100 arsye për protesta e 1 milionë për punë më shumë

Niveli i lartë i papunësisë në Kosovë e bën më pak të rëndësishme ditën e punëtorëve, 1 majin. Këtë vit, 1 maji e gjen punëtorin kosovar në pozitë më të mirë se në vitin e kaluar. Tashmë qeveria e Kosovës e ka implementuar rritjen e pagave për 25 për qind, që ishte vendosur para rreth një viti. Kontrata Kolektive është nënshkruar, edhe pse ajo nuk po zbatohet e tëra për shkak të implikimeve të mëdha buxhetore. Për vetëm njërën nga pikat e Kontratës Kolektive parashihet të nisë zbatimi këtë vit, pra përvojën e punës.

Punëtorët e sektorit publik janë më me fat. Publiku e ka disi të vështirë të kuptojë protestat dhe grevat e tyre. Për të mos u keqkuptuar, punëtorët e sektorit publik kanë arsye për të protestuar e për të hyrë në grevë, sepse ata janë mashtruar nga qeveria, pasi e kanë nënshkruar kontratën kolektive, por ajo nuk zbatohet. Ata janë mashtruar, sepse u është premtuar rritje e përvitshme e pagave në nivel 25 për qind, e nuk po zbatohet. Përkundër që këto vendime të qeverisë së kaluar janë parë si veprime elektorale, sindikalistet e punëtorët kanë të drejtë të kërkojnë  zbatimin e tyre.

Mirëpo, pavarësisht këtyre, protestat dhe grevat e punëtorëve të sektorit publik janë qesharaka kur shihet gjendja e punëtorëve të sektorit privat, e sidomos gjendja e atyre që nuk e kanë një vend pune.

Në sektorin privat nuk respektohet pothuajse asnjë nga nenet kryesore të Ligjit të Punës. Një pjesë e madhe e punëtorëve në sektorin privat punojnë pa kontrata pune. Në shpjegimin më të thjesht të mundëshëm, kjo i bie që atij nuk i paguhen kontributet dhe se punëdhënësi i ikën tatimit. Kurse, punëtori nuk figuron askund si i punësuar dhe nuk ka se ku t’i kërkojë të drejtat e tij, sepse nuk llogaritet si i punësuar.

Pjesa më e madhe e punëtorëve të sektorit privat nuk i kanë dy ditë pushim në javë. Në shumicën e rasteve ata punojnë 6 ditë në javë; ka edhe raste që pushimi është një herë në dy javë. Kjo i bie që ka punëtorë që pushojnë vetëm 2 ditë në muaj, e ligji kërkon dy ditë në javë.

“Unë punoj 6 ditë në javë, pra pushojë vetëm 1 ditë. Kur ka hyrë Ligji i Punës në fuqi, punëdhënësi e ka ndryshuar kontratën dhe na është thënë se e shtuna do të jetë pushim,  por paga zbret për 100 euro. Nëse dëshironim të kishim pagë të njëjtë, na është thënë se duhet të nënshkruajmë që do të punojmë edhe të shtunën. Pra nuk na është rritur paga, vetëm se edhe ligjërisht është futur dita e e shtunë si ditë pune”, ka thënë Ismajli, i cili ka 5 vite që punon në një kompani distributive.

Siguria në punë doli të jetë një nga problemet kryesore të punëtorëve që punojnë në sektorin e ndërtimtarisë. Në bazë të dhënave të një ankete, vetëm 3 punëtor nga 60 sa ishin lënduar gjatë vitit të kaluar janë kompensuar. Kjo tregon më së miri gjendjen e punëtorëve.

Përveç pushimit javor, punëtorët e sektorit privat kanë telashe edhe me  pushimin mjekësor dhe atë vjetor. Në shumicën e rasteve pushimi vjetor nuk aplikohet sic parashihet në ligjin e Punës, pra 4 javë. Pushimi vjetor është mesatarisht nga 7 deri në 15 ditë, pra sa gjysma e kohës që Ligji i Punës ja njeh si të drejtë punëtorëve. E për pushim mjekësor ka shumë pak të dhëna nëse ai aplikohet në sektorin privat.

“Frikën kryesore e kam nëse lëndohem gjatë aktivitete sportive, sepse e di që do të mbetem pa punë. Një koleg ka marr pushim pa pagesë, e kur i ka ardhur koha me u kthy në punë atij i është kumtuar lajmi i shkëputjes së kontratës”, rrëfen Ismajli.

Që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Punës ka rënë dukshëm numri i femrave të reja që janë punësuar. Kjo është njëra nga statistikat që ka shqetësuar më së shumti shefin e zyrës së Bankës Botërore në Kosovë. Arsyeja për këtë fenomen është pushimi 12-mujor i lehonisë që njeh Ligji i Punës. Kjo e drejtë që i është dhënë femrave me këtë ligj, në të vërtetë po i penalizon ato në kërkimin për një vend pune.

Dhe me 1 maj duhet të protestohet. Duhet të protestohet për të ndryshuar Ligjin e Punës, i cili lejon që kontrata punëdhënës-punëmarrës të jetë edhe në formë gojore. Kjo krijon anarki në këtë sektor. Ligji i Punës duhet të jetë strikt sa i përket pushimit javor. Duhet të vendoset në mes dy dhe një dite në javë. Kjo duhet të bëhet në bazë të një studimi, sepse në parim, nëse vendoset që pushimi të jetë patjetër dy ditë, a nënkupton kjo që do të krijohen vende të reja pune kur punëdhënësve ju duhen punëtorë që rrijnë në punë të shtunave dhe të dielave? Ligji është i qartë, por duhet zbatuar sa i përket pushimit vjetor dhe atij mjekësor.

Duhet të protestohet që të ketë më shumë mbrojtje të punëtorëve nga ana e shtetit, pra nga Inspektorati, sepse ata janë e vetmja adresë që mund të mbrojë një punëtor nga një punëdhënës.

Këtë 1 maj duhet të protestohet më së shumti nga gratë, të cilave po i shkelen të drejtat e tyre. Nëse është e nevojshme, Ligji i Punës duhet të shkurtojë periudhën e lehonisë në vetëm 9 muaj, me kusht që shteti të marrë barrën kryesore për pagesën gjatë kësaj kohe. Kjo do të ngarkonte në fillim pakëz buxhetin, por në periudhë afatgjatë do të ruante nivelin e natalitetit, si dhe nuk do t’i privonte femrat nga një vend pune.

Si punëtorët, ashtu edhe të papunët kanë 100 arsye për të protestuar me 1 maj. Të gjithë punëtorët e sektorit privat duhet të nisin themelimin e sindikatave të tyre. Sindikata, jo që protestojnë vetëm për 1 maj, por sindikata që punojnë gjatë gjithë vitit. Sindikalistë jo që janë në moshë pensioni, por sindikalistë 20 e 30 vjec, që kanë energji dhe kurajo për të luftuar për të drejtën. Shteti duhet të bëjë obligative sindikatën brenda secilit biznes, apo sektor të bizneseve, sepse kështu e ka një adresë se me kënd të flasë, si qeveria, ashtu edhe punëdhënësi.

Sindikatat e punëtorët i kanë 100 arsye për protesta, por janë 1 milionë arsye që punëtorët e sindikalistët duhet të punojnë më shumë që të drejtat e tyre të mos shkelen gjatë tërë vitit.

Merita Berisha
Prishtinë, maj 2015