“Na ka ardhë shpirti në fyt”!

Besim D. i lindur më 1973, jeton në Podujevë dhe punon në një kompani kosovaro-slloveve në Kodër të trimave. Ndonëse Besimi e ka një punë, ai është jashtëzakonisht i pakënaqur me pagën dhe kushtet e punës. Por ai, si shumica e kosovarëve që punojnë në sektorin privat, hezitojnë të flasin publikisht për arsyen e thjeshtë sepse mund t’u kushtojë me humbjen e vendit të punës.

Ai dhe punëtorët tjerë në këtë kompani punojnë nga 16 orë në ditë, paguhen vetëm për 8 orë, dhe fitojnë vetëm 200 euro pagë mujore. Ndërsa sipas Ligjit të Punës, secila orë pune jashtë orarit duhet të kompensohet…

Orari i punës sanksionohet sipas nenit 20 i Ligjit të Punës, që, ndër të tjerat, thotë se orari i plotë i punës zgjat dyzetë orë në javë. Orari i zgjatur lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe për aq kohë sa është e domosdoshme.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në dijeni për shkelje të tilla të ligjit, mirëpo intervenimi i saj ende nuk po vërehet.

“A ka naj shpresë për neve, më trego të lutem, sepse shkurt, na ka ardhë shpirti në fyt”, më shkruante Besimi në FB. E çfarë t’i them atij dhe dhjetra e qindra të rinjve e të rejave kosovare, që jo vetëm që nuk kanë një trajtim adekuat nga punëdhënësit, por as nuk guxojnë të shprehin pakënaqësitë e tyre.

Besimi thotë se bashkëpronari (aksioner) shqiptar i kompanisë ku ai punon, korrupton inspektorët sa herë që ata vijnë për inspektim. Besimi nuk di se ku të ankohet.

Kjo situatë më bën të kuptoj se sindikatat e sektorit privat janë thuajse joekzistente – janë objektivisht të shukatura dhe joefektive. Nga ana tjetër, sindikatat në sektorin publik “punojnë” në favor të Qeverisë.  Kurse inpektorët e punës janë (kryesisht) të korrtuptuar.

Për Besimin, sindikata e sektorit privat nuk i mbron të drejtat e puëntorëve, sepse është ose e politizuar, ose anon nga grupet e caktuara të interesit, ose është e pafuqi.

Në fakt, ajo që e bën këtë sindikatë të pafuqishme është pikërisht Ligji i Punës, i cili, sipas analistëve ligjorë ka shumë “vakume” për sa i përket sektorit privat dhe të krijon përshtypjen se mbron më shumë punëdhënësin se sa punëtorin.

 “Ne si Sindikatë, jemi të pafuqishëm që të ndikojmë tek kompanitë private; inspektorët e punës duhet t’u bëjnë presion” - ka thënë Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Nga ana tjetër, sindikatat në sektorin publik “punojnë” në favor të Qeverisë, ngase krerët e saj janë të influencuar nga partitë politike.

Dhe rastet që vlejnë të përmendet këtu janë “greva në pritje” e sektorit të jurisprudencës, shtyrja e grevës së punëtorëve të arsimit, si dhe suspendimi nga puna i dy punëtorëve në transmetuesin publik për shkak të aktivitetit të tyre sindikalist.  

Prandaj, në këtë situatë, ku si kompanitë private, ashtu edhe institucionet publike, nëpërkëmbin të drejtat e punëtorëve, ndërkohë që sindikatat ekzitojnë më tepër si dekor i një demokracie se sa si mekanizma që ndërmjetësojnë ose arbitrojnë raportin e punëtorëve me punëdhënësit, është e kuptueshme pse punëtorët nuk kanë guxim të flasin duke zbuluar identitetin e tyre.  Kjo fare lehtë mund t’u kushtojë vendin e punës, që për një kosovar dmth. humbje e çdo burimi ekzistencial pa patur kujt t’i drejtohet për ankesë.

E për ndërgjegje qytetare as që mund të flitet në Kosovë, ku asnjëherë nuk është vendosur dialogu social, edhe pse ai është obligim ligjor.

E, Besim D.-së nuk i mbetet tjetër veç ankimit: “Na ka ardhë shpirti në fyt!”

 

Gur Kalaja
Prishtinë, prill 2015