Tri kategori të mësimdhënësve kosovarë rrezikojnë të mbesin pa punë

Mësimdhënësit kosovarë me diplomë të Departamentit të Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të profileve joarsimore, si dhe me diplomë të kolegjeve private rrezikojnë të mbesin pa punë. Kjo kategori e mësimdhënësve nuk ka marrë as licencë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Mos pajisja e tyre me licencë ju ka dhënë sinjal se shumë shpejt mund t’ju mohohet kontrata e punës në ciklin arsimor (fillor ose të mesëm) ku ata janë të inkuadruar. 

Legjislacioni për arsimin parauniversitar dhe Udhëzimet Administrative të MASHT-it kërkojnë që Drejtoritë Komunale për Arsim (DKA) të shpallin konkurse të reja për të plotësuar kuadrin që konsiderohet jo adekuat dhe të zëvendësohet me kuadër të diplomuar e profesional.

Mirëpo, në mungesë të kuadrove profesionale për lëndë deficitare (kryesisht për shkencat ekzakte), u morën në punë persona që kanë diploma në fusha të ndërlidhura, psh. arsimtarët që japin lëndën e matematikës por që kanë diplomë të makinerisë apo ndonjë drejtim tjetër inxhinierik-teknik. Kjo ishte zgjidhje për arsye emergjente, e tani këta arsimtarë nuk po licensohen.

Në pozitë jo më të mirë ndodhen edhe mësimdhënësit me diplomë të kolegjeve private. Vendet e punës po i rrezikohen edhe këtyre mësimdhënësve për shkak të Udhëzimit Administrativ për Licencim të Mësimdhënësve (2010), i cili thotë së mësimdhënësi nuk mund të mbajë mësim në shkollat publike dhe private të Kosovës pa licencë të lëshuar në përputhje me këtë udhëzim.

Mësimdhënësit kanë deponuar ankesa tek DKA-të dhe sindikatat e tyre.
Artan Mjekiqi nga Sindikata e Arsimit dhe Kulturës të Kosovës (SAKK) thotë se kjo sindikatë ka marrë shumë ankesa. Mjekiqi këmbëngul se këta mësimdhënës nuk duhet të largohen nga procesi mësimor, por të gjendet zgjidhje për ta nga Ministria e Arsimit.
Drejtorët komunal nuk mohojnë se kuadrot që rrezikojnë të largohen nga puna janë pranuar me konkurs të rregullta, të cilat zbatonin udhëzimet administrative që ishin në fuqi në kohën e marrjes në punë, dhe se kanë plotësuar pozita për të cilat nuk kishte staf.

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) e quan licencimin e bërë në përputhje me standardet akademike e arsimore. Ferdije Zhushi-Etemi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKA, thotë se sa i përketë profilit të pedagogut ai ka vend në shkolla dhe ka rol të rëndësishëm në proces edukativ, por jo si mësimdhënës. “Konsideroj se transferimi i Departamentit të Pedagogjisë në Fakultetin e Edukimit e ka pasuruar këtë fakultet me kuadro të kualifikuara që do të kontribuojnë në cilësinë e mësimdhënies në këtë fakultet, por edhe në aftësimin e duhur të studentëve për profesionin e mësimdhënësit”.

Ajo thotë se para disa vjetësh kanë rekomanduar që Departamenti i Pedagogjisë të transferohet në Fakultetin e Edukimit. Zhushi-Etemi thotë se për të nxjerrë kuadro për mësimdhënës për shkollat e Kosovës është i thirrur vetëm Fakulteti i Edukimit dhe institucionet publike, jo privatët. Ajo e ka quajtur gabim që UP-ja dhe MASHT-i kanë lejuar shpalljen e konkursit për pedagogji për pranim të studentëve të rinj që nga viti 2010. Zhushi-Etemi thekson se diplomat në pedagogji mund të pranohen vetëm në institucione sociale dhe si pedagog në shkolla, e jo në proces mësimor, pasi programi i pedagogjisë, sipas saj, nuk ka përmbajtje për cikël klasor.

