Prishtina shkel Ligjin e Punës - 20 arsimtarë pa paga e kontrata

Nuk ekziston as edhe një dyshim se shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të punëtorëve në Kosovë mund të gjenden në sektorin privat. Kjo mund të vërtetohet lehtë. Mjafton të shkohet në shitore të mëdha apo të vogla, të bisedosh me punëtorët e t’i pyetësh sa ditë pushim kanë në javë, sa është orari i tyre i punës, sa pushim vjetor kanë, si trajtohen gratë shtatzëna, si largohen ato nga puna menjëherë pas lindjes, ose si nuk ju paguhet fare pushimi i lehonisë etj, për të nxjerrë përfundimin se të drejtat e punëtorëve në këtë sektor janë disa herë më të nëpërkëmbura se në sektorin publik.

Pra, pavarësisht infrastrukturës së ligjore, në raport me të punësuarit në sektorin publik, ende ekziston një dallim goxha i theksuar.
Por ka edhe raste kur të drejtat e punëtorit shkelen me të dyja këmbët në sektorin publik. Rasti i fundit që meriton vëmendje ka ndodhur në Komunën e Prishtinës, ku 20 punëtorë arsimorë të shkollave fillore e të mesme, të pranuar nëpërmjet konkursit të rregullt, janë në përfundim të muajit të  tretë të punës por vazhdojnë të diskriminohen në tri drejtime.

Së pari, prej kur kanë filluar të punojnë nuk ju është dhënë asnjë pagë. Së dyti, pos mosmarrjes së pagave, atyre nuk ju është as ofruar mundësia për ta nënshkruar kontratën, që po ashtu është një shkelje e ligjit të punës. Së treti, siç thotë njëri prej tyre, i diskriminuari S.G., i punësuar në një gjimnaz të kryeqytetit, nuk ju jepet asnjë shpjegim. Atyre as nuk ju tregohet se pas sa muajsh do të mund të shpaguhen për punën që janë duke bërë.

“Kam konkurruar normalisht në konkursin e Komunës së Prishtinës, të shpallur në janar sivjet. Kam kaluar nëpër të gjitha filtrat dhe pasi i kam plotësuar të gjitha kushtet, jam thirrur për të nisur punën në gjimnaz”, ka treguar S.G., duke shtuar se nuk është befasuar për pakujdesinë e autoriteteve komunale në muajin e parë. Kjo sepse, siç është shprehur ai, në praktikat kosovare këto gjëra janë bërë të zakonshme.

“Mirëpo, kur kaloi edhe gjysma e muajit të dytë të punës, e unë më 19 mësimdhënës të tjerë nuk morrëm as paga dhe as kontrata, madje as shpjegim se pse po ndodh kjo, atëherë filluam të shqetësohemi dhe nisem të interesohemi se çka po ndodh me ne”, tregoi me mllef S.G., duke rrëfyer më tej se ai dhe kolegët e tij të pranuar nga i njëjti konkurs kanë shkuar në komunë disa herë, kanë takuar zyrtarët, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje në favor të tyre. Ndaj, ka theksuar ai, një neglizhencë e tillë e institucioneve shtetërore ëshët shumë për keqardhje dhe i lë njerëzit pa shpresë.

Duke qënë në këtë gjendje, S.G. vendosi, që pavarësisht pasojave e aq më tepër në mungesë të kontratës së nënshkruar të punës, t’i shkruante drejtpërdrejtë përgjegjësve komunalë për të shprehur pakënaqësinë për këtë dhe për t’ua bërë me dije se do të vazhdojë të ankohet edhe në instanca të tjera. Përgjegjësve ua kishte përmendur vetëm mediat, kurse autores së këtij artikuli i ka thënë se në rast se zgjat ky problem do t’i drejtohet edhe organeve gjyqësore. Kjo për shkak se ai si mësimdhënës e di se bëhet fjalë për shkelje të Ligjit të Punës dhe udhëzimeve e rregulloreve përkatëse që kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës në Kosovë.

“Nuk po ju shkruaj as nga krenaria e as nga mendjemadhësia, por po ju shkruaj nga halli, sepse jam familjar dhe po ashtu me obligime financiare në bankë;  mosvendosja në listën e pagave si dhe mosnënshkrimi i kontratës së punës, pa asnjë sqarim nga ana e DKA-së, paraqet shkelje të të drejtave ligjore”, është shprehur S.G. për autoritetet komunale të Prishtinës para më shumë se 3 javësh.
Qysh në këtë kohë ai kishte shfaqur dyshimin se pagën nuk do ta merrte as në fund të majit dhe ashtu po ndodh. Ai ka treguar se nuk e ka marrë asnjë paralajmërim se këtë muaj do t’i marrë pagat retroaktivisht.

“Po na nxjerrin në pozita që nuk do t’i dëshironte askush. Autoritetet komunale së fundi kanë deklaruar se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se askush nuk do të mbetet pa e marrë kontratën, por nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim konkret se si u bë që të shpallet konkurs, të pranohen në punë 20 mësimdhënës, të punojnë rreth tre muaj dhe ende të jenë pa paga”, vijoi S.G.

E, sido që do të rrjedh situata, të shkojë puna deri në gjyq apo jo, është e papranueshme që 20 mësimdhënës të shkollave të Prishtinës të vendosen në ato pozita, që në vend se të mendojnë se si të përgatiten për orët mësimore, atyre t’u sillet në kokë se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre në punë, sidomos kur konkurrenca për një vend pune në Kosovë është tepër e madhe.
Që këto gjëra të mos përsëriten, është më se e udhës që organet (inspektorët) që merren me mbikëqyrjen e respektimit të ligjeve të reagojnë me kohë, e nëse është e nevojshme edhe të ndëshkojnë, pavarësisht që në rastin konkret bëhet fjalë për institucione shtetërore. Përgjegjësia është shumëfish më e madhe në rast se të drejtat e njeriut shkelen nga institucionet, të cilat më tepër se gjithçka kanë për obligim të mbrojnë të drejtat e qytetarëve. 

Emine Klaiqi
Prishtinë, maj 2015