Të drejtat e punëtorëve vendosen nga pronarët e bizneseve, jo nga Ligji i Punës

Aktet legjislative që rregullojnë të drejtat e punës në Kosovë janë të bollshmë, mirëpo për fat të keq, në praktikë të drejtat e punëtorëve ende nuk vendos Ligji i Punës, por pronarët e bizneseve. Ligji i Punës rregullon në tërësi marrëdhëniet punëdhënës-punëtor, mirëpo në shumicën e rasteve, ai ligj harrohet në sirtar ose në arkivat elektronikë.

Kjo ndodh sa për fajin e përfaqësuesve institucionalë të thirrur për të vënë në funksion ligjet e aplikueshme në Kosovë (inspektorëve), po aq edhe për fajin e shurdhimit të zërit të qytetarëve. Faktori ndoshta më i dhimbshëm që ndikon në këtë situatë është gjëndja e rëndë socio-ekonomike.

Ky i fundit është vështirë të injorohet, pasi në rrethana kur familjet kanë vetëm një burim të ardhurash, një nga anëtarët e tyre detyrohet të sakrifikohet deri në skllavëri, vetëm e vetëm që familjarët të mbijetojnë.

Në Kosovë, papunësia vazhdon të jetë më e larta në Evropë. Ndërkaq, zhvillimet aktuale nuk japin shpresë se gjërat do të ndryshojnë shpejt.

Vazhdimit të kësaj gjendjeje negative shoqërore, natyrisht që i kontribuon shumë edhe mungesa e debateve të hapura dhe të ‘pamëshirshme’ me pronarët e kompanive të ndryshme, në veçanti atyre private, të cilët të drejtën e punës së punëtorëve të tyre, nuk e shohin si pjesë ligjore të Kosovës, por si pronë të tyre.

Në esencë, fajtori kryesor për këtë del të jetë strukturimi i dobët institucional, përfshirë këtu mungesën e kontrolleve të vazhdueshme të inspektorëve të punës.

Këtë fakt e tregojnë edhe shumë punëtorë që punojnë në kompani të ndryshme të vendit. Gjatë kontaktit me 20 punëtorë nëpër 9 kompani, kryesisht ushqimore, të tekstilit, të hotelierisë e gastronomisë, në datat 27 dhe 28 mars 2016, vetëm një punëtor pohoi se është pyetur njëherë nga një inspektor për ditët e tij të pushimit, orarin e punës, orët shtesë në punë etj. 

“Shpesh ndodh që qytetarët më pyesin se sa kohë punoj, sa e rëndë është puna ime, sa ditë pushimi kam, ose se në ç’mënyrë e marr pagën, por nuk më ka ndodhur asnjëherë që brenda 5 vjetëve të punës këtu të më kontaktojë ndonjë inspektor”, na thotë F.M., teksa të dielën në mbrëmje po vendoste mallrat në rafte në një kompani private në periferi të Prishtinës. Ajo sqaronte se nuk ka pushuar as një ditë më parë, të shtunën, pavarësisht që sipas Ligjit të Punës, pushimi javor është 2-ditor.

“Po ta them shumë hapur dhe sinqerisht, vetëm dy ditë pushim kam në muaj. Çdo dy javë na lejohet një e djelë pushim”, tha një kamarier prishtinas, F.H. Madje, koha ditore e punës për të është 12 orë dhe jo 8, sa është e definuar me Ligjin e Punës. 

“Ja nis në 08:00 dhe shpesh e përfundoj në 22:00”, shton ai. Edhe ky si shumica absolute e të anketuarve nuk ka takuar asnjëherë ndonjë inspektor të punës, edhe pse punon në vendin e tij të punës prej tri vjetëve.

S.B. nga një paralagje e kryeqytetit , nënë e dy fëmijëve dhe mbajtëse e familjes, thekson se edhe ajo, përkundër faktit që ka dy vjet që punon, nuk ka takuar asnjëherë ndonjë inspektor. Ajo është punëtore e një restoranti, për një pagë mujore 250 euro, të cilat i merr të gatshme në fund të çdo muaji. Edhe rasti i saj nuk bën përjashtim: nuk ka orar të caktuar të punës dhe as ditë të caktuar të pushimit javor.

“Pushoj në ndonjë ditë kur shefi e sheh të udhës që të jetë ditë e lirë”, rrëfen ajo. Gjithashtu na tregoi se në pjesën më të madhe të javës orari i saj i punës është nga ora 11:00 deri në 23:30. “Punojmë për aq kohë sa konstatohet se nuk ka më myshterinj. Kjo lidhet disi me oraret e përcaktuara nga komuna për mbylljen e të gjitha lokaleve afariste”, ka saktësuar ajo, duke e pasur plotësisht të qartë se marrja e pagës me para të gatshme në dorë e përjashton atë nga pagesa e kontributeve, të cilat më vonë do t’i shndërroheshin në siguri jetese (përvoja e punës, pagesa e pensionit etj.). S.B. jeton me frikën se kur t’i teket pronarit e largon nga puna. “Kur nuk ke asgjë të shkruar, natyrisht që edhe nëse të heq nga puna shefi, nuk ke se ku ankohesh”, nënvizon ajo. Ajo pohon se do të punonte diku edhe për 200 euro, vetëm e vetëm që të ishte e sigurt se nuk do ta largonin nga puna dhe që do t’i regjistrohej diku përvoja e punës.

Në raport me rastet e tjera të trajtuara në këtë shkrim, S.H. është në një marrëdhënie më ndryshe të punës. Ajo përkujdeset për fëmijën e vegjël të tyre në një familje ku familjarët e tjerë punojë. Edhe S.H. e merr pagën mujore me para të gatshme. Paguhet 180 euro. Përparësi e saj është se në shumicën e vitit, ajo është e lirë të shtunave dhe të dielave. Problemet e tjera i ka të ngjashme, sepse nuk paguan kontribute, nuk paguan në Trust pensioni, që do t’i shërbente për të ardhmen e saj, si dhe nuk ka aspak siguri për jetëgjatësinë e punës.

Janë pikërisht këto elemente që e bëjnë të domosdoshëm vazhdimin e përpjekjeve të të gjithëve, sidomos të shoqërisë civile, që të iniciojë më shumë debate, më shumë kontroll nga inspektorët e punës. Krejt kjo, në mënyrë që e drejta e punëtorëve të mos jetë në duar të pronarëve të kompanive të ndryshme, por nën mbikëqyrje ligjore.

Emine Klaiqi
Prishtinë, mars 2016