Mungesa e sigurisë në punë

Xhevdet N, në marsin e vitit të kaluar kishte pësuar një aksident kur punonte në fasadimin e një objekti në lagjen Mat të Prishtinës, duke rënë nga një lartësi prej 8 metrash. “Nuk kemi patur mjete mbrojtëse anash. Po të kisha patur një rrjetë, nuk do të kisha rënë nga kati i dytë. Nuk kam patur as konop, se edhe ai do të më kishte shpëtuar nga rënia”, thotë Xhevdeti. “Unë sa e di nëpër shtetet e tjera, personat që punojnë në lartësi kanë kushte e siguri të lartë; këtu tek ne punëdhënësi na thotë të hapim sytë, por nuk na jep asnjë pajisje për t'u mbrojtur”.

Punëdhësi ja ka lënë Xhevdeti fajin për rrëzimin. “Më ka kërcënuar se do të humbas vendin e punës. Nuk kam marr as pagë për periudhën 8 javore kur më është dashur të mbaj gipsin. Gjatë asaj kohe ka qenë I vështirë përballlimin i shpenzimeve familjare, sepse jam mbajtës i familjes”, thotë Xhevdeti.

Xhevdeti është njëri nga 64 personat që ka pësuar lëndime në punë gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës në Ministrin e Punës dhe Mirëqënies Sociale. Por, sindikatat e ndryshme thonë se numri mund të jetë edhe më i madh, pasi nuk ka të dhëna të sakta nga qendrat spitalore e Policia, ndërsa punëdhënësit bëjnë të pamundurën që mos të raportohen lëndimet në punë.

Në një raport të bërë nga Qendra për Politika dhe Avokim thuhet se në bazë rë anketimeve rezulton se vetëm 3 persona që janë lënduar në punë gjatë vitit 2014 janë kompensuar. Neni i 59 i Ligjit të Punës parasheh pushimin mjekësor dhe kompensimin për punëtorët që lëndohen në vendin e punës. “I punësuari në rast të sëmundjes ka të drejtë në pushim mjekësor të rregullt mbi bazën, deri në njëzet (20) ditë pune brenda një (1) viti me kompensim prej 100 % të pagës”, thuhet në pikën e parë të këtij neni. “I punësuari ka të drejtë në pushim mjekësor pa pagesë sipas nenit 40 të këtij ligji. 3. I punësuari ka të drejtë në kompensim të pushimit mjekësor që është si pasojë e lëndimit ose sëmundjes profesionale në punë e cila ndërlidhet me kryerjen e punëve dhe të shërbimeve për punëdhënësin me kompensim prej 70 % të pagës së tij”, thuhet më tej në paragrafin e dytë.

Ndërkohë, punëdhënësit janë të obliguar që jo vetëm të sigurojnë të të gjitha pajisjet e nevojshme që garantojnë siguri në punë, por edhe që t’i trajnojnë punëtorët e tyre për sigurinë në punë. Siguria në vendin e punës është çështja thelbësore jo vetëm për punëmarrësit, por edhe për vetë punëdhënësit. Çështja e sigurisë dhe shëndetit në punë është e rregulluar me Ligjin nr.04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, i cili është miratuar në maj të vitit 2013 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në punë. Ky ligj përmban parimet e përgjithshme për parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut dhe aksidenteve, informimit, konsultimit, pjesëmarrjes së balancuar në përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajnimit të të punësuarve, përfaqësuesve të tyre dhe udhëzimeve të përgjithshme për zbatimin e këtyre parimeve.

Dispozitat e këtij ligji zbatohen në sektorin publik, privat, publiko-privat dhe sektorin e administratës shtetërore të nivelit qendror dhe lokal. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për praktikantët, nxënësit dhe studentët në punë praktike gjatë shkollimit, personat në vuajtje të dënimit të angazhuar në punë, vizitorët, bashkëpunëtorët afaristë, shfrytëzuesit e shërbimeve dhe personat në aftësim ose riaftësim profesional te punëdhënësi. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen në sektorët, veprimtaria e të cilëve rregullohet me ligje të veçanta, si: Forcat e Sigurisë së Kosovës, policia, shërbimi i zjarrfikësve dhe shërbimet për mbrojtje dhe shpëtim.

Ky ligj parasheh gjoba të ashpra për punëdhënësin i cilin nuk i zbaton dispozitat e tij. Punëdhënësi që kapet në shkelje të tij mund të gjobitet nga 500 deri në 35 mijë euro.  Megjithatë, numri i gjobave të lëshuara gjatë vitit 2014 mbetet simbolik, sepse Inspektoriati i Punës jep më shumë vërejtje pasi konsideron se edukimi i punëdhënësve mund të bëhet edhe duke mos i  gjobitur.

Sektori i ndërtimtarisë llogaritet si një prej sektorëve që ka rrezikun më të madh në punë. Ndërkohë që zbatimi i Ligjit të Punës dhe atij për Siguri dhe Shëndet në Punë bëhet edhe më i vështir ëpër këtë sektor, që llogaritet se ka nivelin më të lartë të informalitetit. Të dhënat e prezantuara nga Ministria e Financave thonë se të paktën 1/3 e ekonomisë zhvillohet në të zezë. Sektori i punësimit është ndër ata me nivelin më të lartë të informalitetit.

Pjesa më e madhe e punëtorëve në ndërtimtari janë pa kontrata pune. Punojnë më orar të zgjatur dhe kanë më pak se dy ditë pushim në javë. Mungesa e kontratave të punës e bën të pamundur që një punëtor të bëjë padi ndaj punëdhënësit të tij në rast të lëndimit të tij në punë.

“Kam menduar njëherë të padis punëdhënësin tim, sepse ai me ka ofenduar shumë dhe mbi të gjitha me ka trajtuar si një skllav, mirëpo kur u konsultova me një avokat ai më kërkoi kontratën e punës, të cilën unë nuk e kisha. Aty gjithçka u bë më e vështirë”, vazhdon rrëfimin Xhevdeti. “Pastaj i kërkova shokëve që kanë qenë të pranishëm të dëshmojnë atë që kanë parë, dmth rrëzimin dhe gjendjen time, por ata më kanë kërkuar të mos i ngushtoj sepse mund të mbeten pa punë dhe nuk kanë nga t’ja mbajnë.”

Xhevdeti ka nisur sërish të merret me ndërtimtari. E ka blerë vetë një konop për t’u lidhur në rastet kur ka punë në kate të larta. “Nuk kam nga t’ia mbaj sepse këtë profesion e bëj më së miri. Po tentoj t’i iki lartësive të larta dhe me paratë e mia kam blerë disa pajisje për të siguruar veten, sepse e kam kuptuar se askujt s'i bëhet vonë për ne punëtorët”, thotë Xhevdeti.

Merita Berisha
Prishtinë, prill 2015