Pensione meritore për secilin punëtor

Brahim P. ka edhe dy vite për të dalë në pension. Ai ka nisur grumbullimin e letrave dhe verifikimin e nevojshëm për të marrë pensionin kontribut-dhënës. Për të marrë këtë pension, që është me i lartë se pensioni kontribut-pagues të moshës, atij i duhet të dëshmojë se i ka 15 vite përvojë pune para vitit 1995. Ai shpjegon se nuk dëshmia e kësaj nuk është e lehte për shkak të mungesës së dokumentacionit.

“Unë kam librezën e punës në të cilën janë të shënuara mbi 25 vite pune. Mirëpo, kur aplikova në Ministrinë e Punës për verifikim të përvojës, ata më dhanë një dokument që kinse unë kam vetëm 12 vite përvojë pune para vitit 1999. Kjo është e padrejtë dhe është shkelje e të drejtave të mija si punëtor dhe në të ardhmen si pensionist”, thotë Brahimi.

Ai nuk është ndaluar dhe ka grumbulluar dëshmi se ka punuar për 25 vite para lufte. “Tash kam siguruar një dokument nga vendi i punës sime, si dhe disa dokumente siç janë shtesat e fëmijëve apo dokumente për pushim vjetor që dëshmojnë që unë kam qenë në marrëdhënie pune”, thotë Brahimi. “Shpresoj që tashmë Ministri do të verifikojë të gjitha dëshmitë që kam dorëzuar dhe të më miratojë përvojën që kam. Unë nuk jam fajtor pse ministria nuk ka dokumentacion dhe dëshmi për të punësuarit”.

Kolegu i Brahimit, Rexhepi, ka një vit që ka dal në pension dhe po merr pensionin bazik të moshës, sikur të mos ketë punuar asnjë ditë pune. “Është e padrejtë që unë të paguhem njëjtë me gruan time që nuk ka panuar asnjë ditë. E morra shembull gruan se atë e kam dëshminë më të mirë. Unë jam privuar nga e drejta ime për faj të shtetit që nuk ka dëshmi”, thotë Rexhepi.

Nazmiu, një punëtor i hekurudhës, është ndarë shumë i zhgënjyer me shtetin e Kosovës. Ai është detyruar të dal në pension pesë vite para moshës së pensionit për shkak të riformatimit dhe rënies drastikes të punës së hekurudhave pas luftës. Për pesë vite nuk ka marrë asnjë qindarkë nga shteti pasi nuk e kishte moshën e pensionit.

“Unë nuk kam bërë asnjë kontribut në trustin e Kursimeve, sepse më kanë larguar nga puna. Tash marr vetëm 140 euro pension dhe atë e kam arritur vetëm pas 1 muaji angazhim për të siguruar dëshmi se kam përvojën e duhur të punës. Kjo është e padrejtë dhe kam menduar që të padis Hekurudhën për largim nga puna dhe jam duke u konsultuar me avokatë të ndryshëm”, thotë Nazmiu. Ai thotë se edhe kolegë të tij të tjerë janë larguar njëjtë nga puna duke u lënë në mëshirën e fatit.

“Një shofer i trenit me përvojë 30 vjecare ka punuar nëpër kompani të ndryshume të sigurimit, të cilat ja kanë shkelur të gjitha të drejtat. As me familjen nuk kalon dot kohë për shkak të orarit të stërzgjatur të punës”, rrëfen Nazmiu për shokun e tij.

Një shpjegim i dhënë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se pensioni bazik i moshës është pensioni minimal i rregullt mujor, që i jepet gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që kanë mbushur moshën gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeçare, pa marrë parasysh a kanë qenë të punësuar apo jo dhe të cilët i plotësojnë kriteret e parapara me ligj. Pensioni bazik i moshës ju paguhet të gjithë personave që janë shtetas të përhershëm të Republikës së Kosovës, të cilët posedojnë dokumentet e identifikimit dhe të cilët kanë mbushur moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeçare. Shuma mujore e këtij pensioni është 75€.

Numri i përfitueseve nga pensionet bazike të moshës në tre mujorin e parë të vitit 2014 ka qënë 117 mijë e 462 përsona. Ky numër është rritur në 126 mijë e 212 përsona në tremujorin e parë të vitit 2015.

Kurse, pension kontribut-pagues i moshës është pensioni i rregullt mujor për qytetarët e punësuar në Republikës e Kosovës, të cilët kanë paguar kontributet në ish-Fondin Pensional të Kosovës para datës 01.01.1999 sipas dispozitave të Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nr. 011- 24/83 (Gazeta Zyrtare KSAK-së nr. 26/83) e të cilët i plotësojnë kriteret e paraparë me këtë ligj. Të drejtën për pension kontribut-pagues të moshës e realizojnë të gjithë personat të cilët kanë shtetësi të Kosovës dhe të cilët kanë mbushur moshën gjashtëdhjetë e pesë vjeçare; duhet të kenë stazh pensional kontribut-dhënës sipas Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nr.011- 24/83 (Gazeta Zyrtare e KSAK nr.26/83) para datës 01.01.1999; ofrojnë dëshmi të vlefshme mbi pagesën e kontributeve sipas dispozitave të Ligjit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nr.011- 24/83 (Gazeta Zyrtare e KSAK nr.26/83) para datës 01.01.1999.

“Personat të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret për pension kontribut-pagues të moshës, nuk mund të jenë edhe shfrytëzues të ndonjë skeme tjetër pensionale të përcaktuar me këtë ligj. [...] Shuma mujore e pensionit kontributpagues të moshës është 140€”, thuhet në shpjegimin e dhënë nga ASK-ja.

Statistikat ASK-së e dëshmojnë se numri i personave që kanë arritur moshën e pensionit dhe që marrin 140 euro pension është dukshëm me i vogël se personat që marrin vetëm 70 euro. Në tremujorin e parë të vitit 2014 vetëm 36 mijë e 729 persona kanë marrë nga 140 pension, si pensione kontribut-paguese të moshës. Kurse, në vitin 2015 ky numër është rritur në 38 mijë e 765 persona.

Ajo që kuptojmë nga këto raste është se shteti duhet të mendojë për një modalitet të ri të kontributit pensional. Në kushtet kur punëtorët e kanë të pamundur të dëshmojnë përvojën e punës për arsye madhore si mungesa e dokumentacionit të para-luftës, është e padrejtë që disa prej tyre të penalizohen e të mos u njihet përvoja e punës dhe statusi i pensionit kontribut-pagues të moshës. Shteti duhet të jetë fleksibil dhe të vendosë një shumë të caktuar të pagesës për pensionin për cdo vit të përvojës së punës. Kështu secili person që ka punuar mund të marrë pensionin që i takon realisht.
 

Merita Berisha
Prishtinë, maj 2015