Punësimet sezonale si zgjidhje për disa probleme

Rritja e pamjaftueshme ekonomike e bënë papunësinë problem pa zgjidhje për Kosovën. Ish-menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë ka thënë se me rritjen aktuale ekonomike, Kosovës i duhen edhe 60 vite për të arritur nivelin e vendeve Evropiane. Vetë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Kosovës i duhet një rritje ekonomike prej 10 për qind vetëm për të sistemuar të rinjtë që hyjnë çdo vit në tregun e punës. Llogaritet se çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 25 deri 35 mijë të rinj.

Bazuar në këto deklarata dhe shumë analiza të tjera, është evidente që luftimi i papunësisë është i pamundur për Kosovën në një periudhë afatmesme. Pra, punësimet sezonale janë zgjidhje afat-shkurtëre dhe e domosdoshme për Kosovën. Mundësia për të gjetur vende të lira të punës jashtë Kosovës është shumë më e madhe. Por, edhe punësime sezonale brenda Kosovës janë të mundshme, vetëm se ato duhet të institucionalizohen.

Si të arrihet punësimet sezonale jashtë Kosovës?

Veprimi i parë i institucioneve të Kosovës është identifikimi i vendeve që kanë kërkesa të pambuluara për punë të caktuara. Tashmë dihet se edhe Shqipëria e Mali i Zi kanë nevojë të shtuar për punëtorë në sezonin veror, kryesisht në hoteleri. Pra, Kosova mund të organizojë trajnime të posaçme për kuzhinierë e kamerierë, të cilët mund të gjejnë vende pune deri në 6 muaj në këto vende. Njëjtë duhet të veprohet edhe me vendet tjera.

Pastaj janë fushat si mjekësia dhe tekniket medicinalë, që Kosova ka aftësi për të prodhuar me synim të eksportimit të dijenisë së tyre. Kuptohet që në fazat e mëvonshme këto politika kanë edhe anën e vetë negative për shkak të ikjes së trurit. Por, në këtë fazë, do të ishte shumë më e rrugës të stimulohej kjo ikje e trurit, se sa ata persona të mbeteshin të papunë në Kosovë për një kohë të gjatë dhe të humbin edhe njohurinë e fituar gjatë edukimit. Aktualisht në Kosovë ka shumë persona që janë të papunë për më shumë se 1 vit, gjë që i bën ata të paaftë për t’u angazhuar menjëherë në një vend të ri të punës.

Ajo cfarë mund të bëhet për punësimet sezonale brenda Kosovës është një shembull më i freskët që kanë ndërmarrë dy ministri në Kosovë.

Falë një marrëveshje mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është mundësuar angazhimi sezonal për 620 punëkërkues në Zyrat Komunale të Punësimit, të cilët do të angazhohen për 2 dhe 3 muaj punë në programe për mbrojtje të pyjeve.

Një marrëveshje të tillë të dy ministritë e kanë nënshkruar dhe implementuar edhe vitin e kaluar. Në bazë të kësaj marrëveshje, ata që do të rekrutohen nga Zyrat Komunale të Punësimit, do të angazhohen në dy projekte: Programi “Shuarja e Zjarreve në Pyjet e Kosovës” dhe Programi i Menaxhimit të Qëndrueshëm të Pyjeve, që nënkupton: rrallimet para-tregtare, krasitjen e kulturave pyjore, hapjen e brezave kundër zjarrit, mirëmbajtjen e kulturave pyjore të pyllëzuara vite më parë, si dhe mbrojtjen e tyre dhe në rast nevoje edhe pjesëmarrjen në damkimin e masës drusore. Për programin e parë do të angazhohen 120 punëkërkues për 3 muaj me pagë 250 euro. Ndërkaq për programin e dytë do të angazhohen për 2 muaj 500 punëkërkues me pagë po ashtu 250 euro.

Duke qenë se nuk është hera e parë që nënshkruhet dhe implementohet një marrëveshje e tillë, përparësi në rekrutim do të kenë ata që kanë marrë pjesë në programe të mëhershme, pasi ata kanë përvojën dhe trajnimet e nevojshme nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës.

Ministri Memli Krasniqi tha se një bashkëpunim i tillë ka sjellë rezultate konkrete. “Përveç që kemi siguruar punë sezonale për këta punëkërkues, janë dhënë rezultate të rëndësishme në mbrojtjen dhe shtimin e masës drusore në Kosovë. Viti i kaluar ka qenë viti më stabil sa i përket zjarreve, dhe ky ka qenë rezultat edhe i angazhimit të punëtorëve sezonal krahas mekanizmave të tjerë”, pohoi ai.

Ndërkaq, ministri Arban Abrashi deklaroi se projekte të tilla ndihmojnë punëkërkuesit që të hyjnë në tregun e punës dhe të përfitojnë përvojë pune.

Për këtë marrëveshje të dy ministritë do të ndajnë 340 mijë euro dhe pritet që në ditët në vazhdim të ketë edhe marrëveshje të ngjashme për programet tjera për mbrojtjen e pyjeve.

Nga të dhënat e ministrisë së Financave del niveli i informalitetit në Kosovës është rreth 34 për qind. Por, në ndërtimtari dhe bujqësi niveli i informalitetit është edhe më i lartë. Pra, duke nënshkruar marrëveshje të tilla, Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale do të ketë mundësinë të verifikojë secilin nga të regjistruarit në zyrat e punësimit.

Përveç kësaj, Ministri Abrashi shtoi se ka shumë persona që kanë refuzuar të punojnë edhe pse ata janë në skemat sociale. Sipas tij, shpesh personat që janë duke përfituar nga skemat sociale nuk pranojnë të punësohen në mënyrë që mos të ju ndalet pagesa në emër të socialit. Apo, sipas tij, ata punojnë mirëpo nuk pranojnë që punëdhënësi t’i regjistrojë në mënyrë që mos t’i humbin pagesën që marrin nga shteti. Ai kishte paralajmëruar se do të ndërmerren hapa konkretë që kjo çështje të ndryshojë, duke ju ofruar vende pune të gjithë personave që përfitojnë social e që janë të aftë për punë.

Punësimi i personave që përfitojnë social fillimisht do të ulte koston e pagesës së sigurimeve sociale. Por ç’është më e rëndësishmja: do të ndihmonte shtetin që të rrisë pagesën në emër të socialit apo do të përfshinte persona të rinj që do të përfitonin nga këto skema.

Bazuar në paralajmërimin e ministrive se shpejtë do të ketë marrëveshje të reja për punësime të ngjashme, mund të paramendojmë se punësimet e ardhshme do të jenë në fushën e bujqësisë. Nëse qeveria e Kosovës shpërndan grante për kultura të ndryshme bujqësore, atëherë mund të ketë edhe marrëveshje me bizneset që punëtorët e nevojshëm t’i rekrutojnë përmes ministrisë.

Kjo do të bënte që të rinjtë të kenë mundësi të punojnë në këtë sektor. Përveç përftimit të pagës dhe një vendi pune, ata mund të përfitojnë edhe përvojën për të punuar në kultura të caktuara. Marrë parasysh se në Kosovë pjesa më e madhe e familjeve kanë në pronësi sipërfaqe të ndryshme tokësore, atëherë mund të pritet që në të ardhmen këta të rinj të nisin biznesin pikërisht në kultivimin e këtyre kulturave bujqësore.

Merita Berisha
Prishtinë, prill 2016