Në mes të shteti zhvillimor dhe shtetit social – Domosdoshmëria e trajtimit të stazhit të viteve ‘90

Pas suprimimit të Autonomisë së Kosovës, ndërmarrjet u boshatisën nga gjithë punëtorët shqiptarë. Largimi i tyre u bë në mënyrë masive, në kundërshtim me ligjet e aplikueshme të kohës. Mbi 90 për qind e punëtorëve të larguar nga puna nuk arritën më të kthehen në vendet e tyre të punës, duke u detyruar të koncentrohen në bujqësi apo duke emigruar në vendet perëndimore. Këtyre punëtorëve të larguar nga puna në vitet ‘90, Serbia ia mori edhe fondin e pensioneve pas vitit 1999. Pra, përveç vendit të punës dhe pamundësisë së stazhit, ata mbetën edhe pa pensione. Tashmë këta ish-punëtorë kanë mbetur në pozitën më të keqe nga të gjitha shtresat tjera, pasi nuk arrijnë të plotësojnë kushtet ligjore për të marrë një pension kontributdhënës (158-240 Euro), por marrin vetëm një pension të pleqërisë prej 80 eurove.

Aktualisht pensionet kontributdhënëse mund t’i marrin vetëm personat që arrijnë të dëshmojnë që kanë 15 vjet përvojë pune para vitit 1999 dhe pastaj në mënyrë automatike do t’i njihet përvoja shtesë e punës prej 25 vitesh. Pagesa e pensionit kontributdhënës është 158 euro. Kjo shumë merret si bazë fillestare për kalkulimin e kontributeve apo kualifikimeve tjera, pasi pensionet kontributdhënës mund të arrijnë deri në 240 euro.

Njohja eventuale e periudhës 10 vjeçare si stazh pune do të bënte që shumë pensionistë të përfitojnë pensionet kontributdhënëse prej 158 euro dhe jo pensionin bazë prej 80 eurove siç e përfitojnë aktualisht. Ky kalim ka një kosto të lartë, që qeveria e Kosovës thotë se e ka të pamundur ta sigurojë. Njohja e stazhit të punës të të gjithë punëtorëve që janë larguar nga puna në fillim të viteve të 90-ta është kosto e papërballueshme për qeverinë e Kosovës.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, thotë se gjatë vitit do të trajtohet edhe çështja e këtyre punëtorëve. Këshilli Ekonomiko Social dhe kabineti i vetë Ministrit janë të vetme strukturat të nivelit të lartë që kanë trajtuar këtë çështje, e cila duket e vështirë të kalojë në qeveri dhe Kuvend, pikërisht për shkak të kostos së lartë që kanë ato. Sipas Abrashit vetëm kategorizimi i pensionistëve kontributdhënës ka një kosto prej rreth 18 milionë euro.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se qeveria e ka obligim ligjor që t’ja njohë punëtorëve stazhin e punës edhe për vitet e 90-ta, periudhë gjatë së cilës kanë qënë të larguar padrejtësisht nga vendi i tyre i punës.

“Ne e kemi diskutuar këtë temë në KES. Ligji thotë se për ato vite duhet t’i pranohet stazhi sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe të tjerëve. Unë besoj që nuk është një kosto e madhe”, deklaron Arifi.

Ai shtoi se kjo çfarë po ndodh është diskriminim i punëtorëve të larguar nga puna në vitet e 90-ta. “Dihet se kush u ka mbetur borxh këtyre punëtorëve, kur janë larguar me dhunë nga vendet e tyre të punës. Stazhi nga kjo qeveri duhet t’i pranohet pasi nuk është e drejtë që ata të marrin pensionet minimale sic i kanë marr deri më tani”, vijon Arifi.

Ligji Për Skemat Pensionale Të Financuara Nga Shteti e obligon qeverinë e Kosovës që t’ia njohë stazhin e punës vetëm atyre që kanë punuar nëpër institucionet e Kosovës që punonin në mënyrë paralele në vitet e 90-ta.

Me këtë ligj u njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 8, pika e 6 e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për t’ia njohur stazhin vetëm punëtorëve të arsimit që kanë punuar në sistemin paralel të arsimit në vitet e 90-ta. Njohja e stazhit nga ana e qeverisë është bërë vetëm në fillim të vitit 2016, edhe pse në muajin maj të vitit 2014 ishte miratuar Ligjit për Skemat Pensionale, i cili ia njeh stazhin punëtorëve të arsimit.

“Është arritur pajtimi për fillimin e aplikimit për njohjen e stazhit të punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999 për të gjithë punonjësit e arsimit, të cilët kanë punuar në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës në atë periudhë. Aplikimi për këtë të drejtë, të njohur edhe me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, do të fillojë dhe do të njihet menjëherë për të gjithë punonjësit e arsimit në atë periudhë të rëndësishme historike për popullin e Kosovës dhe për arsimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Punëtorët e larguar nga puna në fillim të viteve të 90-ta të cilët nuk arrijnë të dëshmojnë se i kanë 15 vite përvojë pune para viteve të 90-ta nuk arrijnë të marrin pensionin kontributdhënës. Kjo do të thotë se ata e marrin vetëm pensionin bazik të moshës, që është në nivel prej 80 eurove. Ky pension bazë prej 80 eurove  i jepet çdo qytetari mbi moshën 65 vjeçare që është banor i përhershëm i Kosovës, pa asnjë kusht tjetër.

Merita Berisha
Prishtinë, mars 2016