Lidhja Sindikale Çeke e Kujdesit Mjekësor dhe Social - Sindikata e grevave dhe protestave

Dagmar Zhitnikova, përfaqësuese e Lidhjes Sindikale Çeke të Kujdesit Mjekësor dhe Social, mburret me faktin që kanë arritur të ndalin privatizimin e disa institucioneve shëndetësore në Çeki. E cilëson si arritjen më të madhe të kësaj sindikate parandalimin e privatizimit pas shumë grevave e protestave të mëdha të organizuara në Pragë.

“Suksesi më i madh ka qenë parandalimi i privatizimit të madh në fushën e shëndetësisë. Kemi mbajtur shumë protesta e demonstrata dhe në bashkëpunim me konfederatën kemi arritur që t’i hedhim poshtë këto ligje”, thotë ajo gjatë një prezantimi të punës së sindikatës së saj.

“Lidhja jonë sindikale është aktive, energjike dhe zhvillojmë shumë protesta e greva për të arritur qëllimet tona”, shton Zhitnikova. “Ne përpiqemi të arrijmë në ujdi, por nëse ujdia nuk është e mundur atëherë gjejmë mënyra të tjera për të mbrojtur të drejtat tona”.

Sindikalistët këtu punojnë pa asnjë kompensim. “Rreth 90 për qind e sindikalistëve punojnë vullnetarisht për sindikatën”, sqaroi ajo.

Lidhja Sindikale e Kujdesit Mjekësor dhe Social numëron rreth 28 mijë anëtarë, të cilët organizohen në kuadër 367 organizatave sindikale. Anëtarët e kësaj sindikate punojnë nëpër ambulanca, spitale, shërbime sociale etj. Kjo lidhje sindikale ofron shumë mundësi për anëtarët e vetë.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, informoi palën çeke se në Republikën e Kosovës janë rreth 15 mijë punonjës në sektorin shëndetësor, dhe rreth 10 mijë prej tyre anëtarë të sindikatës. Ky njoftim ka bërë që gjithë anëtarët e Lidhjes Sindikale të Kujdesit Mjekësor dhe Social të pranishëm në takim të duartrokasin.

“Federata e shëndetësisë është federata e dytë më e madhe pas asaj të arsimit dhe është anëtare nëpër institucionet Evropiane. Duhet shtuar bashkëpunimi mes  sindikatave në Çeki dhe atyre në Kosovë”, vijoi Arifi.

Trajnimi i anëtarëve është njëri nga misionet që ka Lidhjea Sindikale e Kujdesit Mjekësor dhe Social. Trajnimi bëhet në dy forma. Së pari, trajnohen infermieret, të cilat janë të obliguara të trajnohen vazhdimisht. Së dyti, trajnohen të gjithë anëtarët e sindikatës që punojnë në sektorin privat. E trajnimi i tyre është specifik, pasi qëllim kryesor ka rritjen e aftësive e negocimit të tyre me punëdhënësin. Ky trajnim për sektorin privat bëhet pasi aty Lidhja Sindikale e ka më të vështirë të negociojë për përmirësimin e kushteve për punëtorët apo rritjen e pagave.

“Kemi probleme në sektorin privat dhe negociatat janë shumë të vështira për ato organizata në juridiksionin e lidhjes sonë që punojnë në këtë sektori. Megjithatë, alokimi i mjeteve për rritjen e pagave parashihet edhe në sigurimin shëndetësor kështu që pozita jonë e negocimit ishte shumë e mirë”, tregoi Zhitnikova.

Kjo Lidhje sindikale ka arritur që për vitin 2016 të sigurojë rritjen më të madhe të pagave në nivel vendi. “Kërkesa e jonë e parë ishte që në administratë pagat të rriten për 5 për qind, ndërsa në fushën e kujdesit shëndetësor 10 për qind”, sqaroi ajo. “Negociatat rezultuan që rritje e pagave për kujdesin shëndetësor të jetë 5 për qind, ndërsa në sferat e tjera të shërbimeve publike rritja e pagave është për 3 për qind”.

Bisedimet për rritjen e pagave janë bërë më të lehta për këtë Lidhje Sindikale për shkak të orientimit të majtë të qeverisë aktuale të Çekisë. “Sa i përket pagave, ne zhvillojmë negociata me qeverinë, komunat, prefekturat dhe me bizneset private. Tani jemi në gjendje më të mirë krahasuar me dy vitet e fundit, pasi kemi një qeveri të majtë dhe negociatat bëhen më lehët me këtë qeveri”.

