Trajtim më të denjë për kuadrot e reja profesionale!

Kosova ende vazhdon të jetë një “fushë e minuar” në kuptimin e sigurimit të një vendi pune. Rrallë të rinjtë arrijnë të punësohen pa pasur dikë të afërt në ndonjë pozitë. Pa ndërhyrjen e dikujt ‘nga lart’ është problem punësimi edhe në vendet ku kërkohen shkathtësitë të pakta. Për pozita më të larta as nuk mund të flitet.

Përgatitja e terrenit për t’i pranuar njerëzit nëpërmjet njohjeve bëhet aq me mjeshtri sa vështirë t’i shkojë mendja dikujt. Përshtaten konkurset, vartësit udhëzohen për aktivitetet që duhet të kurdisin, pritet koha e përshtatshme dhe veprohet. Këto “marifete” janë tepër të dukshme në sektorin publik, por ekzistojnë edhe në atë privat.

Dhe sigurisht, efektet anësorë të këtyre praktikave janë tepër të dëmshme. Kjo për faktin se brenda shumicës së institucioneve është ndërtuar “rrjeti i merimangës”, i cili nuk mund të shkatërrohet lehtë. Prishja e krejt rrjetit duket gati e pamundur. Rrjedhimisht edhe respektimi e monitorimi i zbatimit të ligjeve bëhet tejet i vështirë në këto kushte.

Një kategori njerëzish që diskriminohet që në fill të krijimit të karrierës së tyre janë praktikantët. Çka është në të vërtetë praktikanti? Praktikanti, sipas Ligjit të Punës, është personi i kualifikuar, i cili themelon për herë të parë marrëdhënie pune, me qëllim që gjatë punës praktike të aftësohet për punë të caktuara.  

Sh.S. është një nga praktikantët, i cili në mars të këtij viti ka bërë Master në një kolegj privat në drejtimin e arkitekturës. Ai është pranuar si praktikant tek një afërm i tij, i cili ka një biznes privat të regjistruar që vepron në mënyrë të ligjshme. Pronari e paguan praktikantin: kjo jo sepse ja kërkon Ligji i Punës, por sepse e ka të afërm dhe dëshiron që në këtë mënyrë ta ndihmojë. Vetë pronari ka deklaruar se nuk do të paguante praktikantë të tjerë. Ai shton se njeh plot raste që praktikantët merren në punë, ju jepen detyra të ndryshme për tre e më shumë muaj e më pas largohen pa asnjë kompensim. Aq më keq, siç ka theksuar ai, pronarët sillen ndaj praktikantit si bamirës.

Raste të tilla në Kosovë ka plot, pavarësisht që Ligji i Punës është shumë i qartë në këtë drejtim. Të paqartë mbesin vetëm inspektorët e punës, të cilët në vend se të dalin të shohin gjendjen në terren, përpilojnë raporta nga zyrat e tyre. Kështu, shndërrimi i tyre në burokratë ndikon që shkelja e ligjit të vazhdojë.

Në pikën 1 të nenit 16 të ligjit në fjalë theksohet se punëdhënësi mund të lidhë kontratë pune me praktikantin, teksa në pikën 2 të të njëjtit nen theksohet se i punësuari në cilësinë e praktikantit, i cili ka lidhur kontratë pune me punëdhënësin, i realizon të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës sikurse të punësuarit e tjerë. Pra, nga aspekti ligjor vërehet se praktikanti, në njëfarë mënyre, është i barabartë me të punësuarit e tjerë.

Gjithashtu ligji specifikon se puna praktike e praktikantit me përgatitje pasuniversitare, universitare dhe të lartë mund të zgjasë më së shumti një vit, ndërsa puna praktike e praktikantit me shkollim të mesëm mund të zgjasë më së shumti gjashtë muaj. 

Ligji i Punës parasheh se punëdhënësi në marrëveshje me personin e interesuar mund të angazhojë praktikant pa ndonjë kompensim të pagës, duke e obliguar punëdhënësin që të ofrojë mbrojtje dhe siguri në vendin e punës, por nuk dihet nëse evidentohen këto raste dhe nëse punëdhënësi e shfrytëzon këtë pikë në disfavor të praktikantit. Rastet tregojnë se mundësia për një gjë të tillë është e madhe.

F.B. është një nga të diplomuarat për agronomi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është nga një fshati i komunës së Lipjanit. Thotë se kishte vendosur për këtë profesion duke parë perspektivën e zhvillimit të bujqësisë. Thekson se vitet e studimeve kanë ecur shpejt, kurse kushtet për punësim nuk kanë ndryshuar pothuajse fare. Tregon se si ka konkurruar në disa konkurse, porse në secilin është kërkuar përvoja e punës. “Si mund të kem unë përvojë pune kur vetëm para pak kohësh kam mbaruar studimet?”, thotë ajo, duke vijuar se ka dashur të punojë edhe vetëm si praktikante, në mënyrë që në CV-në e saj të shtojë përvojë.

Mirëpo, edhe pse ka kontaktuar shumë kompani private, F.B. nuk ka arritur të ketë sukses. “Kam kërkuar të kryej praktikë profesionale në disa ndërmarrje private, por nuk kam hasur në mirëkuptim askund. Zakonisht më thoshin se nuk kanë mundësi të më paguajnë e të trajnojnë”, tregon ajo, teksa thotë edhe se do të kishte pranuar edhe një praktikë të papaguar sikur të mos ta kishte aq të vëshitrë situatën financiare personale.

Sado që duket ndoshta e parëndësishme, në të vërtetë, situata të tilla ndikojnë në rritjen e një brezi të dekurajuar. Këtu nis dhe humbet shpresa për të ardhmen. Prandaj,  është jetike që shteti të ndërmjetësojë në raste të tilla, të krijojë rregulla më strikte për ndërmarrjet, në mënyrë që të jenë të obliguar t’i pranojnë praktikantët, natyrisht duke u përkrahur edhe me fonde. Kjo duhet të përligjej ose me amendamentimin e Ligjit të Punës, ose me aktet nënligjore, siç janë udhëzimet administrative dhe rregulloret. Menaxhimi i fondeve të dedikuar praktikantëve mund të kalonte në dorë të komunave, për të lehtësuar pushtetin qëndror.

Emine Klaiqi
Prishtinë, qershor 2015