Lëmosha – fytyra e sëmurë e kryeqendrës së Kosovës

Është pothuajse e pamundur që dikush të kalojë në ndonjë rrugë apo shesh të Prishtinës e të mos hasë në njerëz të cilët kërkojnë lëmoshë. Po kështu, qytetarët që ulen kafeneve, ndeshen shpesh me këtë kategori që vjen e kërkon qindarka nëpër tavolina. Lypësit mund t’i afrohen tek tavolina, jo njëherë, por më shumë se 5 herë brenda gjysmë ore. E përherë është dikush tjetër. Më keq se kaq, disa nga personat që kërkojnë lëmoshë janë edhe të dhunshëm. Nëse nuk ju jepet asgjë, ofendojnë, pështyjnë apo edhe tentojnë ndonjëherë të godasin.

Në këtë lëmi, ka edhe nga ata që kanë zgjedhur një formë tjetër për të fituar bukën e gojës: shitjen e produkteve të vogla si shkrepse, çamçakëza etj., që janë me vlerë shumë të vogël, por që ju afrohen klientëve të ulur në kafene apo restorante. Janë këmbëngulës, sepse nuk largohen nga tavolinat derisa t’ju jepen 20 a më shumë centë.

Një shërbim tjetër për të kërkuar lëmoshë është edhe ai i të rinjve që vendosen në udhëkryqet qendrore të kryeqytetit, ku posa ndalen makinat në semaforin me dritë të kuqe, ata vërsulen dhe fillojnë t’i pastrojnë xhamat e përparmë.

Së fundi, janë edhe ata që kërkojnë lëmoshë duke i nxitur emocionalisht kalimtarët rastësorë. Të tillë bien gjithnjë në sy afër Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, apo Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në sheshin “Adem Jashari”, dhe sigurisht në vetë sheshin “Nëna Tereza”.

Më e dhimbshmja është se pjesa më e madhe e lypësave janë në moshë të mitur. Ka edhe fëmijë që s’kanë kaluar moshën 9 vjeçare, gjë që, nëse e konsiderojmë shitjen ambulante si punë, bie krejtësisht ndesh me Ligjin e Punës. Shpeshherë, lypëse janë nëna të reja me foshnjet e tyre në krah. Gjë e tmerrshme kjo për një shoqëri që synon të jetë normale, për një shoqëri e cila ka për synim t’i mbrojë të drejtat e njeriut.

Së fundi, është shtuar edhe një kategori tjetër e lëmoshëkërkuesve, ajo për të sëmurët që s’shërohen në Kosovë, siç janë ata që vujanë nga leukemia. Të rinj e të reja, në stenda me muzikë e me sistem audio, kërkojnë para për trajtimin e ndonjë shoqeje a shoku të sëmurë.

Pavarësisht nga “lloji” apo origjina e këtyre rasteve, asgjë nuk përjashton institucionet e Kosovës nga përgjegjësia, pasi ato duhet të jenë shumë më të përqendruara në zbutjen e kësaj dukurie. Kjo për faktin se shoqëritë e organizuara dhe ligjore nuk konsiderojnë si vlerë krijimin e shtresave të pasura shoqërore, por, përkundrazi, krijimin e kushteve që të mos ketë njerëz që vuajnë për bukën e gojës. Ato maten, pra, me respektimin e të drejtave të njeriut. Kështu si është aktualisht në Kosovë, jo vetëm në kryeqytet, por në shumicën e qendrave rajonale, tregohet vetëm paaftësia e shtetit – një lloj fytyre e sëmurë sociale.

E, përgjegjësia kryesore për këtë bie tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tek qendrat sociale nëpër komuna, dhe tek krerët komunalë në të gjitha komunat. Por nuk mbeten prapa as vetë qeveria e Parlamenti si tërësi, anëtarët të të cilave për çdo ditë shohin një “fytyrë” të tillë të shoqërisë dhe nuk ndërmarrin asnjë veprim për ta ndryshuar gjendjen.

Këta të fundit duhet të mbledhin informacione, të analizojnë gjendjen, dhe të krijojnë një pasqyrë reale të nevojave. Të dhëna të ndryshme tregojnë se kërkimi i lëmoshës nga fëmijët në forma të ndryshme nëpër rrugët e Kosovës është fenomen shumë shqetësues dhe se numri i tyre, pa llogaritur edhe ata që shesin cigare, kap nivelin e 100 vetave në vit. Kjo gjë është e ndaluar me Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, të cilët duhet të jenë në shkollë, e jo rrugëve.

Por, siç duket, institucionet e Kosovës janë ende të brishta. Zyrtarët e qendrave sociale të punës e të gjykatave gati çdo vit vazhdojnë të përsërisin të njëjtat fraza. Thonë se kanë i kanë ndaluar lypësit, i kanë identifikuar dhe, ata që s’janë nga Kosova, i kanë larguar. Mirëpo pretendojnë se ata po kthehen prapë.

Kështu pra, në këtë kaos, institucionet e Kosovës po tregohen të ngathëta e të paafta për të marrë masa të sukseshme për ta zbutur situatën. Ato, pa përjashtim, janë bërë imunë dhe, siç thotë një shprehje popullore, “nuk i japin as pesë pare” për ta ndryshuar gjendjen. Më herët janë bërë disa përpjekje që të gjehet një zgjidhje për lypësit, kurse kohët e fundit nuk duket asnjë përpjekje në horizont.

Emine Klaiqi
Prishtinë, mars 2015