Risistemimi shtetëror i punëtorëve

Reforma e Administratës Publike, e cila është në diskursin e qeveritarëve prej një kohe të gjatë, duhet përshpejtuar. Ajo është edhe kërkesë e Bashkimit Evropian. Njëra nga sfidat kryesore të reformimit është ndikimi social që do të ketë reforma. Janë me qindra punëtorë që konsiderohen si tepricë nëpër institucione të ndryshme.

Çfarë duhet bërë me këta të punësuar, kur dihet se shteti nuk mundet thjesht t’i largojë nga puna? Cilat institucione kanë nevojë për punëtorë?

Janë tri institucione që zyrtarisht i kanë bërë thirrje Ministrisë së Financave, që t’ ju lejohet me shumë staf. E para, Administrata Tatimore e Kosovës, e cila ka kërkuar më shumë inspektorë për kontrollin e bizneseve. E dyta, Dogana e Kosovës, që ka kërkuar më shumë oficerë doganorë. Të dy këto institucione grumbullojnë mbi 90 për qind të buxhetit. Lejimi i rritjes se punëtorëve do të mund të rrisë edhe mjetet e grumbulluara nga bizneset dhe do të ishte veprim ekonomikisht i qëndrueshëm.

Institucioni i tretë që kërkon më shumë të punësuar është Inspektorati i Punës. Numri aktual i inspektorëve e bën të pamundur fizikisht që të kontrollohet secili biznes. Dyfishimi i numrit të inspektorëve, së bashku me një plan për kontrolle, do të zvogëlonte konsiderueshëm mundësinë e shkeljes së të drejtave të punëtorëve.

Janë shumë punëtorë që sot punojnë pa kontrata, që është baza e të drejtës së një punëtori. Ka shkelje sa i përket mungesës së mjeteve të nevojshme të sigurisë, sidomos për punëtorët që punojnë në sektorin e ndërtimtarisë. Shkelje ka është sa i përket respektimit të së drejtës për pushim vjetor, pushim mjekësor apo pushim të lehonisë.

Bartja e punëtorëve nga një institucion në tjetrin është i mundshëm. E para, do të liroheshin institucionet nga numri i madh i punëtorëve. E dyta, pas një trajnimi të punëtorëve ata do të edukoheshin për një profesion të dytë. Nuk është e vështirë të gjenden juristë nëpër institucione të ndryshme, që aktualisht e kryejnë detyrën e asistentit.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Znj. Hykmete Bajrami, tashmë ka marrë vendimin të risistemojë disa nga punëtoret e MTI-së që nuk kanë qënë të angazhuar sa duhet me punë. Bajrami ka thënë se disa persona nga të gjitha departamentet i ka bartur në Agjencinë për Pronësi Industriale, pasi në këtë zyrë janë mbi 13 mijë aplikacione të bizneseve që presin përgjigje. Ajo ka thënë se të gjithë punëtorëve ju është caktuar një normë se sa aplikacione duhet shqyrtohen brenda një dite.

Të njëjtë praktikë e ka ndjekur edhe Dogana e Kosovës. Ky institucion ka bërë të ditur se deri në vitin 2014, gjysma e të punësuarve kanë punuar në zyrë dhe gjysma tjetër në teren si oficerë doganorë. Kjo praktikë ka filluar të ndryshojë në mënyrë që shumë punëtorë të dalin nga zyra e të bëhen oficerë. Por, prapë Doganës i duhen edhe të paktën 100 oficerë të tjerë për të përmbushur misionin e tyre.

Meqë është kusht i BE-së që të ulët numri i të punësuarve në administratën publike, atëherë qeveria duhet të fillojë një cikël të konkurseve të brendshme për të lëvizur punëtorët nga një institucion në tjetrin në mënyrë që të gjithë të punësuarit të kenë një vend pune me përshkrim të saktë të detyrave të punës.

Por, janë edhe dy inspektorate të tjera që janë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit: Inspektoriati i Tregut, në kuadër të MTI-së, dhe Inspektoriati Fitosanitar.
I pari është i rëndësishëm për të ruajtur dhe kontrolluar tregun. Kjo në thelb ka sigurimin e konkurrencës së drejtë dhe parandalimin e mashtrimit të konsumatorëve. Kurse Inspektoriati Fitosanitar do të kontribuonte në rritjen e cilësisë së produkteve vendore si dhe rritjen e sigurisë së tyre. Të dy këto inspektorate kanë nevojë për më shumë punëtorë.

Pra tashmë Qeveria së Kosovës duhet të definojë numrin e saktë të punëtorëve që do të mbesin pa vende pune dhe të atyre që janë të lirë të risistemohen.

Ministria e Administratës Publike e ka hartuar Katalogun e Vendeve të Punës, i cili shuan disa pozita që aktualisht janë funksionale. Ndonëse katalogur ka hyrë në fuqi me 5 shkurt 2015 me nënshkrimin e Kryeministrit Isa Mustafa, zbatimi është stopuar përkohësisht nga Ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili nuk u pajtua me të. Ndryshimi i këtij dokumenti pritet të ndodhë pas miratimit të Ligjit mbi Pagat dhe Beneficionet në Qeveri.

Por, nuk janë vetëm institucionet qendrore dhe lokale që kanë nevojë për riorganizim. Disa institucione që kanë nevojë për punëtorë shtesë mund t’i kërkojnë ata edhe nga Ndërmarrjet Publike. Kujtojmë që tashmë është publike që edhe PTK-ja e Posta e Kosovës kanë numër të madh punëtorësh. Gati 1/3-ta e punëtorëve në PTK konsiderohen si tepricë. Numër të madh të punëtorëve ka edhe KEK-u. Madje, me kalimin në mihjen me teknologji të avancuar numri i tyre rritet dukshëm. KEK-u deri më tani ka patur program për stimulim të pensionimit të parakohëshëm duke ju ofruar punëtorëve deri në 24 paga. Pra, nëse KEK-u është i gatshëm që dy vitet e fundit t’ja japë paratë punëtorit si avans, atëherë pse shteti nuk i orienton ata punëtorë në ndonjë sektor ku ata mund të jenë produktiv? Pra, KEK-u do t’i paguante pagat dhe ata do të mund të kryenin psh. punën e një inspektori.

Shpesh dëgjojmë arsyetime të buxhetit të pamjaftueshëm, por duket se më shumë se buxheti, të pamjaftueshme janë idetë për të përdorur në mënyrë sa më efektive ato resurse që ka vende, përfshi këtu edhe burimet njerëzore.
 

Merita Berisha
Prishinë, maj 2015