Loja me numrat e papunësisë

Papunësia në Kosovë është më e larta në rajon. Vetëm në vitin 2014, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave papunësia është rritur me 5 pikë përqindjeje, nga 30 në 35 për qind. Kështu i bie që vetëm vitin e kaluar papunësia të jetë rritur për 18 për qind, që është një shifër që nuk përkon me asnjë nga statistikat e tjera ekonomike. Rritja ekonomike prej vetëm 1 për qind nuk mund të reflektojë në rritjen e papunësisë për 18 për qind.

Agjencia e Statistikave këtë shifër e ka ndërruar në vitin 2014. Vitin e kaluar, kjo agjensi mori kritika nga shoqëria civile e partitë opozitare për uljen artificiale të numrit të papunësisë përmes rritjes së numrit të personave joaktivë. Persona joaktivë konsiderohen atë të cilët nuk janë të punësuar, nuk kërkojnë për punë dhe nuk janë as të gatshëm të fillojnë një punë me pagesë. Raporti për nivelin e papunësisë për vitin 2013 ishte publikuar disa ditë para zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar.

Edhe Banka Botërore kishte shprehur rezerva për vonesat e publikimit të raportit për papunësinë për shkak të nivelit të lartë të papunësisë që kishte rezultuar nga anketat e vitit të kaluar.

“Problem serioz mbetet mosllogaritja e plotë 702,238 kosovarëve, përkatësisht pjesës dërmuese (plot 58.3%); të cilët fshihen prej kalkulimeve të papunësisë me një vijë lapsi. Normë kaq të lartë joaktiviteti kanë vetëm 4 shtete të tjera në botë (sipas të dhënave të Bankës Botërore); bëhet fjalë për Timorin Lindor (62.1%), Moldavinë (59.3%), Gazan (58.8%) dhe Samoa (58.5%)”, ka shkruar në profilin tij në Facebook Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest.

Vendet fqinje të Kosovës kanë norma shumë më të ulëta joaktiviteti: Mali i Zi (50.1%), Serbia (47.5%), Shqipëria (44.9%) e Maqedonia (44.8%) – për të dhënë një mesatare prej 46.8%.

“Nëse Kosova do të llogaritej se ka një fuqi punëtore joaktive sikurse regjioni – siç dhe ka gjasa të jetë – atëherë në Kosovë mund të jenë rreth 562,764 kosovarë joaktivë e 639,724 aktivë – për të dhënë në fund një papunësi prej plot 50.1% e jo 35.1%. Them se hapi i parë në zgjidhjen e problemit është pranimi i ekzistencës së tij”, vijon Abdixhiku.

Në raportin e Agjencisë për vitin 2014, që është publikuar të martën, janë disa faktorë që kanë ndryshuar krahasuar me raportin e vitit 2013. Në vitin 2014, ASK-ja thotë se numri i personave aktivë ka qenë më i lartë për 1.1 për qind. “Nga 41.6% e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 35.3% janë të papunë”, thuhet në raportin për papunësinë në vitin 2014. Në vitin 2013 papunësia ka qenë 30 për qind. Shprehur në shifra konkrete, në vitin 2014 numri i personave të papunë, sipas të dhënave zyrtare, janë 176 mijë e 743  persona. Pra, në vitin 2014 ka 31 mijë e 914 persona më shumë të papunë se në vitin 2013, kur ishin vetëm 144 mijë e 829 persona.

Rritja e numrit të papunësisë, sipas të dhënave të ASK-së, ka ardhur nga disa faktorë. I pari është humbja e vendeve të punës. Të dhënat flasin se në vitin 2014 numri i personave të punësuar ka qenë 323 mijë e 508 persona apo vetëm 26.9 për qind e personave të aftë për punë. Në vitin 2013, numri i të punësuarve ka qenë 338 mijë e 364, apo 28.4 për qind e personave në moshë pune. Kjo shifër tregon se në vitin 2014 kanë humbur punën 14 mijë e 856 persona, të cilët kanë qënë në marrëdhënie punë në vitin paraprak.

