500 mësimdhënës në vit diskriminohen në pensione

Që nga prilli i këtij viti, mësimdhënësit që pensionohen nuk marrin pension prej 140 euro, por vetëm 75 euro pension pleqërie. Institucionet e Kosovës po jua mohojnë dhjetë vjet pune gjatë periudhës 1990-99, kur këta mësimdhënës ishin të punësuar në shkollat fillore dhe të mesme në sistemin paralel të arsimit nën ombrellën e Republikës së Kosovës.

Ndonëse me ligj atyre ju njihet stazhi i punës për atë kohë, pensionet në konto të tyre po derdhen duke u shkel Ligji për skemat pensionale që financohet nga shteti. Sipas një mesatareje të nxjerrë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) minimalisht 500 mësimdhënës pensionohen në vit dhe po diskriminohen në pension.

Isuf Alaj, profesor në pension që ka punuar 35 vjet në arsim, thotë se atij nuk po i njihet stazhi i punës për dhjetë vjet (90-99). Ai thotë se ka dy vjet që kërkon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Ministria e Arsimit sqarim se pse nuk po marrin pension si tatim-pagues prej 140 eurove, por po marrin pension të pleqërisë prej 75 euro.

Alaj tregon se shteti nuk po ja njeh kontributin punëtorëve të arsimit, me arsyetimin se nuk kanë paguar kontribut shtetit. Përgjigja që ju ka dhënë MPMS-ja ja hedh fajin MASHT-it. “Ka dy vjet që presim listat me emrat e punëtorëve arsimor nga MASHT”, citon ai nga përgjigja që i kanë dhënë në këtë ministri.

Por, sipas tij kjo është vetëm një lojë për të humbur kohë e mos u paguar mësimdhënësit. Alaj paralajmëron masa sindikale, madje, siç shprehet ai, radikale nga një grup mësimdhënësish prej të gjitha komunave, që janë bashkuar për të kërkuar realizimin e të drejtës së tyre.

Por, përfaqësuesit sindikal shprehen se kanë “luftuar” me të gjitha mjetet sindikale që të njihet stazhi i punës për mësimdhënësit gjatë viteve 90-99. Situata ka ardhur tek hartimi i legjislacionit, që tani, sipas SBASHK dhe SAKK (Sindikata e Arsimit, Kulturës së Kosovës), po e shkel qeveria.      

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se nga prilli i këtij viti, 90 për qind e rasteve që pensionohen po marrin pensionin e pleqërisë. Jasharaj thotë se edhe pse ekziston ligji për të rregulluar këtë çështje, në praktikë nuk po ndodh kjo. “Institucionet e Kosovës po e përzijnë këtë punë me apo pa qëllim. Me angazhimin e SBASHK që t’ju njihet kontributi mësimdhënësve (90-99), si dhe me një vendim të ish-kryeministrit Thaçi e më pas me angazhimin e deputeteve të Parlamentit të kaluar të Kosovës, është amandamentuar dhe plotësuar Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti. Neni 8 është plotësuar me pikën 6 dhe kjo pikë është ajo që decidivisht dhe në mënyrë shumë të saktë e thotë se vitet 89-99 numërohen si vite kontributdhënëse për të gjithë të punësuarit në arsim të asaj kohe, që kanë punuar me sistemin e Republikës së Kosovë”.

Sipas statistikave të SBASHK-ut në vit pensionohen mesatarisht 500 mësimdhënës. Por, duke filluar nga prilli, 400 mësimdhënës janë prekur nga mos zbatimi i nenit 8, të Ligjit për Skemat Pensionale.  “Këtyre mësimdhënësve ju thuhet se duhet të kenë së paku 15 vite punë para 1 janarit të viti 1990. Por, këta mësimdhënës nuk kanë mundur të punojnë as 20 vjet para luftës, sepse as atëherë nuk kanë qenë të punësuar. Shumica janë punësuar në vitet 1981-82”.

Jasharaj bën të ditur se janë takuar me përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe me pjesëtarë të kabinetit qeveritar të kryeministrit, por përsëri nuk kanë arritur të ndreqin situatën.

Faton Fetahu, këshilltar ligjor i ministrit Arsim Bajrami, thotë se Ministria e Arsimit ka përgatitur projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.  “Qëllimi i këtij projektligji është njohja e sistemit arsimor të Republikës së Kosovës, që nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 dhe përcaktimi i statusit dhe njohja e stazhit të benificuar me përkrahje financiare përmes pensioneve dhe benificioneve të veçanta për kategoritë që ndërtuan sistemin e pavarur të arsimit shqiptar dhe organizuan mësimin në kushte të okupimit klasik në atë periudhë. Tani, pas përfundimit të hartimit të projektligjit, është duke u bërë vlerësimi financiar i këtij projektligji dhe gjatë muajit tetor do të përcillet në Qeveri për miratim dhe tutje në Kuvend për shqyrtim”, thotë ai.

Mirëpo, në seancën e Kuvendit të datës 29 dhjetor 2014, është shqyrtuar në lexim të dytë dhe është miratuar Projektligji për buxhetin e Kosovës 2015, ku është votuar edhe një amendament për njohjen e stazhit të pensionistëve kontributdhënës të viteve 1989-1999, i cili përfshin punëtorët e arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerët që kanë punuar në sistemin e atëhershëm paralel të Republikës së Kosovës.

“Neni 8.6 i Ligjit për skemat pensionale të financuar nga shteti parasheh që me këtë ligj tu njihet stazhi i punës për pension kontribut-dhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës”, thuhet në propozim-amandamentin.

Në përputhje me këtë dispozitë ligjore, Kuvendi i Kosovës u obligua që në buxhetin e miratuar të përfshijë edhe koston buxhetore për implementimin e nenit të lartëpërmendur. Pse atëherë kjo nuk po ndodh?

Anita Kadriu
Prishtinë, shtator 2015