(Nuk) Përfitojnë punëtorët nga ultimatumi i sindikatave

Ka shumë dokumente të Qeverisë së Kosovës që konstatojnë nivelin shumë të lartë të informalitetit në ekonominë e vendit. Llogaritet se 1/3-ta e ekonomisë zhvillohet në të zezë, dmth ju shmanget ligjeve që rregullojë fusha të caktuara të jetës dhe biznesit. Aq llogaritet se është edhe niveli i informalitetit në punësim. Dmth, sipas të dhënave që janë publikuar nga Ministria e Financave, del që rreth 1/3 e punëtorëve të sektorit  privat nuk janë fare të lajmëruar dhe për ta nuk paguhet asnjë obligim e tatim. Të dhëna të ngjashme janë bërë publike edhe në raportin e Institutit Riinvest për informalitetin.

Madje llogaritet se sektori i bujqësisë dhe ai i ndërtimtarisë kanë nivelin e infomalitetit shumë më të lartë se mesatarja. Një punëtori që nuk ka kontratë, të cilit nuk i paguhet asnjë obligim, është në nivelin më të skajshëm të shkeljes së të drejtave. Prej kësaj pike pastaj nisin shkeljet tjera, që për sindikatën e sektorit privat është një trajtim skllavëror që ju bëhet punëtorëve në sektorin privat. Drejtues të kësaj sindikate janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e punëtorëve në sektorin privat. Ata kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosgatishmëri për ta ndryshuar atë.

Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, në një paraqitje për media ka thënë se pos pagave të ulëta të punëtoreve, që sillen rreth 120 eurove, apo kontratave të punës të cilat lëshohen edhe pas 10 vjetësh me 3 deri 6 muaj, një çështje shqetësuese është fakti se gati 70 % e kompanive private nuk paguajnë kontribute për pagat e punëtorëve. Ai ka thënë se për një periudhë dymujore kanë vërejtur se ka kompani që rreth 10 vjet rresht nuk kanë paguar asnjë cent për kontributet.

“Këto shifra marramendëse po shkojnë në fondin dhe pasurinë e pronarëve të kompanive. Nuk ka nevojë të lavdërohet për pozitën e punëtorëve as ish-kryeministri dhe as ky aktuali, sepse në bazë të të dhënave, kjo gjendje nuk ka ndryshuar aspak. Përkundrazi, është duke vazhduar avazi i vjetër”, ka theksuar ai.

Inspektorati i Punës, sipas Azemit, nuk është duke e kryer punën e tij, pasi që janë regjistruar pesë vdekje të menjëhershme të punëtorëve në vendin e punës dhe mbi 7 raste të tjera, që kanë vdekur pas një periudhë të shkurtër kohore. “Përmbi 470 raste janë lëndime në punë sipas të dhënave tona, kurse dënime nga inspektorati janë rreth 100. Kjo mjafton për të parë se si po punohet”, ka shtuar ai. Sipas Azemit, mbi 50 % e punëtorëve në sektorin privat nuk janë fare të regjistruar; po kështu mbi 50 % e bizneseve në Kosovë nuk janë po ashtu të regjistruara. Në 90% të rasteve punëtorët e sektorit privat, sipas Azemit, konsiderohen si skllevër.

Ai ka përmendur punëtorët të cilët bëjnë mirëmbajtjen e shkollave, që sipas tij kërcënohen sa herë kanë protestë apo takime. “Këta punëtorë dyshojnë se për çdo muaj, secilit punëtor i ndalen nga 10 euro nga paga. Kjo kompani ka më shumë se 100 punëtorë, atëherë llogaritet se vetëm nga ndalja e 10 eurove e ka një fitim prej 1 mijë euro në muaj. Mos të flasim për përfitime të tjera, të cilat njëherë për njëherë nuk duam t`i bëjmë publike”, ka thënë ai.

Duke u nisur nga kjo gjendje, ai i ka bërë thirrjë Inspektoratit të punës, inspektorëve të tatimeve, që të reflektojnë dhe të ndryshojnë metodat e punës. “Edhe në Prishtinë, kur disa inspektorë dalin për të vizituar disa kompani, kompanitë dhe dyqanet përreth mbyllen, sepse dikush i njofton ata për vizitën. Kjo është një marrëveshje në mes kompanive dhe institucioneve”, ka theksuar ai.

Për këtë gjendje, Azemi ka thënë se përgjegjësinë e mban direkt Qeveria e Kosovës dhe pronarët e kompanive private.

Ai shtoi se, nëse deri më 15 tetor kompanitë private nuk i kryejnë kontributet e prapambetura me vite ndaj punëtorëve, atëherë sindikata do të deklarojë publikisht se cilat janë ato kompani.

“Është e drejtë jonë ta ndërpresim punën nëse për 10 vjet pune nuk na i kanë paguar detyrimet. Nëse ka ndonjë ligj që këta punëtorë mund t`i largojë nga puna, atëherë sigurisht se në rend të parë e largon ministrin”, ka thënë ai.

Ultimatumi nuk jepet pa përkrahjen e punëtorëve

Ultimatumi i sindikatës duket më shumë si një shantazh për disa kompani se sa që pritet të ketë ndonjë peshë në përmirësimin e gjendjes së punëtorëve. Sindikata edhe në të kaluarën ka etiketuar kompani duke i fajsuar për shkeljen e të drejtave të punëtorëve.

Mirëpo, nëse sindikata thotë se mbi 90 për qind e të punësuarve në sektorin privat nuk i gëzojnë të drejtat që burojnë nga ligji i punës, atëherë si ka mundësi që etiketohen vetëm 10 apo 50 kompani.

Nëse sindikata e etiketon një kompanim duhet të bëjë me fakte të cilat i dorëzon edhe në inspektoriat. Fakt nuk është një deklaratë e një punëtori. Duhet treguar saktë për secilën kompani se çka plotëson e çka jo në raport me punëtorin. Por, kjo sindikatë as nuk ka përkrahje e as njerëz për të bërë punën që ka nisur.

Shumica e kompanive nuk kanë sindikata të organizuara, ndërsa kontakti i Sindikatës së Sektorit Privat është kryesisht me disa punëtorë brenda kompanive të ndryshmë. Edhe pse informacioni i brendshëm është i nevojshëm, konstatimet e individëve nuk janë mjaftueshme dhe nuk garantojnë informata të besueshme. Fundja, çfarë do të humbte një person anonim po të jepte informata jo të sakta për vendin e tij të punës? Pikërisht konferencat për media të kësaj sindikate dhe kërcënimet që i bën kompanive që investojnë në imazhin e tyre, do të duhej të ishin një sinjal për to që të lejojnë krijimin e një sindikate të rregullt.

Një sindikatë e rregullt, që do t’i paraqiste si duhet problemet e punëtorëve, do të mund të arrinte t’i zgjidhte ato në bashkëpunim me menaxhmentin. Refuzimi i pronarëve të kompanive për t’i lejuar punëtorët të organizohen në sindikata ju jep mundësi personave që nuk janë përfaqësues të sektorit privat të bëjnë shantazhe e t’i publikojnë edhe emrat e kompanive sipas qejfit apo inatit të tyre.

Merita Berisha
Prishtinë, shtator 2015