Halle të mëdha - paga të vogla

Punëtorët teknik të shkollave të mesme të  Prishtinës janë të në pagesë - ata marrin pagë mujore vetëm 120 euro (më pak se sa paga minimale) e nuk kanë as kontrata pune. Pagat i marrin pothuajse gjithmonë me vonesë, shpesh presin deri në tre muaj.

Pavarësisht shkeljeve, kompania “AB” edhe ajo “MSS”, të kontraktuara nga vetë Komuna e Prishtinës, vazhdojnë të kryejnë punën e tyre e të fitojnë tenderë. Protesta e më shumë se 50 punëtorëve të këtyre kompanive ka nisur vitin e kaluar; me raste ka pasur edhe greva.

Në rastet kur punëtorët kanë bojkotuar punën për të kërkuar paga më të larta e kontrata pune, nxënës e mësimdhënës kanë pastruar vetë shkollat. Njëra nga kompanitë ka ngritur pagat me vetëm nga 20 euro.  

Protestat e punëtorëve janë organizuar nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPEVZ), e cila është e vetmja që ende ngre zërin për ata punëtorë. Mirëpo duket se fuqitë e saj po shterojnë.

Në anën tjetër, Shpend Ahmeti, në një letër dërguar liderit të sindikatës së sektorit privat, Jusuf Azemit, ka hedhur poshtë mundësinë që komuna të marrë obligime shtesë për këta punëtorë. Sipas Ahmetit, që nga momenti i kontraktimit, Komuna e Prishtinës ka përgjegjësi vetëm për implementimin e kontratës dhe sigurimin e implementimit të Ligjit të Punës. Komuna nuk mund të bëjë rritje të tilla të pagave në sektorin privat, sepse kjo, sipas tij, bie ndesh me ligjin dhe kontratat e nënshkruara për shërbime.

Mirëpo, kryetari i SPEVZ pati argumentuar se nuk është e vërtetë se komuna nuk ka kompetenca për ngritjen e pagave të këtyre punëtorëve, pasi sipas tij ata janë punëtorë të komunës. “[...] aq sa e paguan komuna kompaninë, kompania i paguan punëtorët”, theksoi Azemi.

Tani këta punëtorë po kërkojnë kontratë kolektive. Edhe në protestën e këtij muaji, punëtorët teknik të shkollave fillore “Pjetër Bogdani”, “Asim Vokshi”, “Ismajl Qemali”, “Dardania” dhe “Elena Gjika”, si dhe kolegët e tyre nga të gjitha Qendrat Shëndetësore të Mjekësisë Familjare në kryeqytet, u përkrahën nga sindikata e sektorit privat të Kosovës. Sipas organizatorëve, protesta u mbajt me qëllim që të ndalohet presioni nga kompania e pastrimit “MSS”, e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës për mirëmbajtjen e këtyre objekteve.

Kryetari i sindikatës paralajmëroi grevë pas kësaj proteste. Ai tha se disa nga kompanitë që janë të kontraktuara për pastrim kanë hasur në mirëkuptim e disa të tjera jo. Disa nga kompanitë i janë përgjigjur sindikatës dhe kanë bërë një dialog për zgjidhjen e këtyre problemeve, e disa të tjera as nuk kanë takuar sindikalistët, as nuk janë përgjigjur. Madje sipas tij, disa nga këto kompani vazhdojnë t’i paguajnë punëtorët në kundërshtim me ligjin e punës.

“Kompania MSS, e cila operon në nivel kombëtar, shumë punëtorë i paguan me vetëm nga 120 euro pagë, gjë që është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Përndryshe, kjo protestë është mbajtur me kërkesën e shoqatave sindikale të këtyre punëtorëve”, ka theksuar Azemi.

Rrustem Sejdiu, punëtor teknik në shkollën fillore “Asim Vokshi”, në kryeqytet, ka thënë se kontrata kolektive parashihet me ligj. “Shkaku i protestës është implementimi i kontratës kolektive. Ashtu siç i kanë punëtorët e arsimit, i meritojmë edhe ne. Kemi filluar me protestë, nëse nuk zgjidhet asgjë do të mbajmë mbledhje me sindikatën e nëse është e nevojshme do të vazhdojmë edhe me greva. Pagat na janë ngritur gjatë grevave vitin e kaluar, na janë bërë 240 euro; kontratën e kemi nënshkruar për një vit. Mirëpo tash po kërkojmë kontratën kolektive”, tha Sejdiu.

Në anën tjetër pavarëisht ngritjes së kostos së jetesës, paga minimale në Kosovë vazhdon të jetë më e ulëta në rajon. Ajo nuk ka ndryshuar që nga viti 2011, e njëkohësisht është e kategorizuar në bazë të moshës: për punëtorët nën 35 vjeç është 130 euro, kurse ata mbi 35 vjeç ëahtë 170 euro. Sindikalistët vazhdojnë ta kundërshtojnë si lartësinë e pagës, po ashtu edhe kategorizimin e të punësuarve.

“Ne si BSPK asnjëherë nuk e kemi pranuar kategorizimin e pagës minimale, mirëpo qeveria ka nxjerrë një udhëzim administrativ për implementimin e pagës minimale në Kosovë dhe ajo është në afat trevjeçar”, ka thënë nënkryetari i BSPK-së, Alush Sejdiu, i cili ka paralajmëruar se për këtë çështje do të diskutohet në takimet e radhës të Këshillit Ekonomik Social.

Po ashtu, Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, ka thënë se brenda këtij viti duhet të debatohet rreth kësaj çështjeje dhe të analizohet nëse rritja e pagës minimale ngarkon sektorin privat dhe rrit informalitetin. “Në kategori nuk guxon të ndahet pasi e humb efektin e vet. Ne atëherë menduam se kjo ndarje do të inkurajonte kategoritë e moshave, por më vonë është parë se nuk është në rregull.”

Këshillin Ekonomik Social këtë vit e udhëheq Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, i cili nuk është deklaruar për këtë çështje. Paga minimale në Kosovë caktohet nga qeveria me propozim të KES-it në fund të çdo viti për vitin vijues. Paga minimale është e detyrueshme të zbatohet nga punëdhënësit vendorë dhe të huaj. Gjatë përcaktimit të saj mbahet parasysh kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkallës së papunësisë, situata e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend. 

Gur Kalaja
Prishtina, maj 2015