Ndëshkohet veprimi sindikalist në Kosovë

Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala ka vendosur të shkarkojë nga puna gazetarët Fadil Hoxhën dhe Arsim Halilin, përkatësisht kretar dhe zëvendës kryetar të Sindikatës së Pavarur të RTK-së, si hakmarrje për veprimtari sindikaliste. Shala e ka marrë këtë vendim si reagim ndaj kundërshtimit të emërimeve të redaktorëve të rinj, që refuzoheshin hapur nga 12 redaktorët e vjetër në transmetuesin publik.

Në vendimin për shkarkim thuhet se "Të punësuarit Fadil Hoxha, më datën 26/03/2015 i shkëputet marrëdhënia e punës dhe i ndalohet hyrja në objektet e RTK-së, për shkak se paraqet rrezik potencial për shkaktimin e dëmit serioz ndaj RTK-së". Më tej i akuzohet për shkeljen e rregullores përkundër paralajmërimeve me shkrim nga kryeredaktori, për shpërdorim detyre, për keqpërdorim të pozitës së punës në njësinë e statistikave dhe analizave, për dhënie të fakteve të rrejshme për skemën programore të RTK-së, përmes mediave sociale në kundërshtim me raportin mujor që u dërgonte eprorëve. “I punësuari ka dalë publikisht, pa autorizim, duke tentuar të krijojë përshtypje negative për RTK-në dhe duke dëmtuar imazhin e RTK-së, që paraqet shkelje të rëndë disiplinore”, thuhet në pikën dy të vendimit.

I njëjti vendim është marrë edhe për redaktorin Arsim Halilin. Në pikën 2 të vendimit mund të lexoht “i punësuari Arsim Halili ka shkelur rregulloren për përgjegjësinë materiale dhe disiplinore, duke mos përfillur kërkesat me shkrim të eprorit të drejtpërdrejtë, për të qënë në orarin e punës në kohën kur kishte përgjegjësi editoriale për edicionet e lajmeve.”

Ai është shkarkuar edhe me arsyetimin se “pas shqiptimit të masës së rëndë disiplinore, ka vazhduar me shkeljen e radhës, duke sulmuar publikisht me deklarime të paautorizuara, komisionin disiplinor të RTK-së, pa pritur vendimin e shkallës së dytë, ku kishte bërë ankesë me paraqitjen e të pavërtetave dhe duke i shkaktuar dëm imazhit të RTK-së”.

Sherri mes menagjmentit të RTK-së dhe Sindikatës së Pavarur të RTK-së ka nisur kaherë, por doli në sipërfaqe vetëm vitin e kaluar, kur menaxhemnti i RTK-së filloi të ushtrojë një presion të pashembullt ndaj drejtuesve të Sindikatës. Pra, ndëshkimi i sindikalistëve e ka historinë e vet.

Vetëm një ditë pas dëshmisë së kryetarit të Sindikatës, Fadil Hoxha, në hetuesi rreth hetimeve për krim dhe korrupsion në RTK në 2014, menaxhmenti i RTK-së u kthye kundër  përfaqësuesve të sindikatës duke ndëshkuar nënkryetarin e saj, redaktorin Arsim Halili, i cili njëherësh është edhe anëtar i bordit të AGK-së, me masën vërejtje e fundit me shkrim (para përjashtim nga puna), si dhe anëtaren e Kryesisë së Sindikatës, Behare Bajraktarin, me masën suspendim nga puna, në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.

Madje gazetares Bajraktari i ishte ndaluar hyrja në objektet e RTK-së, duke ja pamundësuar kështu ushtrimin e veprimtarisë sindikale, njoftonte Sindikata e Pavarur RTK-së vitin e kaluar.

Me masën e parapërjashtimit nga puna, menaxhmenti kishte ndëshkuar atëherë edhe gazetaren shumëvjeçare, anëtaren e sindikatës, redaktoren Lindita Azizin.

Po ashtu, sipas zyrtarëve të Sindikatës së RTK-së, pothuajse çdo ditë vijnë ankesa nga punëtorët, të cilët dëshmojnë se janë duke u penguar në mënyrën më brutale në kryerjen e punës.

Menaxhmenti me drejtorin Shala, sipas Sindikatës së RTK-së ka ndëshkuar e shantazhuar, ose ka bërë presione ndaj shumë gazetarëve, si Dhurata Kaba, Shkumbin Ahmetxhekaj, Serbeze Haxhiaj, Blerta Foniqi-Kabashi, Berat Miftari, Gentiana Begolli, Fadil Gashi, Xhemile Gashi, etj. por shkarkimi i Hoxhës dhe Halilit është “Maja e Icebergut.”