Përfaqësuesja e Lidhjes Sindikale është interesuar edhe për mënyrën e organizimi të sindikatave në Kosovë. Kryetari i BSPK-së i shpjegoi për organzimin në degë sindikale, të cilat mund të formojnë federata, e federatat mund të bashkohen në konfederata. Konfedarata e vetem në Kosovë është Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. “Pas shumë negociatave dhe bisedimet kemi arritur që të shkrihemi dy konfederata në një të vetme. Tani jemi ndër pak shtet që kemi vetëm një konfederatë Sindikale”, tha Arifi.

Zhitkova pohoi se edhe në Çeki, organizimi është shumë i ngjashëm. Ajo shtoi se sindikatat bëjë pjesë edhe në këshillin trepalësh, së bashku me qeverinë dhe organizatat e punëdhënësve. Ata bashkëpunojnë edhe me ministrinë punës dhe atë të shëndetësisë për t’i zgjidhur problemet. Gjithashtu, Zhitkova tregoi shkurtimish edhe për mënyrën se si negociohet dhe nënshkruhet marrëveshja kolektive.

“Ne u japim sindikatave një draft të marrëveshjes kolektive dhe pastaj secila organizatë sindikale lidh një marrëveshje kolektive me punëdhënësit. Ndërsa, ne i dërgojmë një jurist dhe ekonomisë për të hartuar dhe negociuar marrëveshjet kolektive”, shpjegoi ajo.

Edhe Kosova e ka nënshkruar marrëveshje kolektive. Ajo është nënshkruar vetëm disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014. Shumë pika të kësaj marrëveshje nuk janë vënë në zbatim ende. Por, edhe me rastin e nënshkrimin marrëveshja ishte kritikuar, pasi nuk sillte asnjë përfitim shtesë për punëtorët me përjashtim të shujtës.

“Në marrëveshjet kolektive ne përpiqemi që të bëjmë diçka më shumë se sa ligji i punës, siç janë benefitet për punë të natës, për punë të rrezikshme, për punë gjatë festave, por edhe përfitimet në lidhje me pensionin, kalimin e kohës së lirë, për pushime të ndryshme, përfitimet për lehonat dhe dhurata për nëpunësit që dalin në pension”, tha Zhitnikova.

Kosova ende nuk ka arritur të funksionalizojë sigurimin shëndetësor. Janë duke u bërë përgatitjet e fundit para se të nisë zbatimi. Sindikalistët nga Kosova kanë pasur shumë pyetje rreth sigurimit shëndetësor në Çeki.

“Sigurimin shëndetësor është i detyrueshëm në Çeki. Punëdhënësi paguan 9 për qind të pagës bruto, kurse punëmarrësi paguan 4.5 për qind të pagës bruto. Për fëmijët dhe të papunët sigurimi shëndetësor mbulohet nga fondi i shtetit”, sqaroi ajo.

Në Ceki paguhet edhe për sigurimin social. “Sigurimi social është i detyrueshëm; prej tij paguhen pensionet dhe kontributet e tjera për mjekim të ndonjë familjari. Tarifa e sigurimit social është 24 për qind të pagës bruto dhe mbulohet punëmarrësi. Në kuadër të buxhetit ekzistojnë linja të veçanta buxhetore ku mblidhen financat nga sigurimi social”.

Gjatë takimit u diskutua edhe pushimi mjekësor. Tre ditët e para të pushimit shëndetësor nuk kompensohen fare në Çeki. Kjo praktikë është vendosur nga qeveritë e djathta. Tashmë sindikatat janë duke lobuar për t’u kompensuar edhe 3 ditët e para të pushimit mjekësor. Gjatë dy javëve të para paga kompensohet nga punëdhënësi, kurse nëse pushimi duhet të zgjasë më shumë, atëherë shteti e kompenson pagën në nivel prej 60 për qind.

“Pas një viti, kur përfundon afati mjekësor, punonjësi duhet ekzaminiohet tek mjeku. Pas konstatimeve të mjekut, punonjësit mund t’i zgjatet afati i pushimit edhe për tre muaj të tjerë, pra bëhen në total 15 muaj, ose mund t’i njihet statusi i invalidit”, tha Zhitnikova.

Pushimi i lehonisë mund të zgjasë deri në 36 muaj. Gjashtë muajt e parë punonjësja merr pagën e plotë. Kurse në muajt në vazhdim shteti i kompenson një ndihmë sociale prej 3 mijë e 709 Kruna çeke (rreth 135 euro).

Visar Prebreza
Pragë, tetor 2015