Konkurset “e kapura” edhe në institucione pedagogjike

Kapja e shteti është një koncept i përfolur gjatë në dy-tri vitet e fundit në Kosovë. Ajo evidentohet në shumicën e institucioneve, e fatkeqësisht, edhe në ato që duhet të jenë qendrat e dijes. E kam fjalën për institucionet pedagogjike nga ku do të duhej të luftohej injoranca e të formohej mendimi kritik i brezave të ardhshëm.

Rasti më i fundit është në Institutin Pedagogjik të Kosovës, i cili financohet nga buxheti i Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknolojgisë. Vetë emërtimi Instituti Pedagogjik vë në pah rëndësinë shoqërore të tij. Për fat të keq, ky institut, në vend që të përmbushë misionin e tij, në fakt duket se po shërben vetëm për të rehatuar militantët partiakë dhe interesa të ngushta të individëve të caktuar.

Në fund të 2015, ky institut shpalli konkursin për “Zyrtar të lartë për hulumtim në fushën profesionale”, që u përmbyll në fillim të shkurtit 2016.

G.K. ishte një nga aplikuesit. Ai ka përfunduar magjistraturën, e ka përvojë 18 vjeçare në fushën e medias dhe komukimit. Për më shumë se 10 vjet ka punuar në detyra udhëheqëse. Prej pesë vitesh punon në procesin edukativo-arsimor, 4 prej të cilave si ligjërues në universitet. Është anëtar i Këshillit Ndërakademik për Medie; zotëron dije e shkathtësi për hulumtime. Ai do të ishte një kandidat i shkëlqyer për atë pozitë. Mirëpo, pak ditë para përfundimit të konkursit, ai e ka kuptuar qartë se konkursi ishte hapur për një militant partie.

G.K. tregon se ka aplikuar për atë vend duke dashur të bëjë një ngritje profesionale dhe duke besuar se procesi do të ishte i drejtë dhe meritor.  Por, në fund të procesit, ai ka kuptuar se konkursi ishte i kurdisur.

“Kur dërgova dokumentet, më regjistruan me numër 71. Ishte dita e fundit e konkurrimit”, thotë ai e shton më tej se pas tri ditësh u informua nga Instituti Pedagogjik për zgjatjen e konkursit edhe për 5 ditë. Sipas tij, kjo zgjatje afati nuk është bërë për shkak të mungesës së konkurrentëve, gjë që mund të vërtetohet shumë lehtë, por për t’u hedhur hi syve aplikuesve të ndershëm. G.K. tregon se pas rreth një muaji, më 19 janar 2016, është lajmëruar me telefon se ka fituar të drejtën të hyjë në testin me shkrim. Ai tregon se testi u mbajt në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 25 janar.

“Dhe mashtrimi vazhdon. Në komison, për t’u shtirur se është gjithçka në rregull, janë prezantuar edhe dy zyrtarë të Minsitrisë së Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë së Kosovës, njëri prej të cilëve është përplasur rëndë me një aplikues, pasi që i fundit ka deklaruar publikisht se ky konkurs është i kurdisur. Sidoqoftë, kaloi edhe ky intervistim. Më pas, më 1 shkurt, G.K. njoftohet sërish për procesin, i thuhet se e ka kaluar testin me shkrim dhe se mund të shkojë në intervistë me gojë pas dy ditësh.

Intervista u mbajt një ditë të mërkurë, pranë Institutit Pedagogjik. “Shkova në intervistë, ende duke mos i besuar as vetes. Rreth një tavoline të madhe ishin ulur 6 anëtarë të komisonit (edhe ata “ëngjëjt” e MASHT-it). Pesë nga ata më parashtruan nga dy e tri pyetje. Meqë e njihja fushën, sepse isha rropatur gjatë me hulumtime, përgjigjesha pa asnjë telash”, shton ai.

Dy orë më pas, G.K. gjeti një “lidhje” për ta pyetur se si kish dalë në intervistën me gojë. “Kontakti më tregoi se më kishin lavdëruar për përgjigjet e sakta dhe të rrjedhshme. Po ndërkohë edhe më bëri të ditur se i pranuari dihej ende pa u shpallur konkursi, pasi që ‘ai është dërguar nga lart’,” vijoi ai.

Dy ditë pas intervitës u publikua emri i ‘fituesit’. G.K. pohon se nuk është i mërzitur që nuk e ka fituar ai vendin e punës, por ëshë i indinjuar për lojën që bëhet me konkurset.

Fatkeqësisht, ky nuk është rrëfimi i parë i kësaj natyre që përcjellim në këtë forum.  Dhe rastet e ngjashme sa vijnë e shtohen. Edhe L.N. kishte konkurruar në konkursin e shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, saktësisht nga Agjencia e Financimit Shëndetësor. Në po atë pozitë ishte rehatuar një militante partiake. “E pranuara ka qenë afër meje në testin me shkrim. Ka ardhur shkurt dhe ka dalë pa e plotësuar testin. Që të dyja jemi thirrur edhe në intervistë me gojë. Më vonë kam mësuar se pikërisht ajo e kishte fituar atë vend pune”, tregon L.N. Ajo është ankuar tek organet e drejtësisë për këtë padrejtësi, por ende s’ka përgjigje.

Po ç‘mund të presim në shtetin e kapur?

Emine Klaiqi
Prishtinë, shkurt 2016