Arsim Halili tregonte për presionin që u bëhej gazetarëve në mediumin publik, mirëpo shumë shpejt, ai dhe Fadil Hoxha u detyaruan të paguajnë për deklarata të tilla.

Por, drejtori i RTK-së, Mentor Shala ka thënë se shkelja e rregullores disiplinore dhe rregulloreve tjera ka qenë shkak për shkarkimin e kryetarit dhe nënkryetarit të sindikatës së RTK-së. Shala, në emisionin “Debat” të Klan Kosovës, u përball me deputetë të opozitës dhe mohoi se kanë qënë veprimet sindikaliste që kanë ndikuar në shklarkimin e Hoxhës dhe Halilit.

E vet redaktori Halili, rreth ndërlidhjes së shkarkimit të tij me protestën e para disa ditëve për emërimin e redaktorëve të rinj, tha se protesta për shkarkimin e kryeredaktorëve ka qënë njëra ndër arsyet për këtë vendim – por jo e vetmja – pasi, përveç denoncimit publik të censurës dhe shkeljeve profesionale në RTK, ata në vazhdimësi kanë ngritur shqetësimet e tyre përmes organizimit sindikal, në kuadër të Sindikatës së Pavarur të RTK-ë, për shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të punës, të ligjit të punës, diskriminimit, qasjes selektive ndaj punonjësve dhe dyshimet për shpërdorimin e parasë publike nga ana e menaxhmentit, e cila ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien dhe të ardhmen e punëtorëve të mediumit publik .

“Drejtori Shala e ka ndërmarr ketë hap në shenjë hakmarrjeje ndaj nesh. Ne jemi përfaqësues të zgjedhur sindikal nga anëtarësia prej 400 anëtaresh dhe kemi përgjegjësi morale e profesionale, por edhe mision public, që konform kompetencave tona, ta njoftojmë Kuvendin e Kosovës, si themelues të RTK-së dhe publikun për atë se çfarë po ndodh në RTK, gjithmonë pasi t`i kemi shterrur mundësitë për zgjidhjen e problemeve brenda institucionit” pohoi tha Halili.

Sipas pereceptimit të tij, servisin publik aktualisht e kontrollon pushteti përmes ndërhyrjeve të vrazhda politike ndaj stafit editorial nga ana e menaxhmentit, por edhe nga eprorët të tjerë të instaluar e servilë. Ndërkaq që roli i sindikatës së RTK-së është kryekëput në mbrojtje të interesit të punëtorëve dhe të drejtave të tyre të garantuara me ligjet e Republikës së Kosovës.

Halili vijon më tej duke thënë se krimet financiare në RTK duhen hetuar sa më parë.

“Janë drejtuesit e RTK-së të cilët kanë dhënë shifra kontradiktore për disa miliona borxhe të RTK-së. Drejtuesit kanë falsifikuar raportet financiare të përgatitura për komisionin për medie, gjë që është publikuar përmes një shkrimi të bazuar në një audioincizim nga mbledhja e menaxhmentit në të përditshmen “Koha ditore”.

Kanë shkelur ligjin e prokurimit publik dhe atë të  RTK-së, duke blerë produkte të jashtme televizive pa tenderë, kanë bërë punësime të reja pa respektuar institucionin e konkursit dhe ka pasur raste kur personat e pranuar në punë me konkurs kanë qenë duke punuar para shpalljes së konkursit. Poashtu kanë shkelur ligjin për financat publike, duke shpenzuar pa mbulesë ose më tepër se që kanë pasur para.

Halili ka akuzuar edhe për shkelje profesionale në politikën redaktuese të kësaj shtëpie, si dhe për censurën e përdorur dhe të detyruar për gazetarët.

Hoxha në këtë emision ka rikujtuar akuzat për punësime me para në RTK dhe për punësime nepotiste. Ai e ka quajtur RTK-në ndërmarrje importuese, duke saktësuar se importet bëhen për hesap të udhëheqjes e të menaxhmentit.

Halili dhe Hoxha po ashtu kanë përmendur shumë kontrata, që sipas tyre ishin fiktive e të dyshimta, që RTK i ka bërë me ndërmarrje të ndryshme për llogari të udhëheqjes.

Drejtues të shoqërië civile në Kosovë kanë reguar ndaj ngjarjes duke thënë se RTK, si institucion publik dhe i pavarur, do të duhej të ishte institucion i promovimit të shprehjes së lirë, sot menaxhmenti i saj po promovon të kundërtën. Mendimi ndryshe rezulton me diferencim.

Gur Kalaja
Prishtinë, mars 2015