Letra boshe për të mbrojtur kategoritë e brishta sociale

Sh.D. është një qytetare me aftësi të kufizuar, e cila ka dy vjet që ka ikur nga Kosova për shkak të kushteve të papërshtatshme për njerëzit e kategorisë së saj.  Ajo thotë se në vendin evropian ku ka emigruar ndihet sikur të mos e kishte asnjë të metë. Shteti u ofron kushte shumë të mira dhe kufizimi fizik në lëvizje nuk i bëhet aspak barrë.

Kosova ka ligj dhe Strategji Kombëtare 10 vjeçare (2013-2023) për personat me aftësi të kufizuar. Madje, nëse i referohemi dokumentacionit, duke sikur gjithçka është rregulluar më së miri në vend. Por mjafton një vëzhgim veç pak përtej sipërfaqes për të parë se deri në ç’masë përkrahen realisht personat me aftësi të kufizuar. Sfidat dhe problemet për këtë kategori ndeshen që në hapin e parë.

Mjafton të shihet mungesa e shtigjeve për të pasur qasje në gjithë llojet e ndërtesave, qofshin institucione apo objekte afariste, për të vërtetuar se situata në terren duhet ndryshuar menjëherë. 

Ironia më e madhe është se në Strategjinë 2013-2023, kur flitet për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, thuhet se “qëllimi i kësaj konvente është që të promovojë, të mbrojë dhe të sigurojë gëzimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha të drejtave dhe të lirive themelore të njeriut nga të gjithë personat me aftësi të kufizuar, si dhe të kontribuojë në respektimin e dinjitetit të tyre të qenësishëm”. Më tej shtohet se Strategjia do të shërbejë si katalizator për të krijuar politika më efikase, të qëndrueshme dhe të bashkërenduara në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Teksti vijon: “Me këtë dokument synohet përmirësimi i gjendjes aktuale në këto fusha: Shëndetësi; Mirëqenie Sociale; Punësim; Edukimi; Mbrojtje ligjore; Pjesëmarrje, Informim, Komunikim, qasje dhe statistika...”. është shkruar gjithashtu se strategjia do të shërbejë si një udhërrëfyes për institucionet e Republikës së Kosovës për të punuar brenda parimeve mosdiskriminuese, duke respektuar dinjitetin e lindur, autonominë individuale, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe mirëqenies, pjesëmarrjen e plotë dhe efektive dhe përfshirjen në shoqëri.

Pranimi i personave me aftësi të kufizuar cilësohet si vlerë shoqërore.

Pas shumë fjalëve “të ëmbla”, kulmi i vetë-lavdërimit arrihet kur në Strategji thuhet se “kjo dëshmon edhe njëherë se Republika e Kosovës, politikbërjen për personat me aftësi të kufizuara e ka të mbështetur në standardet ndërkombëtare, duke përfshirë parimet themelore të të drejtave të njeriut, të tilla si parimi i mbrojtjes dhe mos-diskriminimit”.

Ndërkohë, përfaqësues të personave me aftësi të kufizuar theksojnë se ka dy vjet që i kanë identifikuar vetë objektet dhe institucionet në të cilat nuk kanë qasje, mirëpo as pas kësaj pune, nuk është bërë ndonjë lëvizje e madhe.

“Përjashtim bëjnë objektet e reja, të cilat, siç duket, po obligohen nga strukturat komunale për t’i ndërtuar shtigjet për persona me aftësi të kufizuar”, thotë Sh.K.

Siç është raportuar edhe më herët në Forumin e faqes së projektit “Përkrahe Partnerëve Social”, ka edhe spitale në Qendrën Klinike Universitare, të cilat janë pa shtigje për persona me aftësi të kufizuar. Një nga këto është Klinika Infektive, ku jo vetëm aksesi në ndërtesë, por edhe transporti i pacientëve nëpër pjesë të ndryshmë të klinikës është problematik. 

Ankesat e përfaqësuesve të personave me aftësi të kufizuar janë pothuajse të përditshme në mjetet e informacionit publik. 

“S’është se nuk po përparohet në rregullimin e kushteve”, thotë M.S., një tjetër person  më aftësi të kufizuara, por thekson se “ecja po bëhet me hapa të breshkës”.  

Natyrisht që Komuna e Prishtinës është më e prekura në këtë drejtim, por nuk bëjnë përjashtim as qendrat e tjera komunale.

Nëna e një fëmije 5 vjeçar nga Prishtna po ankohej këto ditë në një media të shkruar  për mungesën e një çerdheje për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ajo deklaronte se është e obliguar ta paguajë një punëtore më shumë se 200 euro në muaj për t’u kujdesur për fëmijën e saj, pasi siç theksonte, nuk mund ta humbte vendin e punës.

Ndërkaq, përfaqësuesja e një shoqate, që merret me këtë kategori fëmijësh, deklaroi se që nga viti 1995 ka ngritur çështjen e ndërtimit të një çerdheje për këto fëmijë, por deri më sot kjo nuk është realizuar.

Gjendja është shumë e rëndë për këtë grup dhe për institucionet është obligim që të fillojnë të adresojnë së paku rregullimin e infrastrukturës. Kjo kategori qytetarësh duhet të ndihet e barabartë me të tjerët dhe të ketë mundësinë të realizojë potencialin e saj jetësor – të lëvizë lirisht, të punojë dhe të sigurojë jetesë të dinjitetshme.

Meqë Kosova është pretendon të jetë pjesë e Evropës dhe e barabartë me shtetet e tjera përparimtare, përfaqësuesit e zgjedhur të saj dhe profesionistët e fushës duhet të bëjnë çmos që t’i respektojnë konventat ndërkombëtare për personat me aftësi të kufizuara

Ajo që është e vendosur në letra nga ekipe të ndryshme profesionale duhet të zbatohet në praktikë. Në të kundërtën, si shoqëri do të kemi dështuar edhe në këtë fushë.

Emine Klaiqi
Prishtinë, prill 2015