Zbatimi i Kontratës Kolektive ecën me hapat e breshkës

Si në shumë fusha, edhe në zbatimin Kontratës Kolektive institucionet kosovare po vazhdojnë të ecin me “hapin e breshkës”.

Është bërë më shumë se një vit që kur Sindikata e arsimit ka nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Arsimit për zbatimin sa më të shpejtë të Kontratës Kolektive, por në terren gjërat duket të jenë në gjysmë të rrugës. Në prill 2014, kur u nënshkrua Kontrata Kolektive për punëtorët e arsimit u parpa që zbatimi të fillonte nga janari 2015. Por jemi në muajin e dhjetë të vitit 2015 dhe ka ende shkolla në Kosovë në të cilat punëtorët arsimorë janë pa kontratë individuale.

Përmbajtja e Kontratës Kolektive ishte rezultat i punës së grupeve punuese të Sindikatës së Arsimit dhe Ministrisë së Arsimit. Rruga për përafrimin e qëndrimeve ishte shtruar nga nënshkrimi i Kontratës së Përgjithshme Kolektive ndërmjet Qeverisë dhe Këshillit Ekonomik Social, të përbërë në atë kohë nga BSPK, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit. Në teori, një nivel i tillë përfaqësimi është i rëndësishëm, pasi nuk duhej t’i linte hapësirë manipulimit me të drejtat e punëtorëve arsimorë. Mirëpo, praktikisht, situata reale vë në pah joseriozitetin e të gjitha këtyre subjekteve, përfaqësuesit e të cilave kanë hedhur nënshkrim në dokumente të kësaj natyre dhe kanë marrë edhe përgjegjësi.

Ky joseriozitet karakterizon edhe Sindikatën e Pavarur të Arsimit, e cila në vend se të veprojë me masa konkrete sindikale, duke përfshirë edhe protestat, vetëm sa ka nxjerrë deklarata kohë pas kohe e më pas ka heshtur. Kjo sjellje i ka lënë të paprekura dhe pa pasoja institucionet e tjera nënshkruese.

Sidoqoftë, Kontrata Kolektive për punëtorët e arsimit precizonte 26 çështje kyçe që lidheshin me arsimin, duke filluar nga mënyra e punësimit, lidhja e domosdoshme e kontratës individuale të punës, norma, ruajtja e vendit të punës, përgjigja se kush mund të jetë tepricë teknologjike, pushimi i lehonisë për gratë, shujta, çështja e udhëtimit, çështja e natyrës së punës së mësimdhënësit, obligimit që ata kanë ndaj punëdhënësit etj.

Zbatimi i Kontratës Kolektive në arsimin parauniversitar është në ngarkim të komunave dhe jo të organeve qendrore. Janë komunat ato që duhet të merren me organizmin e procesit mësimor, me përjashtim të programeve dhe çështjeve të përgjithshme. Mirëpo, disa nga komunat kanë vazhduar të jenë të papërgjegjshme dhe, pavarësisht strukturës së vartësisë institucionale, as organet qendrore dhe as sindikatat nuk mund të amnistohen nga përgjegjësia.

Ministria e Arsimit dhe sindikata ishin pajtuar që çështjet sektoriale të lihen tek menaxhmentet nëpër shkolla apo nëpër drejtoritë arsimore. Megjithëatë, bartja e kompetencave në sektorët komunalë apo në drejtori nuk do të thotë se organet qendrore duhet të jenë të painteresuar për mbarëvajtjen e proceseve.

Prandaj, është dashur gati një vit që SBASHK-u të kuptojë se nuk ka zbatim të Kontratës Kolektive. Më 26 tetor, në një komunikatë për shtyp, sindikata ka treguar se si, duke vizituar komunat e Kosovës dhe duke bashkëbiseduar me mësimdhënësit, kanë kuptuar se drejtoritë komunale të arsimit janë vonuar me dhënien e kontratave individuale të punës, duke lejuar që të punësuarit në arsimin parauniversitar të punojë pa kontrata pune.

“Kjo vonesë nuk ka arsyetim, sepse kontrata individuale e punës me tekstin unik për tërë territorin e Kosovës është punuar para përfundimit të vitit të kaluar shkollor dhe është promovuar para medieve nga vetë ministri Bajrami”, tuhet në komunikatë. Shtohet se nga bisedat me mësimdhënësit është kuptuar se disa DKA , përveç vonesës në nënshkrimin e kontratave individuale të punës, kanë tendenca që të mos e respektojnë Udhëzimin Administrativ Nr. 10 të MASHT për Kontratën e Punës për Mësimdhënës të Arsimit Parauniversitar.

“Ky Udhëzim i datës 1 shator 2015 tregon qartë se kujt i takon kontrata individuale e punës në afat të pacaktuar. MASHT-i, për të hequr çdo dilemë mbi Udhëzimin Administrativ nr. 10, ua ka dërguar DKA-ve përmbajtjen e plotë të kontratës individuale të punës”, sqaron në vijim komunikata e vonuar e SBASHK-ut, duke ua kujtuar drejtorëve të drejtorive komunale të arsimit se edhe ata kanë marrë pjesë në hartimin e tekstit unik të kontratave individuale të punës bashkë me MASHT-in dhe vetë SBASHK-un, si dhe janë pajtuar me tekstin final të saj, prandaj nuk kanë asnjë arsye për të bërë lojëra.

“SBASHK-u kujton po ashtu DKA-të se është duke mbledhur gjithë ankesat e mësimdhënësve që u është bërë e padrejtë dhe do t’i prezantojë ato në MASHT, duke kërkuar angazhimin serioz e të menjëhershëm të Departamentit të inspektorëve qendrorë dhe të atyre nëpër regjione”, thuhet më tej. SBASHK-u ka inkurajuar anëtarët e vet të mos heshtin, por t’i paraqesin të gjitha shkeljet që u bëhen nga DKA-të të mbështetura me argumente e fakte, sepse do ta kenë përkrahjen e plotë të SBASHK-ut. “Besojmë edhe në veprimin konkret të MASHT-it. Këtë e themi ngase në shumë raste të tilla jemi angazhuar dhe bashkërisht me MASHT-in dhe inspektorët e arsimit dhe e kemi çuar drejtësinë në vend”, thuhet në mbyllje të komunikatës.

Ndonëse kjo komunikatë tregon një zgjim nga gjumi të sindikalistëve pas një heshtjeje disa-mujore, ajo nuk e justifikon vonesën dhe apatinë. Nuk mund të falen as palët e tjera që janë të përfshira, qoftë në nënshkrimin e marrëveshjeve në lidhje me këto çështje, qoftë ato që në mënyrë indirekte janë të lidhura me procesin. Shoqëri funksionale është vetëm ajo, e cila respekton ligjet dhe marrëveshjet që nxirren në mbrojtje të qytetarëve.  

Emine Klaiqi
Prishtinë, tetor 2015