Sindikata e Pallatit të Rinisë shpëton ndërmarrjen nga falimentimi

Vendosmëria e sindikatës së ndërmarrjes shoqërore për rini, kulturë dhe sport, “Pallati i Rinisë”, në Prishtinë, ishte vendimtare që kjo ndërmarrje të mos falimentonte tërësisht. Kjo për faktin se falimentimi i saj nuk nënkuptonte vetëm pushimin nga puna të rreth 130 punëtorëve të administratës së ndërmarrjes, por edhe pushimin e 900 punëtorëve, që në një mënyrë a në një tjetër, marrin paga nga veprimtaria brenda kompleksit të Pallatit.

Këtë e ka pohuar vetë drejtori i ndërmarrjes, Qaush Berisha, i cili mbështeste plotësisht tubimin protestus që sindikalistët organizuan javën e shkuar. “Në rast të mbylljes së Pallatit të Rinisë, do të humbasin vendin e punës 985 veta, që punojnë në sektorë të ndryshëm. Kjo nënkupton se nga këto vende pune mbi 900 familje. Vetëm në administratë dhe mirëmbajtje të ndërmarrjes janë 128 veta”, ka theksuar Berisha.

Sindikalistët, në mënyrë paqësore dhe me trupat e tyre, penguan për më shumë se një orë e gjysmë përmbaruesit privatë, të cilët donin të hapnin ankandin publik të dy bizneseve private, që po menaxhoheshin nga Pallati i Rinisë, “Elida” dhe “Samsonite”, për të vazhduar tutje me shitjen e lokaleve të tjera.

Në fakt, përmbaruesit po kryenin thjesht punën e tyre, pasi që bazoheshin në një Aktgjykim të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, sipas të cilit 11 pronarë të deponive që kishin funksionuar në Pallatin e Rinisë deri në vitin 2000, po u jepej dëmshpërblim në emër të humbjeve që atyre u ishin krijuar nga djegia e një pjese të Pallatit. Dëmshpërblimi i deponive, duke përfshirë edhe kamatat, kapte shumën 3.8 milionë euro, të mjaftueshme për ta hedhur përtokë ndërmarrjen.

Ndërmarrjes, ndërkaq, i ishin bllokuar llogaritë bankare, i ishin marrë rreth 1 milion euro nga përmbaruesit dhe po pritej që të shiteshin lokalet për të larë pjesën e mbetur të dëmshpërblimit (pra edhe 2.8 milionë euro).

Nga ana tjetër, sindikalistët shprehen të bindur se vendimi i Gjykatës Supreme ishte i pabazuar. Kjo sepse, sipas tyre, ai vendim është marrë pa pasur dokumentacion të saktë për mallin që deponitë kishin brenda dhe për prejardhjen e tij. “Në fatkeqësinë që i ka ndodhur Pallatit të Rinisë dhe Sporteve nga zjarri, më 25 shkurt  të viti 2000, sot profiterët kanë gjetur momentin që të fitojnë miliona, në emër të vlerës së mallit të tyre, duke e përcaktuar sipas dëshirës vlerën e mallit”, tha gjatë protestës përfaqësuesi i sindikatës, Enver Musiqi.

Sipas tij, në këtë rast drejtësia e Kosovës ka dështuar plotësisht, duke aluduar për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, si e fundit që e ka vulosur aktgjykimin favorizues për ish-pronarët e deponive. “Edhe drejtësia e Kosovës, pa asnjë kuptim logjik, ka kontribuuar për mbajtjen krah të depoistëve”, shtoi ai, dhe shtroi pyetjen se si është e mundur që në kohën kur Pallati i Rinisë është nën mbikëqyrjen e AKP-së, e cila është e vetmja që ka të drejtë të shesë objektet shoqërore, të dalë dikush tjetër dhe ta tjetërsojë atë.

Për shkak të këtyre dyshimeve dhe si pasojë e pamundësisë për të rikthyer vendimin e Gjykatës, sepse mungonte baza ligjore e ankesës, sindikata ka kërkuar ndihmën e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ata i kanë kërkuar ndihmë AKP-së, Komunës së Prishtinës, Kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Presidencës etj.

Sindikalistët, ashtu sikur edhe drejtori i Pallatit të Rinisë, pohuan se ndërmarrja është pa status të përkufizuar qartë. Pallati i Rinisë, pra, nuk menaxhohet saktë as nga Agjencia Kosovare e Pronës e as nga Komuna e Prishtinës. Paqartësia qëndron në atë që ndërtimi i kompleksit është bërë midis viteve 1970-1980, ndërsa paratë për të janë mbledhur nga kontributi i punëtorëve të komunave të rajonit të Prishtinës, të cilët për pesë vjet radhazi kanë ndarë nga pagat e tyre 2 për qind. Kjo paqartësi e bën të pamundur marrjen e kredisë në banka komerciale për t’i shlyer borxhet ndaj depoistëve, të kontestuara nga sindikalistët. Kjo vetëm forcon mundësinë e falimentimit të ndërmarrjes, në rast se do të fillojë edhe shitja e lokaleve në ankand për dhënien e dëmshpërblimeve për të sipërshënuarit.

Ndaj, duke qënë situata kaq e komplikuar, veprimi i fuqishëm sindikal i ndërmarrjes, si dhe vendosmëria e tyre që të mos lejohej ankandi i planifikuar nga përmbaruesit privatë, bëri që organet udhëheqëse të ndërmarrjes, përfaqësuesi i sindikatës, Musiqin, si edhe përfaqësuesit e AKP-së të ulen dhe të bisedojnë.

Nga bisedat e zhvilluara u vendos që të mos bëhen veprime në dëm të ndërmarrjes derisa të mos themelohet Bordi i Drejtorëve të AKP-së dhe derisa të mos qartësohet statusi i Palltit të Rinisë.

Mençuria tjetër e radhës e sindikalistëve ishte të bashkonin në protestën e tyre edhe  pronarët e lokaleve dhe punëtorëve të tyre, që funksionojnë dhe menaxhohen nga Pallati i Rinisë. Përfaqësuesi i kompanisë “Elida”, Behlul Mustafi, për shembull u ankua se po i shitej lokali më simbolik i Prishitnës, edhe pse ai gjithmonë i kishte kryer obligimet ndaj ndërmarrjes dhe shtetit në përgjithësi. Ai tha se vepron me këtë biznes në Pallat që nga viti 1978. “Me asgjë nuk i kemi bërë dëm Pallatit. Përkundrazi, i kemi ndihmuar gjithmonë. Kemi kontribuuar edhe për atë pjesën që është djegur. Ndaj është krejt jologjike dhe me qëllime ogurzeza që sot përmbaruesit të vijnë të provojnë të na i nxjerrin lokalet në ankand”, deklaroi Mustafi për një të përditshme kosovare më 25 nëntor.

Ngjashëm shpreheshin edhe plot afaristë të tjerë, që ju bashkuan organizmit sindikal të Pallatit të Rinisë në protestë.

Emine Klaiqi
Prishtinë, nëntor 2015