Protestuesit të protestojnë edhe ndaj shefave të tyre

Protesta e shoqatës së ndërtimtarëve dhe ndërmarrjeve prodhuese të Kosovës, që u zhvillua ditët e fundit të prillit në Prishtinë dhe që kishte si qëllim zhbllokimin e ndërtimeve në kryeqytet, nxori në pah shumë probleme që mund të kishin vijuar të mbeteshin nën hije.

Ajo nxori në sipërfaqe edhe telashet që ekzistojnë brenda vetë  kompanive të ndërtimit, të cilat punësojnë mijëra punëtorë të pakënaqur.

Qindra punëtorë dolën në rrugë për të artikuluar pakënaqësitë e shefave të tyre. Mirëpo, ata kishin edhe vetë plot arsye për të protestuar. Kushtet e tyre të punës nuk plotësojnë as minimumin e kritereve të caktuara nga ligjet në fuqi, si ai i Punës, ai për Siguri dhe për Shëndet në Punë, aktet e tjera nënligjore etj.

Së pari, shumë punëtorë kishin deri n2 3 muaj rradhazi që nuk merrnin pagat që u takonin. Së dyti, Ligji i Punës parasheh se një punëtor duhet të punojë 8 orë në ditë dhe 40 orë në javë (ose 5 ditë); disa nga punëtorët kanë deklaruar se pushimi i tyre është vetëm nga një ditë në javë, që i bie se punojnë 6 ditë në jave. Mesatarisht një punëtor punon edhe 18 orë shtesë mbi 40-orëshin e paraparë në ligj. Për pushim mjekësor as që mund të bëhet fjalë. 

I.B. punëtor i një kompanie, i cili po brohoriste bashkë me të tjerët për dorëhejen e drejtorit të Urbanizmit, Liburin Aliut, dhe shefit të Shërbimit të Urbanizimit në të njëjtën drejtori, Ergyn Haradinajt, e sqaronte me shumë sinqeritet presionet në vendin e punës i ka të shumta. “Më mirë është të punoj kështu e të arrij ta siguroj familjen për të mbijetuar se sa të përplasem me shefin e të mbetem krejt pa punë”, thoshte ai.

Një llogjikë e tillë mund të duket e arsyeshme në rethanat e Kosovës, ku papunësia shkon mbi 55 për qind. Por në të vërtetë kjo është vec një formë robërie.

Shkeljet e tjera të Ligjit të Punës nga kompanitë e ndërtimit shkojnë edhe më tutje. Ka disa prej tyre që deklarojnë se e kanë pagën 250 deri në 300 euro në muaj, por një pjesë të parave ja japin punëtorëve në kesh. Kjo me qëllim të ikjes nga tatimi në pagë, nga pagesa e Trustit Pensional, sigurimit shëndetësor për punëtorët që sigurohen në kompanitë private të sigurimeve etj. Krejt këto gjëra punëtorët i kanë të qarta, por për shkak të arsyetimit “më mirë diçka se kurrgjë” durojnë padrejtësitë dhe në një farë mënyre përforcojnë këto sjellje nga punëdhënësit.

Inspektorët e punës janë ata që duhet të aktivizohen dhe të zbulojnë se çfarë po ngjet në të vërtetë me punëtorët kosovarë në kompanitë e ndryshme, me theks në këto të ndërtimit.

Zhvillime të tilla nxjerrin në shesh edhe funksionimin jonormal të shtetit, i cili akoma nuk ka arritur ta pranojë si duhet tregun e lirë. Përdryshe, të drejtat e punëtorëve do të respektoheshin njësoj, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat. Natyrisht, këto të drejta do të kontrolloheshin njëjtë nga inspektorët e punës, të cilët duke mos lejuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve, njëkohësisht ndihmojnë edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Nuk do mend të kuptohet se situata të ngjashme ka në shumicën e kompanive private dhe përditë dëgjohen ankesa, mirëpo për fat të keq, ndryshimet pozitive po bëhen me hapa të breshkës. E, më së rëndi, në sektorin e ndërtimit,  këto probleme duke se u bënë të qarta vetëm pas fillimit të përplasjes së ndërtimtarëve me zyrtarët komunalë të Prishtinës.

Disa ditë pas paralajmërimit të protestës nga ndërtimtarët,  Qendra për Politika dhe Avokim (QPA) prezantoi gjetje shqetësuese rreth shkeljes së të drejtave të punëtorëve për shkak të mosrespektimit të Ligjit të Punës dhe Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë. Pas zhvillimit të 173 intervistave në rajonin e Prishtinës: 91 intervistave me punëtorë të sektorit të shërbimeve, hoteleri e tregti, dhe 82 intervista me punëtorë të tjerë në sektorin privat, ka rezultuar se 38.46 % e të intervistuarve nga sektori i shërbimeve, tregtisë dhe hotelerisë punojnë pa kontratë pune, ndërsa në sektorin e ndërtimit 59.76 % janë deklaruar të mos kenë kontratë pune. 81% e të punësuarve në sektorin e ndërtimit janë deklaruar se brenda një jave punojnë nga 50-60 orë pune, ndërsa vetëm 9.82% janë kompensuar me para për orët shtesë të punës. Po, ashtu raporti ka treguar se  73.17% e punëtorëve të ndërtimtarisë kanë deklaruar së nuk u paguhet pushimi vjetor, kundrejt  26.83% të cilëve u është paguar.

Probleme të tjera të përmendura në raport janë edhe ato të lëndimit të punëtorëve në punë, ndërkohë që shumica prej tyre nuk janë paguar fare. “Gjatë vitit 2014, sipas raportit të inspektoratit ishin lënduar rëndë 64 punëtorë, ndërsa 9 punëtorë kishin pësuar me fatalitet, kompensimet e lëndimit u ishin paguar vetëm 3 punëtorëve”, thotë raporti i QPA-së, teksa sqarohet se praktika e njëjtë ka vazhduar edhe në vitin 2015, kur  janë raportuar 7 lëndime të rënda dhe 3 vdekje në vendin e punës. Asnjërit nga të lënduarit nuk i është paguar kompensimi.

Një dalje publike e shefit të Inspektoratit të Punës në fund të prillit të krijonte përshtypjen sikur ai përfaqësues i shoqërisë civile dhe jo drejtues i një institucioni që kontrollon zbatimin e ligjeve. Diskutimi i tij, që linte shumë zbrazëti, bënte me dije se edhe për një kohë gjendja do të mbetet e pandryshuar.

Emine Klaiqi
Prishtinë, prill 2015