Ngacmimi seksual në vendin e punës në Kosovë

Në Kosovë janë hartuar shumë ligje dhe rregullore, por përsëri fusha e ngacmimit seksual ka mbetur e patrajtuar si duhet. Rrjedhimisht, nuk ekzistojnë mekanizmat institucionalë që do të luftonin këtë dukuri. Për më tepër, nuk ekziston asnjë institucion publik që të ketë zhvilluar politika kundër ngacmimit seksual në vendin e punës.

Si pasojë e një gjendjeje të tillë, kemi një numër të vogël rastesh të paraqitura përkundër, siç besohet, shtrirjes shumë më të madhe të kësaj dukurie. Vetëm gjatë vitit të fundit ishin disa lajme nëpër media lidhur me ngacmimin seksual në institucionet publike, përfshirë këtu edhe Universitetin Publik të Prishtinës.

Cënueshmëria e grave po ashtu është vërtetuar edhe nga statistikat zyrtare për shërbimin civil, të cilat tregojnë se gratë zakonisht mbajnë pozita të ulëta në këtë shërbim, gjë që i bën inferiore ndaj eprorëve të tyre burra. Një tregues tjetër i ngacmimit seksual që i vendos gratë në pozitë të pafavorshme, madje edhe para se ato të punësohen, janë shpalljet për vende të lira të punës të cilat janë shumë diskriminuese nga aspekti gjinor.

Sa i përket çështjeve të ngacmimit seksual, deri më tani, në ministritë apo në zyrat në varësi të tyre, nuk ka pasur ndonjë raportim lidhur me numrin e rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës. Duket se trajtimi i këtij problemi kufizohet vetëm me ekzistencën e ndonjë dispozite në ligje dhe nuk ka hapa konkrete për ta trajtuar, qoftë edhe në rregulloren e këtyre institucioneve, për të parashikuar masa disiplinore në përputhje me këto ligje apo ndonjë politikë që do ta parandalonte ngacmimin seksual në vendin e punës.

Për këtë problem më shumë heshtet, ndërkohë që të dhënat e hulumtimeve vërtetojnë ekzistencën e ngacmimit seksual në vendin e punës.

Janë të pakta studimet e mirëfillta dhe sistematike të kushteve të punës dhe të raporteve gjinore në vendet e punës dhe të kushteve të punës në ndërmarrje private apo në ato publike. Nëse duam të analizojmë gjendjen e grave dhe burrave sa i përket tregut të punës nuk mund mbështetemi vetëm në dy treguesit e punësimit dhe papunësisë. Edhe pse këto janë dy tregues shumë të rëndësishëm, ato duhet të plotësohen edhe me tregues që masin nëse janë arritur standardet ndërkombëtare lidhur me kushtet e punës.

Një hulumtim që Qendra Kosovare për Studime Gjinore ka realizuar ka dëshmuar nevojën e një ligji për ngacmimin seksual në vendin e punës, si dhe nevojën për krijimin e politikave kundër ngacmimit seksual në vendin e punës, që deri më tani, është kufizuar vetëm në ekzistencën e dy ligjeve të ndërlidhura - Ligjit për Barazinë Gjinore dhe Ligjit Kundër Diskriminimit, të cilat nuk mund kurrsesi të zëvendësojnë një ligj të mirfilltë të dedikuar ngacmimit seksual.

Këto dy ligje përmbajnë disa dispozita lidhur me ngacmimin seksual. Për shembull, sipas Ligjit për Barazi Gjinore (nenin 2.6) “Ngacmimi dhe ngacmimi seksual paraqesin diskriminim gjinor.” Më tutje në nenin 2.7 thuhet: “Ngacmimi përfshin çdo formë të sjelljes që ka për qëllim ose që paraqet cënim të dinjitetit personal.”

Po në këtë ligj (nenin 2.8) është dhënë edhe përkufizimi i ngacmimit seksual i cili “përfshin çdo formë të sjelljes së padëshiruar seksuale verbale dhe jo verbale, fizike ose simbolike, që në të njëjtën kohë ka për qëllim ose paraqet cenim të dinjitetit personal”.

Ligji Kundër Diskriminimit në nenin 3/c përcakton definicionin e ngacmimit si vijon: “Ngacmimi konsiderohet diskriminim, brenda kuptimit të nenit 2 a, kur një sjellje kundër dëshirës (që përfshin por nuk kufizohet në sjellje të natyrës së padëshirueshme seksuale dhe/apo psikologjike), që bazohet në një apo në më shumë baza të përshkruara në nenin 2 a, ka për qëllim apo ndikon në shkeljen e dinjitetit të personit dhe në krijimin e ambientit frikësues, armiqësor, degradues, nënçmues dhe fyes, si është përcaktuar nga ai person”.

Ligji për Barazi Gjinore (LBGj) në Kosovë parasheh edhe dispozitat ndëshkuese për shkeljet e tij. Në rast të përjashtimit nga puna të një të punësuari/punësuareje në rastin kur ai/ajo kërkon zbatimin e këtij ligji apo përjashtimin nga puna, pushimi i përkohshëm nga puna, padrejtësia lidhur me sigurinë në punë, kushtet e punës ose vlerësimin e punës së tij/saj si pasojë e ankesës së tij/saj për ngacmim seksual ose diskriminim në bazë të gjinisë, punëdhënësi/punëdhënësja, dënohet me gjobë prej 5 deri në 10 mijë Euro, ndërsa personi përgjegjës, dënohet me gjobë prej 1 deri në 3 mijë Euro (Neni 16, paragrafi 3 - Dispozitat Ndëshkuese, LBGJ).

Pra, edhe pse sistemi i ri ligjor i Kosovës, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i merr parasysh konventat dhe rezolutat ndërkombëtare, siç është edhe Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave, e cila është e përfshirë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ende nuk është raportuar për shkallën e implementimit të kësaj konvente. Gjithashtu, pavarësisht se legjislacioni kosovar e ka përkufizuar ngacmimin seksual në vendin e punës, nëpër institucione dhe organizata të ndryshme, qofshin ato në sektorin privat, apo edhe në atë publik, mungojnë politikat kundër këtij ngacmimi.

Agjencia për Barazi Gjinore dhe Zyra  për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Çështje Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit kanë detyrën të jenë mbikëqyrëse dhe koordinuese për zbatimin  e ligjit dhe politikave kundër ngacmimit seksual në institucionet kosovare.

Por, ka nevojë për përmirësimin e infrastrukturës ligjore me ligje më të mira, me rregullore apo udhëzime administrative shtesë, edhe me mekanizma për të mbikqyrur e vlerësuar implementimin e legjislacionit.

Përshtatur nga raporti “Perceptimet e Shërbyesve Civil në Kosovë lidhur me Ngacmimin Seksual”
Qendra Kosovare për Studime Gjinore
Prishtinë, 2015