Punët joformale, një sfidë tjetër e Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale

Puna joformale, sidomos ajo artizanale, është një ndër sfidat kryesore për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ajo që nënkuptojmë me punë joformale artizanale përfshin punën që bëjnë persona të ndryshëm (të ashtuquajturit mjeshtra popullorë), të cilat kërkojnë shkathtësi jo shumë të specializuara dhe që përgjithësisht nuk janë të regjistruar askund, e rrjedhimisht nuk i japin llogari askujt.

Në këtë kategori hyjnë punë të ndryshme si ndërtimi i shtëpive, ndërtimi i rrethojave të oborreve, veshjet dekorative të shtëpive, rregullimi i banjave, rregullimi i kopshteve dhe dhjetëra punë të tjera. Pagesat për këto shërbime janë të larta, por shteti nuk fiton asgjë në taksa. Asnjë institucion nuk ka të dhëna se sa është numri total i mjeshtrave në Kosovë, por mund të vlerësojmë se janë me mijëra.

Ilustrimi më poshtë sqaron se pse mund të jetë sfidë puna joformale. N.S., kryefamiljari i një familjeje nga Prishtina, punësoi një mjeshtër për të rrethuar oborrin e tij. Marrëveshja u bë pa kontratë të shkruar. E vetmja ujdi me mjeshtrin ka qënë çmimi i punës për metër katror dhe materiali që duhet përdorur. Ai nuk e parashikoi se si do të sillej mjeshtri nëse puna nuk shkon siç ishte premtuar.
Edhe H.B., një tjetër qytetar, ka investuar mijëra euro për punët rreth shtëpisë, por ka dalë i pakënaqur. Ustai i tij, pos që s’ishte i kualifikuar për punët e kryera, nuk po mori as përgjegjësi.

Eksperienca të ngjashme me këta dy qytetarë me siguri ka plot. Ato nxjerrin në pah funksionimin ende të mangët të shtetit, i cili nuk ka arritur të vendosë në sistem aktivitetet joformale të qytetarëve të saj. Nga aspekti ligjor, për çdo përfitim nga kushdo, duhet t’i paguhet taksa shtetit. Shteti ndërkaq, duhet t’i garantojë qytetarët se nuk do të dëmtohen apo abuzohen. Por, në rastet si më lartë vërehet se ka plot veprimtari në të cilat vepruesit, në njërën anë e dëmtojnë shtetin duke mos paguar taksat, e në anën tjetër e bëjnë të pavlerë djersën e të ndërgjegjshmëve.

Por situata si këto krijojnë edhe probleme të tjera, p.sh. vështirësojnë matjen e shkallës së papunësisë në vend. Në Kosovë, janë relativisht të pakta familjet që nuk hapin ndonjë punë sezonale nëpër shtëpitë e tyre. Po ashtu, është e rrallë që për punë artizanale një familje të kontraktojë kompani të specializuara.

Kështu, pra, brenda shtetit që pretendon të jetë i organizuar shpenzohen me miliona euro në mënyrë joformale, kurse shteti nuk arrin ta mbledhë taksën që i takon. Në vendet perëndimore, qoftë edhe nëse një dritare ndërrohet brenda shtëpisë, pronari duhet të informojë organet komunale, e pastaj të bëjë me njerëz të specializuar për shërbimin dhe që i lajnë të gjitha obligimet ndaj shtetit.

Ekonomia e tregut të lirë është cilësuar si një sistem që çon drejt zhvillimit, por një efekt i tillë realizohet vetëm atëherë kur sundon ligji dhe jo duke sjellë dëme për interesin e përgjithshëm.

Punësimi joformal shkakton edhe pabarazi mes kompanive të sektorëve të ndryshëm. Këtë e ka pohuar më parë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Arban Abrashi, sipas të cilit, përveç pabarazisë, krijohen edhe implikime në buxhet, në shpërndarjen e asistencës sociale, si edhe vështirësohet nxjerrja e statistikave të besueshme lidhur me punësimin.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) sivjet papunësia është në nivelin 35.3 për qind. Por ASK, në asnjë rast nuk ka mundur të japë të dhëna mbi sa persona janë të përfshirë në punët joformale. Nga ajo që mund të vërehet në terren krijohet përshtypja se numri është i konsiderueshëm.

Në pikën 1 të nenit 3 të Ligjit të Punës, aty ku sqarohet se cka nënkuptohet me “I punësouari”, është e saktësuar se i punësuari është personi fizik i punësuar për të kryer punë ose shërbime me pagesë për punëdhënësin. Ndërsa punëdhënësi është personi fizik ose juridik, i cili i siguron punë të punësuarit dhe i paguan pagën për punën ose për shërbimet e kryera. Po në të njëjtin ligj është e qartë se Marrëdhënia e Punës është një marrëveshje ose rregullim kontraktual ndërmjet një punëdhënësi dhe të punësuarit për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive specifike nga i punësuari nën mbikëqyrjen e punëdhënësit, kundrejt një pagese të dakorduar, zakonisht në formë të parave. Këto pra e bëjnë të qartë se nuk mund të bëhen punë pa marrëveshje.

Ndërkaq, në Ligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale, për dallim nga Ligji i Punës, specifikohet edhe kategoria e personave të vetëpunësuar. Person i vetëpunësuar, sipas këtij Ligji është çdo person fizik i cili punon për përfitim personal, me para të gatshme ose me mallra, i cili nuk përfshihet në përkufizimin e të punësuarit sipas këtij Ligji. Sido që të jetë, as në Ligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale, në asnjë rast nuk thuhet se kategoria e të punësuarvë që është trajtuar në këtë shkrim është e liruar nga obligimet tatimore.

Në pjesën ku flitet për kategoritë e përjshtuara nga tatimin në të ardhura personale përmenden 30 nën-kategori, që në shumicën e rasteve kanë të bëjnë me ndërkombëtarë. Pra, punët artizanale nuk janë të përjashtuara nga tatimi.

Ky ligj saktëson përqindjen e tatimit që çdo kategori i detyrohet shtetit, gjë që specifikohet në nenin 43. “Pesë për qind (5%) e të ardhurave bruto nga shërbimet, veprimtaritë profesionale, të zanatit, të argëtimit dhe të ngjashme të çdo tremujori, por jo më pakë se 37.5 € për tremujor”, thotë neni në fjalë teksa shtohet se nëse një tatimpagues nuk ka të ardhura në një periudhë tremujore, nuk kërkohet pagesë, por tatimpaguesi duhet të dorëzojë deklaratën e këstit tremujor për periudhën kur nuk ka obligim tatimor.

Emine Klaiqi
Prishtinë, gusht 2015