rasteve që kanë të bëjnë me shkelje të të drejtave të punës është faktor shumë dekurajues për ndjekjen e rrugëve ligjore për zgjidhjen e kontesteve të punës.

Një prej shkeljeve më të shpeshta të të drejtave të punëtorëve në sektorin privat ka të bëjë me oraret e punës dhe ditët e pushimit. Edhe pse Ligji i Punës garanton javën e punës prej dyzet orëve, në praktikë shumë kompani obligojnë të punësuarit të punojnë nga gjashtë ditë në javë (dyzet e tetë orë pune) pa kompenzim shtesë siç e parasheh ligji. Po kështu, puna gjatë ditëve të festave rrallëherë u kompensohet të punësuarve me pagesë shtesë siç u takon ligjërisht.

Këtë vit Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve nuk gjen më mirë as grate femrat në Kosovë, të cilave ende vuajnë diskriminim të theksuar në tregun e punës, sidomos në sektorin privat. Gjetjet nga hulumtimi i IKS dëshmojnë se punësimi në Kosovë është në favor të meshkujve, që përveç që shfaqin prezencë më të madhe në fuqinë punëtore aktive, janë gjithashtu të prirur të kenë siguri më të lartë në vendin e punës, duke dominuar pozitat afatgjata të punësimit.

Një arsye tjetër e pakënaqësisë tek punëtorët e papunë kosovarë do të duhej të ishte edhe humbja e besimit tek institucioni i konkursit publik. Të dhënat nga terreni tregojnë për një mungesë të theksuar të interesit dhe humbje të plotë të besimit tek të papunët për të përdorur kanalet formale të aplikimit për punë.

Njohjet dhe rrjeti personal i kontakteve besohet të jenë atributet më të rëndësishme dhe parakushte të përgjithshme për të fituar një punë në Kosovë, qoftë në sektorin privat apo atë publik. Ky perceptim është shumë i dëmshëm pasi rrit pasivitetin në tregun e punës. Ndërkohë, vetëm 2.9% e të punësuarve të anketuar nga IKS kanë thënë se punën e kanë gjetur nëpërmjet miqve dhe të afërmve.

Këto dhe shumë arsye të tjera valide bëjnë që punëtorët kosovarë të protestojnë në ditën e 1 Majit 2016. Të gjithë të papunët dhe të gjithë ata që janë të punësuar, por që ballafaqohen me probleme të shumta në vendin e punës, duke u nisur nga siguria në punë e deri tek shkeljet e përditshme, në vend se të festojnë papunësinë dhe shkeljet e ligjit duhet të ngrejnë zërin e tyre dhe të punojnë për realizimin e të drejtave të tyre, jo vetëm për 1 maj por çdo ditë të vitit.