“Shkalla e punësimit [ka pësuar] një rritje prej rreth 3% nga 2012-2013 dhe një rënie prej 1.5% nga 2013-2014”, thuhet në raportin e ASK-së.

Faktori tjetër që ka ndikuar në rritjen e shkallës së papunësisë ka qenë aktivizimi i personave që kanë qënë të dëshpëruar në vitet e kaluara. Në vitin 2014 llogaritet se 58.4 për qind e popullsisë në moshë pune nuk kanë qënë ekonomikisht aktivë. Kjo do të thotë se ata nuk kanë qënë të punësuar dhe nuk kanë kërkuar punë gjatë katër javëve të kaluara ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. Në vitin 2013, niveli i popullsisë joaktive ishte 59.5 për qind.

Pjesë e personave joaktivë, përveç numrit të madh të grave dhe nxënësve, është edhe një shtresë e qytetarëve të aftë për punë, por që janë dëshpëruar për shkak të pamundësisë në të kaluarën për të gjetur një vend pune. “Nga 58.4% e popullsisë në moshë pune që është joaktive, 18.2% (128,400 persona) nuk kërkonin punë, sepse besonin se nuk ka punë. Punonjësit e dekurajuar përbëjnë 10.7 % të popullsisë në moshë pune, me nivele të ngjashme për femrat dhe meshkujt”, thuhet në  raportin e ASK-së për vitin 2014. Numri i personave të dekurajuar ka rënë për 15 mijë e 300. Kaq është numri i personave që në vitin 2013 janë llogaritur si të dëshpëruar, por që në vitin 2014 ka nisur sërish të kërkojë punë dhe rrjedhimisht janë cilësuar si të papunë.

Agron Demi, drejtor i Institutit GAP, thotë se raporti i papunësisë është më real krahasuar me atë të vitit të kaluar, por përsëri ka probleme. “Të dhënat se papunësia është 35.3% nuk janë reale. Madje nëse lexohet në tërësi raporti i ASK-së, edhe aty shihet se metoda e kalkulimit të papunësisë nuk e tregon papunësinë reale në Kosovë”, tha Demi. Shqetësuese për Demin mbetet niveli shumë i lartë i personave që nuk duan të punojnë, apo siç i quan ASK-ja persona joaktivë.

Demi thotë edhe se niveli i punësimit tregon për gjendjen e vështirë të sektorit privat. “Duke marrë parasysh se të punësuar janë rreth 323 mijë persona dhe kur dihet se në sektorin publik janë të punësuar rreth 100 mijë persona, del se afro 1/3 e punësimit bëhet në sektorin publik. Një shifër shqetësuese që dëshmon gjendjen dëshpëruese të sektorit privat”, ka thënë ai. Sipas tij, çereku i të punësuarve kanë punë të paqëndrueshme.

“Po ashtu, edhe ASK-ja e pranon se jo të gjithë këta mbi 323 mijë të punësuar janë të punësuar të rregullt. Mbi 81 mijë nga këta që konsiderohen të punësuar kanë punësim të paqëndrueshëm, punësim pa kontratë, me ndërprerje kohore dhe me të ardhura të cilat nuk mbulojnë shpenzimet mujore të të punësuarit”, shtoi ai.

Raporti i ASK-së për anketën e fuqisë punëtore tregon për një dallim të madh gjinor në mesin e të punësuarve. Vetëm 1 në 5 gra dhe vajza në moshë punë janë aktive në tregun e punës, apo 21.4 për qind. Ndërkohë vetëm 12.5 për qind e femrave në moshë pune janë të punësuara. Pjesa më e madhe e grave kanë deklaruar se janë joaktive për shkak të obligimeve familjare.

Merita Berisha
Prishtinë, korrik 2015