Vendi i punës: Lypës

Zhenis O. është në vitin e dytë të studimeve në fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Prishtinës. Ka punuar si kamerier për dy muaj para rreth një viti. Më pas e la këtë punë për t’u përgatitur për konkursin e policisë. Kaloi të gjitha fazat e testimit: testin me shkrim, atë fizik dhe atë psikologjik. Por, i thanë se numri i të rinjve që i kanë kaluar të gjitha testet është më i madh se numri i policëve të kërkuar.

Kështu Zhenisi mbeti pa punën prej kamerieri dhe pa punën prej polici. Që nga viti i kaluar ai ka tentuar të gjejë një vend të ri pune.

Puna e parë që e ka gjetur ka qenë në një shërbim ku lëshohen vetura me qira. “Shkova në punë dhe fillimisht më thanë se duhet të kujdesem për klientët dhe veturat, e pastaj me detyruan të pastrojë vetura pa u ndalë për 14 orë. Vetëm 15 min pushim kam pas. Shefi me tha që vetëm një ditë në javë mund të pushoj. As për provime tha që nuk më lëshon”, rrëfen Zhenisi. “Nuk ja vlen me sakrifiku fakultetin për një punë të tillë dhe e lashë.”

Ka tentuar të konkurrojë edhe nëpër shumë poste të ndryshme që janë hapur nga bizneset tregtare e prodhuese. “Jam befasuar me gatishmërinë për të mi shkelur krejt të drejtat nga një person që ka një biznes profitabil”, thotë Zhenisi.

Por, historia e këtij djaloshi kulmon në muajin korrik 2015, para rreth dy javëve kur ai morri një telefonatë për të filluar një punë të re. “Më thirrën në intervistë dhe në telefon nuk i dëgjova mirë; lamë takim në një kafe në katin e dytë. Fillimisht mendova që ka ndonjë zyrë afër asaj kafeje, por kur i kontaktova edhe një herë më thirren lartë në kafe. U befasova shumë sepse nuk mund të merrja me mend që një punëdhënës nuk ka së paku një zyrë”, thotë Zhenisi.

Aty e kanë pritur dy djem rreth të 30-ve. Njëri thotë se ka qënë i punësuar në qeveri gjatë mandatit të kaluar. “Më thanë se ishin kompani humanitare dhe se mund të punësohesha nga ata si lypës, pra si një person që del nëpër rrugë e sheshe e kërkon para për bamirësi”, thotë ai. “Mu duk shumë e çuditshme që të punësosh persona që kërkojnë lëmoshë, sepse në parim unë e di që nëpër fushatat e bamirësisë askush nuk merr para”.

Në punën prej lëmoshë-kërkuesit nuk kishte pagë fikse. Ajo ndryshonte nga aftësia për të mbledhë sa më shumë të holla. “Më thanë që 30 për qind e parave që do të grumbulloja do të më takonte mua. Dhe sipas një logjike të thjesht i bie që ata dy shefat do të merrnin nga 35 për qind. Pra, logjika ime më thoshte që unë do të përfshihem në një skemë mashtrimi që është kundër secilit rregull të moralit tim”, thotë ai.

Ai thotë se më këta mashtrues do të duhej të merrej shteti. “Prej këtij rasti mendoj që të gjithë personat që kërkojnë lëmoshë duhet të intervistohen nga policia për të kërkuar nëse ka ndonjë rrjet mashtruesish pas tyre”, thotë ai.

Zhenisi është njëri nga shumë të rinjtë që vazhdojnë të aplikojnë nëpër secilin konkurs që hapet për një vend të ri pune.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave numri i të rinjve që janë të papunë është më i larti në Evropë. “Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së re është e papunë (61.0 %) dhe shkalla e papunësisë tek rinia e gjinisë femërore është më e lartë (71.7 %) se sa tek të rinjtë meshkuj (56.2 %)”, thuhet në raportin e anketës së fuqisë punëtorëve të bërë nga Agjencia e Statistikave.

Gjasat e të rinjve për të gjetur një vend pune janë minimale. “Në vitin 2014, të rinjtë në Kosovë kishin dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me shifra të ngjashme per meshkujt dhe femrat”, thuhet më tutje në këtë raport.

Madje asnjë nga marketet e mëdha apo nga dyqanet e rrobave nuk punësojnë persona me orar të shkurtër që janë të moshës nën 18 vjeçare. “Nuk kemi nevojë për punëtorë aq të rinj se nuk munden t’i përballojnë punët këtu”, thotë duke buzëqeshur një pronar i një butiku në Lagjen Dardania. “Këtë po ta them ama mos ma publiko emrin, se më vijnë inspektorët tani. Te unë punëtorët punojnë nga 10 orë në ditë dhe i jap 200 euro pagë. E kanë vetëm një ditë pushim në javë. Edhe unë kam dëshirë t’i jap punëtorëve një pagë prej 500 euro në muaj, por unë duhet të falimentoj pastaj.”

Sinqeriteti i punëdhësit në kushte anonimiteti e në baza shoqërore është mënyra e vetme për të nxjerrë atë që jetojnë punëtorët çdo ditë.

Mentori është një tjetër  punëtor i një furre, që nuk është në mesin e shumicës së të rinjve që sorollaten rrugëve si të papunë. Por, për të bërë punën e tij, ai duhet të bëjë sakrifica të mëdha. “Punoj zakonisht në ndërrimin e natës dhe atë të ditës. Pushim kam një ditë në dy javë, pra dy ditë në muaj i bie”, thotë Mentori.

Ai është obliguar të punojë pa ndërprerë gjatë muajit të Ramazanit, në të cilin buka shitet shumë më shumë se muajve të tjerë. “Kam punuar vetëm në ndërrimin e natës, pra nga ora 21 deri në orën 9 të mëngjesit për 30 ditë. Po po, pa asnjë natë pushim”, thotë Mentori. “Për 30 ditë unë vetëm kam bërë bukë dhe kam fjetur gjatë ditës deri në mbrëmje.”

Ai ka një pagë rreth 350 euro, përkundër faktit që bën një profesion që kërkon shkathtësi të caktuara. “Më duhet të punoj, së pa punë nuk rrihet. Do të rri këtu derisa të gjej diçka më të mirë”, thotë Mentori.

            Merita Berisha
Prishtinë, korrik 2015