Osman Buleshkaj, këshilltar i Ministrit të MAShT-it si dhe kryetar i Këshillit Shtetëror për Licencim të Mësimdhënësve, thotë se me diplomë të pedagogjisë janë një numër mbi 1,000 mësimdhënës. Ai thotë se është kërkuar nga Inspektorati i arsimit, që në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, të sigurojnë të dhëna për të gjithë mësimdhënësit e angazhuar në proces mësimor, të cilët kanë kontratë për mësimdhënie, por nuk kanë Licencë. 
Buleshkaj thotë se të diplomuarit nga Departamenti i Pedagogjisë mund të punësohen në cilësinë e shërbyesve pedagogjik e profesional në shkolla të Kosovës, por jo si mësimdhënës.

Ai shton se sipas, Udhëzimit administrativ pë licencim të mësimdhënësve, është precizuar se MAShT do të bëj licencimin e pedagogëve të angazhuar si mësues klase apo mësimdhënës lëndor duke siguruar dy forma të avancimit të këtij kuadri. “Së pari, për ata pedagogë në proces mësimor të cilët kanë përgatitje Bachelor 3-vjeçar të Pedagogjisë, MAShT-i në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, do të ofrojë një program avancimi prej 60 ECTS, me fokus në lëndët gjuhë shqipe, matematike e shkenca. Së dyti, për ata pedagogë në proces mësimor me përgatitje Bachelor 4-vjeçar i Pedagogjisë, do të ofrohet një program avancimi prej 30 ECTS-ve”, thotë Buleshkaj. 
Por, ende nuk dihet nga MASHT se nëse ky program fillon këtë vit.
Buleshkaj vijon më tej se për ato mësimdhënësit në profilet joarsimore që ligjëruan në lëndë për shkak të afërisë së tematikave me diplomat e tyre, Fakulteti i Edukimit ka përgatitur programin Master të mësimdhënies në shkollat profesionale. Pas përfundimit me sukses ata do të kenë të drejtë të marrin licencën për mësimdhënie.

Kurse për moslicencimin e mësimdhënësve të diplomuar nga kolegjet private, përgjigja është e prerë - Ligji për arsimin e lartë në Kosovë, që nga viti 2009, kur është themeluar Agjencia Kosovare për Akreditim (AKA), thotë se vetëm Universiteti publik mund të përgatisë kuadro për arsim. Edhe me ndryshimin e ligjit, ky modalitet nuk do të ndryshojë, pasi qëllimi është që sistemi i përgatitjes së mësimdhënësve të jetë i koordinuar dhe të evitohen fragmentimet në këtë proces. 

Por, institucionet private të arsimit të lartë thonë se po shkelën të drejtat e punëtorëve të diplomuar në kolegje private, të licencuara dhe akredituar nga ministria.
Nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Kolegjin AAB thonë se janë të informuar dhe të brengosur për trajtimin që ju bëhet studentëve të diplomuar në institucione private, në disa komuna të Kosovës. “Përveç mos-licencimit në disa komuna kanë filluar edhe të mos ua vazhdojnë kontratat të diplomuarve në shkencat sociale që punojnë në çerdhe e kopshte, që është në kundërshtim me ligjin dhe me udhëzimet përkatëse administrative të MASHT-it”.
AAB konstaton se përpos kësaj, diskriminimi vazhdon edhe me të diplomuarit e gjuhës angleze, edhe përkundër mungesës së kuadrove në këtë fushë, si dhe faktit që të diplomuarit e AAB në gjuhë angleze janë të barabartë me të diplomuarit në Fakultetin e Filologjisë publik.

Mbetet ende për t’u parë se si do ta manaxhojë MAShT-i një situatë të tillë.

Anita Kadriu,
Prishtinë, qershor 2015