Përjashtimet e padrejta nga puna

Shoqëria kosovare vazhdon të jetë e mbushur me manipulime në dëm të punëtorëve. Kjo ndodh jo aq për mungesë të infrastrukturës ligjore, se sa për pasojë të keqinterpretimit me dashje të ligjeve apo rregulloreve që lidhen me marrëdhënie të punës.

Shpesh ndodh që njerëzit të largohen nga puna për arsyetime banale, teksa nga ana tjetër hasen plot shkelje ligjore nëpër institucione. Largime nga puna po bëhen edhe për shkak të bindjeve politike e partiake. Nuk mund të jetë ndryshe, përderisa autoritetet institucionale nuk arrijnë t’i argumentojnë shkëputjet e njëpasnjëshme të marrëdhënieve të të punës për punëtorët.

Shembuj të tillë janë shtuar së fundmi edhe në Komunën e Prishtinës. Në këtë komunë po largohen nga puna njerëz që kanë përvojë të gjatë në administratë, sikurse edhe të rinj që janë punësuar në administratën komunale në vitit e fundit dhe  që janë mbajtur në punë në forma të ndryshme.

Raste të tilla janë paraqitur në Drejtorinë e Pronës e Financave të Prishtinës,  pa përjashtuar këtu edhe drejtori të tjera, siç është ajo e Kadastrës. 
Në Drejtorinë e Pronës dhe Financave në fund të muajit qershor janë larguar nga puna tre të rinjtë, B.K., I.K. dhe N.A. Të tre këta të rinj, rreth të tridhjetave, kishin hyrë në punë në vitin 2012 nëpërmjet një projekti të USAID-it. Bashkë me ta, në ditët e para të punës ishin edhe 10 të tjerë. Që të gjithë u trajnuan dhe çertifikuan për mbledhjen e tatimit në pronë.

Mirëpo, me metoda të papërshtatshme, gati edhe të liga, Komuna ua bëri të vështirë të qëndronin në vendin e tyre të punës. Fillimisht me ta u bë lojë: u mbajtën në punë rreth dy vjet vetëm me ‘kontrata mbi vepër’, një kategorizim i panjohur ligjor, ose së paku nuk ka emërtim të tillë në Ligjin e Punës.

Neni 10 i Ligjit të Punës, i cili nga vitit 2004 është plotësuar (amendamentuar) edhe 3 herë, sqaron se kontrata e punës lidhet në formë të shkruar dhe përfshin një periudhë të pacaktuar, një periudhë të caktuar dhe kontrata për punë dhe detyra specifike. Kontrata për detyrë specifike nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda një viti. Pra, nuk ka kontratë mbi vepër.

Trembëdhjetë të trajnuarit kanë punuar me “kontratë mbi vepër” nga viti 2012 deri në 4 muajt e parë të vitit 2014. Nga ç’vërehet, autoritetet e Komunës së Prishtinës, duke përfshirë të dy qeverisjet, nuk e kanë bërë pa qëllim një emërtim të tillë të kontratës. Sigurisht kanë menduar se ‘kontrata mbi vepër’ nuk gjendet në ligj dhe do të anashkalohej më lehtë një shkelje e tillë, sa ligjore aq edhe humanitare – një shkelje ë vërtetë e të drejtave të njeriut.  Këta të rinj, pra, kanë punuar dy vjet me “kontratë mbi vepër” e më pas disa i kanë larguar me premtimin se do të shpallet konkurs e do të rifuten në punë. Por, kur i janë nënshtruar konkursit, ata janë refuzuar.

Para pak javësh, pas ankesave për shkelje ligjore dhe pranim të punëtorëve të pakualifikuar, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil e ka anuluar një konkurs. Në një konkurs tjetër, ndërkaq, të pranuarit e kësaj kategorie kanë përfituar kontrata njëvjeçare, të emërtuara si “punë provuese” me qëllimin final që edhe ata një ditë të largohen.

Kjo ishte edhe situata për tre të rinjtë, të cilët në fund të qershorit 2015 u larguan nga puna. Autoritetet e Prishtinës arsyetojnë se “ata kanë pasur kontratë për punë provuese dhe nuk u është shkëptur kontrata e punës”, sic ka deklaruar drejtori i Drejtorisë përkatëse nga ku u është ndërprerë marrëdhënia e punës tre të rinjve për një të përditshme. “Kjo ndodh zakonisht: konfirmohet pozitivisht ose negativisht puna provuese e dikujt”, ka shtuar drejtori, duke pranuar se në atë drejtori janë pranuar së fundi 7 persona të tjerë me “kontratë mbi vepër”.   

Deklarimi i këtij drejtori për kohëzgjatjen e punës provuese është gjithashtu një shkelje e Ligjit të Punës. Ligji natyrisht që e njeh punën provuese, e cila sipas tij përcaktohet me Kontratën e punës, por ky kategorizim kontraktues nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.

Ligësia e largimeve të tilla e arrin kulmin kur brenda institucionit ekzistojnë raporte që lavdërojnë performancën shumë të mirë të të rinjve të larguar, duke përmendur edhe shifra konkrete të punëve të kryera brenda një viti. Elemente të tilla i kanë çuar të përjashtuarit në përfundimin se shkëputja e marrëdhënies së punës u është bërë për arsye thjesht partiake dhe politike.

“Nuk ka arsye tjetër të largimit tonë nga puna, pos motiveve partiake e politike”, ka deklaruar B.K., duke prezantuar para medias raportet e punës, të nënshkruara nga shefat, në të cilët figuron aktiviteti i tyre, dukshëm më i avancuar se shumë punëtorë të tjerë.  “Më larguan pas tre vjetësh për shkak se gjatë kësaj kohe nuk jam bërë anëtar i partisë në pushtet’”, vijon ai. Këtë dyshim e ndajnë edhe dy ish-kolegët e tij.

Raportet nga vetë autoritetet e Prishtinës tregojnë se, vetëm në Drejtorinë e sipër-përmendur, në një periudhë më të shkurtër se 9 muaj janë larguar nga puna 9 persona, përfshirë edhe këta tre të rinj për të cilët folëm. Dy janë kthyer nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës, kurse të tjerët janë në procedurë. Situatën e vështirësion edhe më tepër fakti se aktualisht në Komunën e Prishtinës janë të punësuar me “kontratë mbi vepër” 89 veta. Këtë shqetësim e kanë shfaqur edhe të larguarit, të cilit janë shumë të bindur se u është bërë padrejtësi, arsye pse kanë bërë edhe ankesa në organet përkatëse. 

Emine Klaiqi
Prishtinë, korrik 2015