Mësimdhënësve nuk u jepet asistenca e duhur sociale dhe shëndetësore - Pjesa 1

Menaxhimi i situatës nga niveli qendror e komunal

50 mësimdhënës kosovarë, të cilët vuajnë nga lloje të ndryshme kanceri, vazhdojnë të japin mësim për nxënësit, përkundër gjendjes së rënduar shëndetësore. Qindra mësimdhënës të tjerë që vuajnë nga sëmundje të rënda ushtrojnë po ashtu detyrën e mësimdhënësit në shkollat fillore dhe ato të mesme të Kosovës. Me asnjë ligj, rregullore apo Udhëzim Administrativ nuk parashihet pensionimi i tyre i parakohshëm me pagën e pensionistit në arsim.

Numri i mësimdhënësve me probleme shëndetësore jo vetëm që nuk është identifikuar ndonjëherë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës (MASHT), por është injoruar, duke u lënë në barrë të Drejtorive Komunale Arsimore (DKA) si dhe drejtorëve të shkollave. Punëtorët e arsimit, me rastin e ndonjë sëmundjeje apo aksidenti, mund të marrin vetëm pushimin mjekësor dhe tre muaj të tjerë pagën me 70 për qind të të ardhurave mujore, por jo dhe një pension të dinjitetshëm. Për të arritur pensionin prej 140 eurove, sa i takon një mësimdhënësi që mbush moshën e pensionimit, këta mësimdhënës të sëmurë i “zvarrisin” edhe disa vjet në proces mësimor. Sipas deklaratave të DKA-ve ata zëvendësohen ndonjëherë me mirëkuptim nga kolegët e tyre, apo drejtori i shkollës, pra dhe “mbulohen” jo ligjërisht nga drejtorët e shkollave, të cilët mundohen të gjejnë zbrazëtira buxhetore për t’i siguruar pagën një zëvendësuesi, e kështu për t’ia ruajtur vendin e punës deri në pensionim të mësimdhënësit të sëmurë.

Drejtorët për arsim nëpër komuna pranojnë se ka shumë vite që përballen me problemin e mësimdhënësve me gjendje jo të mirë shëndetësore. Drejtori për arsim në komunën e Malishevës, Blerim Thaçi, thotë se këta mësimdhënës, sado që mund ta kenë gjendjen shëndetësore të rënduar vazhdojnë të japin mësim, duke shtyrë ditët dhe pritur kështu moshën e pensionimit. E vetmja mundësi tjetër për ta, thotë ai, është që të drejtohen në Drejtorinë për Mirëqenie Sociale në komunë apo në Ministrinë e Punës. Por edhe aty pensioni nuk ju takon më shumë se 80 euro, pasi që llogaritja për këtë lloj pensioni bëhet sipas shkallës së invaliditetit. Prandaj, sidoqoftë shuma e përmendur nuk kalon asnjëherë. Thaçi thotë se falë një marrëveshje me organizatën “Caritas” ka arritur që, për komunën e tij, të angazhojë mësimdhënës mbështetës, të mbuluar financiarisht me ndihmën e kësaj organizate pasi buxheti komunal nuk parasheh mjete për të paguar njëkohësisht edhe zëvendësuesit edhe mësimdhënësit. Sipas Thaçit, as me Ligjin e Punës apo ndonjë ligj tjetër nuk parashihet të bëhet zgjidhje për zëvendësimin e këtyre mësimdhënësvee të sëmurë apo dërgimin e tyre në shtëpi me pagë të dinjitetshme. Ai sqaron se me ligj një punëtori i takojnë 20 ditë pushimi mjekësor dhe pagë 70 për qind për qëndrim deri në tre muaj. “Por, nëse mësimdhënësi nuk përgjigjet brenda këtij afati, s’mund të vijë në vend të punës, as nuk paguhet më”.

Qazim Maloku është drejtori për arsim në Komunën e Deçanit. Ai thotë se shkelja më e madhe që bëhet ndaj kësaj kategorie të mësimdhënësve të sëmurë. Zbrazëtia në ligj dhe mungesa e mjeteve financiare për të trajtuar këtë kategori po i nxjerr shumë telashe drejtorive arsimore. “Ne si drejtori mundohemi të gjendemi në këto raste, por jo dhe të shkelim ligjin. Disa herë gjatë përvojës pesë vjeçare që kam në këtë drejtori, e kam ngritur këtë çështje dhe në Ministri të Arsimit dhe më kanë thënë që ‘varësisht nga buxheti që keni në dispozicon për paga, bëji dy veta (mësimdhënësi aktual i sëmurë dhe zëvendësuesi)’. Ne sipas ligjit kemi të drejtë të japim dy javë pushim mjekësor, pastaj 2-3 muaj me ndihëm sociale 80 euro dhe kur kemi pasur mjete në buxhet dhe ndonjë zëvendësim. Më gjatë jo sepse do të ishte shkelje e ligjit”.

Maloku thotë se këta mësimdhënës e kanë tejet të vështirë që përkundër gjendjes së rëndë shëndetësore duhet të vijnë dhe të japin mësim. “As nuk ka udhëzim administrativ, as nen ligjor që parasheh një zgjidhje”. Ai thotë se janë përballur e po përballën me mësimdhënës me kancer, me sëmundje të zemrës dhe po ashtu të sëmurë mentalisht. “Nuk ka ligj që përcakton varësisht sipas sëmundjes ndonjë pagë të denjë për ta. Ata mundohen ta shtyjnë punën deri në pensionim”.

Muhamet Halili drejtor për arsim në komunën e Ferizajit thotë se në proces kanë një mësimdhënës që herë pas here shkon në pushim mjekësor. E gjithë kjo ndodh në pamundësi të pensionimit të parakohshëm. Nëse inspeksioni i Ministrisë së Arsimit del ndonjëherë në terren për të verifikuar gjendjen shëndetësore të punëtorëve, atëherë situata do të jetë e paqartë. Sipas Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, punëdhënësi është i detyruar t’i dërgojë në kontrollim mjekësor të gjithë të punësuarit së paku një herë në tre (3) vite, por Halili thekson se me ligjet në arsimin parauniversitar nuk është e paraparë me dispozita ligjore.

Anita Kadriu
Prishtinë, mars 2015