Diversifikimi i kërkesave në tregun e punës

Gjatë qëndrimit të delegacionit të sindikatave të Kosovës në Pragë (tetor 2015), u zhvillua një takim me Institutin e Studimeve të Punës dhe Punëve Sociale. Ky institut bën hulumtime për qeverinë e Çekisë, si psh. matjen e varfërisë, apo vlerën e nevojshme për jetesë për një person. Gjhithashtu, ky institut furnizon qeverinë me informacione në rastet kur ajo hyn në negociata me sindikatat për rritje të pagave apo përmirësim të kushteve. Instituti funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe ka rreth 50 të punësuar.

Instituti pohon se aktualisht Republika e Çekisë ka mungesë të punëtorëve në sektorin e mjekësisë dhe inxhinierë të profileve të ndryshme. I njëjti problem shfaqet edhe në Gjermani e disa vende të tjera të Evropës.

“Ne kemi nevojë për mjekë, infermiere dhe profesione të tjera që kanë të bëjnë me shkencat teknike, për të punuar në industrinë e rëndë”, tha Sonia Veverkova, hulumtuese në këtë institut. “Ju e dini që këtë problem e kanë pjesa më e madhe e vendeve të Evropës, sepse profesionistët e shkencave teknike apo mjekët kanë gjetur punë nëpër vende të tjera që paguhen shumë më mirë”.

Republika e Çekisë ka arritur të ulë shkallën e papunësisë në 7 për qind në nivel të vendit. Papunësia në Pragë është e papërfillshme, pasi është nën 1-2 për qind. Struktura e të papunëve në Çeki është kryesisht me persona të diplomuar në shkencat shoqërore dhe një pjesë e qytetarëve që nuk shprehin interesim për punësim.

Veverkova shpjegoi se struktura e papunësisë në Çeki derivon nga trendi i studimeve që mbizotëroi në fillim të shekullit 21. “Ne kemi tepricë të personave që kanë studiuar shkenca shoqërore, pasi në vitet 2000 ishte një trend kur të gjithë u fokusuan në to dhe harruan shkencat ekzakte”, shpjegoi ajo.

Problemet e papunësisë strukturore janë edhe në Kosovë, ndonëse niveli i lartë i papunësisë prej 35 për qind ka treguar për mungesë të vendeve të punës në shumë sektorë.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, sic raporton “Koha Ditore” thotë se janë duke punuar në disa drejtime në sistemin e edukimit, në mënyrë që të prodhohen profesionistë që mund të gjejnë një vend pune në të ardhmen.

Ai tha se Ministria e Arsimit këtë vit e ka ulur dukshëm numrin e studenteve në shkencat sociale, për t’i orientuar në shkencat teknike. Abrashi ka thënë se është duke u punuar edhe në profilizimin e universiteteve rajonale, që t’ju përshtaten kërkesave të tregut të punës. Ai konfirmoi se është duke u punuar edhe në orientimet në karrierë për nivelin fillor, por ndikimi i këtyre politikave, sipas tij, do të shihet pas 5 deri në 10 vitesh.

Ministri i Punës shtoi se është duke u punuar edhe që përmes kurseve të edukohen të papunët për profesionet në të cilat janë krijuar vende të lira të punës. Për këtë, janë identifikuar disa sektorë që, tash apo në të ardhmen, mund të kenë më shumë nevojë për punëtorë të rinj.

“Kemi subvencionuar pagat e rreth 500 punëtorëve nëpër sektorë, siç janë tekstili, industria e drurit, metalpunuesit apo bujqësia. Subvencionimi i pagave është bërë me qëllim që të punësohen të rinj për një periudhë të caktuar, por në të njëjtën kohë të edukohen dhe të trajnohen në një profesion të ri që potencialisht mund të ketë më shumë kërkesë në të ardhmen. Pra, edhe nëse një punëtor del nga puna pas përfundimit të subvencionit ai do të jetë në gjendje të kërkojë një vend pune në ndonjë kompani tjetër”, vijoi Abrashi. Nisma të tilla do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm, në mënyrë që të edukohen të papunët në profesionet ku më lehtë mund të gjejnë një vend pune.

Abrashi thotë se ministria është e vetëdijshme për profesionet deficitare në Evropë dhe mundësinë që qytetarët të gjejnë një vend pune jashtë Kosovës. Thotë se u takon institucioneve t’i heqin barrierat për punëtorët nga Kosova për të gjetur një vend pune në vendet e BE-së, por që u mbetet vetë qytetarëve apo agjencive të ndryshme që të gjejnë vendet e punës.

Mundësitë më të mëdha për punë sezonale janë me Gjermaninë. Gjatë këtij vitit kanë shkuar dhjetëra kosovarë për të punuar në sektorin e kujdesit social në Gjermani.

Abrashi thotë se është e rëndësishme që grupi i parë që është nisur të respektojë kontratat dhe afatet kohore të qëndrimit, në mënyrë që të hapen mundësitë që në të ardhmen të udhëtojnë për punësim sezonal edhe më shumë kosovarë.

Po ashtu, përmes organizatave partnere të Qeverisë janë dërguar edhe disa punëtorë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa është duke u punuar me Finlandën në fushën e bujqësisë. Kontaktet e para janë hapur edhe me Çekinë për punësime sezonale në industrinë e automobilizmit.

Qytetarët mund të marrin informata për studim dhe punësim në Gjermani në Qendrën Informative gjermane për migrim, arsim, dhe karrierë, e cila është themeluar nga GiZ-i.

Visar Prebreza
Prishtinë, tetor 2015