Shembulli gjerman për punëtorët kosovarë

Oda Ekonomike e Berlinit është njëra nga Odat ekonomike që operon në Gjermani. Christian Nestler, ekonomist në këtë Odë, e përshkruan gjendjen ekonomike të Berlinit në rënie drastike për shkak të ndarjes politike që kishte që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në pamundësi për të rivalizuar Franfurktin, Shtutgardin apo ëolsburgun, të cilat kishin një industri të zhvilluar, Berlini ka zgjedhur një strategji inovative për të zhvilluar ekonominë. I ka hapur dyert për idetë të reja për të bërë biznes duke i lehtësuar kushtet për të hyrë në treg. Kjo sipas tij ka bërë që shumë biznesmenë të rinj të lindin në Berlin. Përveç ideve të reja, Nestler përmedn edhe një faktor tjetër të rëndësishëm: Edukimin e punëtorëve.

1. Edukimi i punëtorëve është kushti i parë i domosdoshëm për të pasur një ekonomi të zhvilluar. Një punëtor i edukuar mirë mund të prodhojë produkte me cilësi të lartë, madje edhe t'ja rrisë vazhdimisht cilësinë.

2. Roli kryesor i Odave ekonomike në Gjermani është edukimi/kualifikimi i punëtorëve, edukimi i studentëve për t'i përgatitur për tregun e punës dhe edukimi i të papunëve. Sigurisht, trajnimet bëhen në përputhje me kërkesat dhe nevojat e bizneseve për punëtorë të rinj.

Kosova

Kosova aktualisht ka numrin më të madh të personave të papunë. Zyrtarisht papunësia është në nivelin 30 për qind. Por ka dy statistika të tjera që e bëjnë këtë shifër të dyshimtë. E para, Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se vetëm 25 për qind e qytetarëve në moshë punë janë të punësuar. Dhe e dyta, ka të bëjë me përkufizimin e personave joaktivë. Personat joaktivë llogaritet se janë edhe ata që nuk kanë kërkuar punë në 30 ditët e fundit. Pra, numri i qytetarëve të Kosovës që mund dhe janë të aftë të kryejnë në punë e që nuk punojnë është më shumë se 30 për qind. Mund të jetë rreth 40 për qind duke e mirëkuptuar shkallën e lartë të informalitetit.

Me këtë nivel papunësie, Kosovës i duhet urgjentisht reformimi i sistemit të edukimit. Kosova duhet të hartojë kurikula dhe programe profesionale arsimore që i përshtaten nevojës së ekonomisë kosovare. Edukimi dhe ekonomia nuk mund të të ecin të ndara. Duhet të kuptojmë që roli i shkollave profesionale, i universiteteve është përgatitja e të rinjve për punë. Ministria e Arsimit duhet të iniciojë një hulumtim më të detajuar të tregut të punës, i cili duhet të tregojë profesionet e së ardhmes në Kosovë. Në këtë hulumtim duhet të përfshihet edhe strategjia për zhvillim ekonomik. Pse? Sepse bazuar në prioritetet që shteti i jep sektorëve të ndryshëm duhet të orientohen edhe koncentrimi i të rinjve në studime. Për shembull, nëse themi se energjetika është njëri nga sektorët me potencial për zhvillim, atëherë Kosova duhet të rrisë numrin e personave që vijojnë shkollën e mesme profesionale  për elektricistë, dhe duhet stimuluar edhe studimi në këtë fushë në fakultet.

Kosova përveç tjerash duhet të mendojë që të aftësojë kuadro profesionalë për të punuar jo vetëm në tregun e Kosovës, por edhe në atë Evropian. Të rinjtë nga Kosova kanë mundësi që të edukohen për të punuar nëpër kompani të mëdha të telekomunikacionit në Evropë. Pra, edukimi dhe trajnimi i tyre duhet të bëhet edhe në përputhje më kërkesat e tregut të Evropës. Pse Kosova të mos e ndjekë shembullin e Filipineve, të cilët i trajnojnë punëtorët për të gjetur një vend pune jashtë shtetit?

Ndihma e miqve

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi për implementimin e projektit të Odës, që ka të bëjë me Arsimin dhe Aftësimin Profesional të qytetarëve të Kosovës në Gjermani. Kjo marrëveshje ka për qëllim mbështetjen e Odës në implementimin sa më efikas të projektit për Arsim dhe Aftësim Profesional në Gjermani.

Kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare Samir Krasniqi ka vlerësuar se ky projekt është i një rëndësie të veçantë, pasi u jep mundësi shumë të rinjve të Kosovës, që të shkollohen dhe punojnë njëkohësisht në Gjermani. “Pas përzgjedhjes së tyre, ata do të kenë mundësi të udhëtojnë në Gjermani dhe të jenë pjesë e punës në ndërmarrjet atje, duke përfituar përvojën më të mirë të mundshme, si profesionistë të profileve të ndryshme”,  tha Krasniqi.

Qëndrimi i kosovarëve në Gjermani do të jetë për 3 vjet e gjysmë dhe ata më pas do të mund të kthehen në Kosovë, ose mund të përfitojnë të drejtën që të angazhohen me punë qoftë në kompanitë ku do aftësohen, apo edhe në ndërmarrjet tjera gjermane.

“Një istemi i tillë, që ndryshe quhet dual, lidhet me shkollim dhe punë praktike njëkohësisht. Të gjithë ata që do jenë pjesë e kësaj platforme, në përfundim, do të pajisen me certifikatë të njohur ndërkombëtarisht, që do të dëshmojë arritjen e tyre në zanatin e caktuar”, tha Krasniqi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Abrashi, e ka vlerësuar si një hap shumë të rëndësishëm hapjen e mundësive për të rinjtë kosovarë që të bëhen pjesë e barabartë e tregut evropian. Ai ka përgëzuar Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare për realizimin e këtij projekti, që do të ngrejë nivelin profesional dhe arsimor të qytetarëve të Kosovës.

Për realizimin e këtij projekti, Oda Ekonomike Gjermano–Kosovare ka mbështetjen e plotë edhe të institucioneve gjermane në Kosovë dhe në Gjermani, duke përfshirë edhe Unionin e Bizneseve Shqiptare që vepron në shtetin gjerman.

Ky projekt është mirëpritur edhe nga ndërmarrjet gjermane, që kanë shprehur gatishmërinë që të kenë në mesin e tyre edhe të rinj të tjerë nga Kosova.

Merita Berisha
Prishtinë, prill 2015