Mësimdhënësve nuk u jepet asistenca e duhur sociale dhe shëndetësore - Pjesa 2

Roli i sindikatave dhe legjislacioni për mbrojtjen e punëtorëve të arsimit me probleme shëndetësore

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) pranon se kategoria e mësimdhënësve me probleme shëndetësore ka mbetur jashtë ligjit dhe jashtë përkujdesjes institucionale. Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se si në këtë sindikatë, ashtu edhe në sindikatat komunale  lajmërohen raste të tilla dhe se është raportuar për to disa herë. “Në mbledhjet e rregullta të mbajtura me DKA-të është ngritur kjo çështje: të gjendet një zgjidhje e mirë jo vetëm për mësimdhënësit, por edhe për nxënësit”.

Ai thotë se kërkesa e SBASHK-ut është që këta mësimdhënës të shkojnë në pension, por ai të jetë meritor. Jasharaj thotë se qeveria duhet të krijojë një fond nga i cili do të paguheshin mësimdhënësit me sëmundje të rënda, të dilnin në pension para kohe me pagë të dinjitetshme, e jo me një pagë sociali që nuk është mjafton për shpenzimet e sëmundjes. “Para- pensioni, tash nuk është rregulluar me ligj dhe mësimdhënësit detyrohen të vijnë në shkollë që të marrin një pagë më të mirë”, thotë ai duke e quajtur këtë jo vetëm jo-humane, por edhe se nën anën tjetër nuk garanton as cilësi në arsim.

SBASHK nuk ka të dhëna të sakta për mësimdhënësit në një situatë të tillë. Por, vlerësohet se numri i këtyre tyre është shumë më i madh sesa tregohet nga drejtoritë arsim. Kurrë nuk raportohet saktë as në MASHT e as në SBASHK pasi drejtorët mund të kenë probleme ligjore, sepse në shkolla, në pamundësi ligjore dhe mungesë buxheti, drejtorët mundohen t’i gjejnë zgjidhje alternative për kolegët.

Ardian Jonuzaj, u.d. i kryetar i Sindikatës së Arsimit Kulturës të Kosovës (SAAK), thotë se me ligj nuk parashihet që për këtë kategori të ketë zgjidhje. “S’ka rregullore që do të rregullonte problemin e tyre.  Ata nuk janë as objektiv në punë,  detyrën e kryejnë nga zori”. Jonuzaj thotë se janë në dijeni se numri i tyre është i madh, e që janë të prekur sidomos nga kanceri dhe sëmundje të tjera të rënda që i bëjnë të paaftë të japin mësim.
“Ne kemi vetëm për 78 raste njohuri në gjithë vendin, madje prej tyre 50 janë që vuajnë nga lloje të ndryshme të kanceri, ndërsa të tjerët me sëmundje siç janë ato me zemër”.

Ministria e Arsimit nuk e mohon se këtë kategori e kanë harruar. Azem Guri, Këshilltari për arsim parauniversitar i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, thotë se janë duke grumbulluar të dhënat mbi sa mësimdhënës japin mësim me gjendje jo të mirë shëndetësore. Ai thotë se pas grumbullimit të të dhënave, kjo ministri do të dalë me një vendim rreth zgjidhjes së këtij problemi, e që mund të zgjidhet me një pensionim të parakohshëm.

Ndërkaq, Nait Hasani, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, tha se komisioni pret propozimin e ministrit ose ndonjë propozim tjetër që do ta shqyrtojë dhe inkuadrojë në ligj.

Sipas Ligjit për Siguri dhe Shëndetin në Punë, neni 22 “Kontrollimet mjekësore”, pika 2. “Punëdhënësi është i detyruar t’i dërgojë në kontrollim mjekësor të gjithë të punësuarit së paku një herë në tre (3) vite.” Kjo nuk zbatohet nga as MASHT, as nga drejtoritë komunale arsimore. Neni 7 i këtij ligji thotë se “Punëdhënësi detyrohet të zbatojë masat parandaluese, bazuar në parimet e përgjithshme të parandalimit, si: 1.5. adaptimin e punës ndaj individit, veçmas në lidhje me karakteristikat e vendit të punës dhe ambientit të punës”. Në rastin e mësimdhënësve në proces ky nen po shkelet. Ndërsa, tek pika 4 e këtij neni thuhet se “Punëdhënësi, kur ia beson detyrat e punës një të punësuari, detyrohet të marrë parasysh aftësitë e tij/saj për kryerjen e atyre detyrave të punës”.

Ndërkaq, sipas Ligjit të Punës, përkatësisht neni 42, “I punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës, në përputhje me këtë ligj dhe Ligjin për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës”. Ligji për Arsimin Parauniversitar, neni 8 “Inspektimi i arsimit”, tek pika 4, parasheh “4.4. ambientin e punës duke përfshirë respektimin e standardeve të shëndetësisë dhe sigurisë, të dhënat e evidentuara të veprimeve disiplinore dhe rezultatet e tyre”.

Anita Kadriu
Prishtinë, mars 2015