Humbja e jetës në punë nuk dëmshpërblehet

Gjashtëmbëdhjetë punëtorë kosovarë kanë ndërruar jetë në vendet e tyre të punës gjatë dy viteve të fundit. Shtatë kosovarë u varrosën gjatë këtij viti pasi humbën jetën në vend të punës. Përveç kurorave me lule, asnjë kompensim për jetën e humbur nuk i është bërë familjeve të tyre. Kjo madje nuk parashihet as në ligj.

Ndonëse që nga viti 2003, Kosova ka në funksion Ligjin për Siguri Mbrojtje të Shëndetit të Punësuarve dhe Ambientit të Punës [prej 2013, Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë], humbja e jetës në vend të punës është e pashmangshme. “Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë. Ky ligj përmban parimet e përgjithshme për parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut dhe aksidentev, informimit, konsultimit,pjesëmarrjes së balancuar në përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajnimit të të punësuarve, përfaqësuesve të tyre dhe udhëzimeve të përgjithshme për zbatimin e këtyre parimeve”, thuhet në nenin 1, të këtij ligji. Megjithatë, rastet e vdekjes nuk janë shmangur.

Me këtë ligj parashihet që punëtori i lënduar të mbështetet materialisht, siç theksohet dhe në nenin 2 “1.Punëdhënësi është përgjegjës për të krijuar kushtet e punës të sigurta dhe të shëndetshme në të gjitha aspektet e punës. 2.Punëdhënësi është i detyruar që të mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të punësuarit që ka pësuar lëndim në punë apo sëmundje profesionale, nëse nuk i ka siguruar në ndonjë kompani të sigurimeve të të punësuarit në pikëpamje shëndetësore”.

Por, në asnjë nen të këtij ligji nuk flitet për kompensimin e familjeve që humbin anëtarin e tyre, si pasojë e vdekjes në vend të punës. Familjet që kanë humbur anëtarët e tyre në vendet e punës përballen me gjendje të rëndë sociale.

Një rast të tillë na e tregon F.B., e cila jeton në Novosellë. Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë 15 vite më parë dhe ajo po rrit katër fëmijë vetëm me punë dore, pa të ardhura të tjera materiale. F. tregon se kërkesat financiare për të plotësuar nevojat e fëmijëve janë të mëdha, por i vetmi burim të ardhurash është puna e saj e dorës. Situata për të u vështirësua pasi i ndërroi jetë bashkëshorti. “Ai ka punuar në Ekonomi pyjore në Pejë (teknik i pylltarisë). Vdiq në një aksident në bjeshkë, ku kishte shkuar të kontrollonte terrenin; në kthim bëri aksident. Asnjëherë nuk na kanë ndihmuar materialisht institucionet e shtetit, duke qënë se Ekonomia e pyjeve është një institucion publik. Në prisnim që institucionet ta respektonin ligjin”. F. thotë se ka kërkuar kompensim, dhe e ka çuar çështjen në gjykatë në 2001, por rasti i saj vetëm sa është zvarritur.

Miradije Gashi, drejtoreshë ekzekutive e OJQ-së “Venera”, thotë se është në dijeni të shumë rasteve ku nuk ju paguhet dëmshpërblimi familjeve të punëtorëve, që kanë humbur jetën në vendin e punës. “Familjet e tyre vazhdojnë të përballen me probleme ekonomike, si dhe me gjykatat që zvarrisin lëndët e tyre”. Për rastin e F.B., ajo thotë se arsyetimi i dhënë është se ekonomia pyjore po privatizohet, por sipas saj kjo nuk qëndron.

Gashi shton se njësoj po trajtohen dhe raste të tjera. Ajo sqaron se për familjet të cilave anëtari humbet jetën si teknik i pylltarisë, institucioni është i obliguar që t’ju shpërndajë atyre drunjtë që konfiskohen se janë prerë ilegalisht. “Kjo s’ka ndodhur; kësaj familjeje dhe shumë të tjerave nuk ju dhurohen këta drunj siç është e paraparë”, vijon Gashi.

Kryetari i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, thotë se lëndimi i punëtorëve në vend të punës është i rregulluar të kompensohet me ligj, madje për këtë, sipas tij formohet një komision që bën vlerësimin e dëmit që i është shkaktuar punëtorit dhe caktohet shuma e përshtatshme kompensimit.

Për rastet kur punëtori humb jetën në vend të punës, Azemi mendon se duhet të kompensohen. “Këtu duhet të përfshihet dhe shqetësimi i familjes. Kur fëmijët janë të paaftë të punojnë (të vegjël), familja duhet të marrë një mbështetje materiale për një kohë të gjatë”, thotë Azemi teksa i bën thirrje të gjitha familjeve që nuk kanë marrë kompensim që të vijnë dhe të raportojnë rastin te sindikatat, qoftë në sektorin privat apo atë publik.

Inspektorati i Punës së Kosovës bën të ditur se në vitin 2014 në vendin e punës në Kosovë kanë vdekur 9 punëtorë, ndërsa deri në fund të tetorit 2015 në vend të punës kanë vdekur 7 punëtor. “Ligji Nr.04/L-161 për Sigurin dhe Shëndetin në Punë nuk përcakton kurrfarë kompensimi për të punësuarit të cilët humbasin jetën në vendin e punës, rrjedhimisht as për familjet e tyre, por përcakton vetëm kompensimin për shpenzimet e kurimit për punëtorët që lëndohen në vend të punës, saktësisht në paragrafin 2 të nenit 5 të Ligjit”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit. Inspektorati i Punës, si organ mbikqyrës i këtij ligji, bën të ditur se nuk ka kompetencë të kërkojë kompensim për të vdekurit në vend të punës, dhe as nuk ka informata për procedurat e mëtejme në të tilla raste. “Familjaret këtë procedurë për kompensim të dëmshpërblimit mund ta ndjekin në procedurë gjyqësore”, thotë Inspektorati.

Anita Kadriu
Prishtinë, dhjetor 2015