Procesi i ndryshimit të Ligjit të Punës - Qeveria synon të shkurtojë pushimin e lehonisë në 9 muaj

Debati për pushimin e lehonisë është rikthyer edhe këtë vit. Qeveria e Kosovës ka në planin legjislativ të këtij viti ndryshimin e Ligjit të Punës. Një prej neneve që pritet të ndryshohet është neni 49, i cili përcakton pushimin e lehonisë.

Neni 49 i Ligjit aktual thotë: “Gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë. Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim50% të pagës mesatare në Kosovë. Femra e punësuar ka të drejtë me këtë ligj që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre (3) muaj të tjera pa pagesë”. Ligji i Punës mundëson që gjashtëmujorin e dytë të pushimit të lehonisë prej 12 muajve mund ta marrë edhe babai.

Por, kjo tashmë do të ndryshojë. Për këtë është arritur një konsensus mes të partnereve social. Qeveria e Kosovës dhe punëdhënësit po synojnë ta shkurtojnë pushimin e lehonisë në vetëm nëntë muaj nga 12.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se është arritur pajtueshmëri për një shkurtim të pushimit të lehonisë dhe ndryshim të formatit të pagesës për lehonat. Është rënë dakort që pagesa të bëhet 4.5 muaj nga qeveria dhe 4.5 muaj nga punëdhënësi privat (për punëtoret e këtij sektori). Aktualisht gjashtë muaj është i obliguar të bëjë kompensimin punëdhënësi me 70 për qind të pagës, ndërsa qeveria bën pagesën e 3 muajve me kompensim 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë. Në formatin e vjetër, obligimi financiar i qeverisë është dukshëm më i vogël krahasuar me punëdhënësin.

Në një tryezë për reformën e Ligjit të Punës në Kosovë, organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së së bashku me projektin “Përkrahje Partnerëve Social” të udhëhequr nga IKS, Ministri i Punës deklaroi se ky ndryshim i Ligjit të Punës është rezultat i një analize të bërë nga Banka Botërore.

“Me marrjen e detyrës janë ballafaquar me temën e nivelit të punësimit të grave në shoqëri. Hulumtimet tregojnë se niveli i punësimit të grave në Kosovë është shumë i vogël. Kjo do të ndryshojë”, tha Abrashi. “Shumë shpesh është bërë një lidhje mes pushimit të lehonisë dhe nivelit të punësimit, prandaj kemi kërkuar një hulumtim nga Banka Botërore për të rishikuar pushimin e lehonisë.”

Kjo analizë sipas tij konstaton se niveli i punësimit të grave është dukshëm më i vogël edhe për shkak të pushimit të lehonisë. Është sektori privat ai që po ngurron të punësojë vajzat dhe gratë e pamartuara apo që potencialisht mund të mbesin shtatëzëna e të kërkojnë pushimin e lehonisë. Formati i tashëm i pushimit të lehonisë është kosto e papërballueshme për shumë biznese, të cilat në masë të madhe janë mikro-biznese që punësojnë deri në 3 punëtorë.

“Gratë në sektorin publik patjetër që e mirëpresin një pushim më të gjatë të lehonisë, por është sektori privat ai që dëmtohet. Bisedat dhe hulumtimet tregojnë që sektori privat realisht heziton të pranojë në punë gra të cilat janë të pamartuara ose janë në prag të lindjes. Zgjatja e pushimit të lehonisë në 12 muaj ka pasur një efekt negativ në nivelin e punësimit të grave dhe ne dëshirojmë që të ndalim këtë trend, në mënyrë që t’ju ofrojmë sa më shumë mundësi punësimi grave”, vijoi Abrashi. Abrashi pranoi se ndryshimi i këtij neni është i ndjeshëm, por po bëhet me qëllim të nxitjes së punësimit dhe nuk ka të bëjë me koston financiare.

“Nëse ne mendojmë që sektori privat do të jetë gjenerues i vendeve të reja të punës, atëherë duhet të merret parasysh edhe pikëpamja e tyre. E pikëpamja e tyre, edhe pse nuk e thonë haptas, është se një numër i madh i grave refuzohen në punësim për shkak të çështjes së lehonisë”, ka thënë ai.

Ligji i punës së shpejti do të dalë në diskutim publik dhe pritet të marrë përkrahjen edhe të grupeve të tjera të interesit, duke përfshirë edhe deputetet. “Besoj që deri në muajin shtator mund të kalojë ky ndryshim i Ligjit të Punës”, pohoi Abrashi.

Por, ka qenë Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së, i cili ka shprehur skepticizëm se një ndryshim i tillë do të mund të kalojë në Kuvend. Ai tha se BSPK-ja e përkrah ndryshimin e burimit të kompensimit të lehonave, pasi për të janë dakorduar bizneset, mirëpo nuk pajtohet me uljen e pushimit të lehonisë nga 12 në 9 muaj. Sipas tij, një ndryshim i tillë është i papranueshëm për sindikatat.

“Ne jemi dakorduar në KES dhe kemi një konsensus për pagesën 4.5 dhe 4.5 muaj nga punëdhënësit dhe qeveria. Mirëpo, kërkesa që mbetet e BSPK-së është që për lehonat të mbetet pushimi në nivel prej 12 muaj, pra të jenë edhe 3 muaj pa pagesë. Ne nuk do të heqim dorë nga ky qëndrim dhe nuk e di se si do ta kaloni këtë ndryshim në parlament”, ka thënë Arifi.

Themelet e Ligjit të Punës janë vënë në kohën e UNMIK-ut përmes një rregulloreje.  Në atë kohë, pushimi i lehonisë ishte përcaktuar në nivel prej gjashtë muajve. Atë e kanë respektuar vetëm institucionet publike, pasi në sektorin privat asnjëherë nuk ka pasur mbikëqyrje të zbatimit të kësaj dispozite. Ishte bërë e domosdoshme që pushimi i lehonisë të  zgjatej, pasi gjashtë muaj nuk përkonin as me kohën kur një fëmijë mund të pranohet në çerdhe publike – caktuar në moshën 1 vjeçare.

Megjithatë, përkundër kësaj, ndryshimi pushimit të lehonisë ishte i vështirë dhe për të u bë një debat i gjerë dhe shumë kundërthënës. Normalisht që kundërshtues kanë qënë Asociacionet e Bizneseve. Më e zëshme prej tyre u tregua Shoqata e Bankave, kryesisht për shkak të numrit të madh të grave të punësuara në sistemin bankar.

Pushimi  i lehonisë është njëri prej instrumenteve që përdorin shtetet për të shtyrë politikat e tyre të ndryshme. Përmes këtij pushimi, shtetet perëndimore stimulojnë natalitetin, sidomos  vendet që hasin në plakje të popullsisë.  Shtetet e ndryshme, përveç ofrimit të tri viteve pushim për lehonat, ju njohin për këtë periudhë dyfishin e viteve (gjashtë vite) si përvojë pune në kohën e pensionimit. Ndërsa, Kosova aktualisht ka telashe të mëdha me nivelin e lartë të papunësisë dhe varfërisë që do të obligojnë qeverinë të gjejë një balancë mes punësimit dhe natalitetit.

 

Merita Berisha
Prishtinë, mars 2016